Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova dhe Akti i BE-së për Inteligjencën Artificiale

Të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimeve marramendëse teknologjike të viteve të fundit, ku shohim se si shumë shkathtësi njerëzore janë duke u përforcuar dhe zëvendësuar gradualisht nga sisteme të sofistikuara të algoritmeve, që tanimë i njohim si Inteligjencë Artificiale (IA). Për t’u dhënë përgjigje zhvillimeve të reja dhe të shpejta teknologjike, si dhe çështjeve ligjore dhe etike që ka ngritur IA-ja, Bashkimi Evropian i është përvjelë punës për ta miratuar legjislacionin e parë në botë që rregullon prodhimin dhe përdorimin e IA-së.

Akti i IA-së [‘AI Act’] paraqet një zhvillim të rëndësishëm, jo vetëm për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe për Kosovën, që aspiron anëtarësimin në BE. Implikimet e këtij legjislacioni do të shtrihen përtej kufijve të BE-së, duke ndikuar drejtpërdrejt në sfondin ligjor dhe teknologjik edhe të vendit tonë. Tri aspekte kyçe të Aktit të IA-së, që janë të rëndësishme edhe për Kosovën, janë kategorizimi i sistemeve të IA-së bazuar në rrezikshmërinë e tyre, transparenca dhe rregullat e përdorimit të IA-së në fusha të caktuara.

Në thelbin e tij, Akti i IA-së paraqet një përpjekje të BE-së për të vendosur disa standarde universale rreth përdorimit të IA-së. Ky legjislacion synon të nxisë inovacionin, duke siguruar që teknologjitë e IA-së do të zhvillohen në mënyrë etike, transparente dhe në mbrojtje dhe respektim të vlerave themelore të BE-së, përfshirë këtu edhe të drejtat e njeriut.

Akti përmban udhëzime të qarta për zhvillimin, shpërndarjen, përdorimin dhe mbikëqyrjen e algoritmeve, duke i kategorizuar aplikimet e tyre në nivele të ndryshme të riskut, si “rrezik i ulët” deri te “rrezik i lartë”, ku algoritmet që paraqesin rrezik të lartë për të shkaktuar dëm ose për t’i shkelur vlerat themelore dhe të drejtat e njeriut, do t’u nënshtrohen rregullave më të rrepta dhe kontrollit të shtuar.

Akti ka marrë shumë kritika, pasi shihet si shumë i rreptë dhe i dëmshëm për inovacionin dhe zhvillimet e mëtutjeshme teknologjike, dhe po ashtu ka ende shumë të panjohura dhe sfida. Pavarësisht kësaj, ky Akt na bën të reflektojmë mbi atë se çfarë të ardhme dëshirojmë ta kemi në bashkëjetesë me IA-në: një të ardhme ku teknologjia e plotëson njerëzimin, apo një të ardhme ku teknologjia e zbeh rolin e njerëzimit?

Ky Akt nuk është vetëm një përmbledhje e rregullave dhe normave juridike, por është edhe një qëndrim filozofik mbi rolin e teknologjisë në jetën tonë. Prandaj, për Kosovën, si vend në rrugën drejt anëtarësimit në BE, të kuptuarit dhe integrimi i parimeve të Aktit të IA-së në kornizën e vet ligjore nuk do të jetë vetëm çështje e harmonizimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së, por edhe një investim strategjik për të ardhmen e saj.

Implikimet për Kosovën: Aspiratat për anëtarësim në BE

Rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE karakterizohet me një përkushtim për t’i harmonizuar ligjet dhe politikat e saj me standardet evropiane. Akti i IA-së, në këtë kontekst, ofron një mundësi, por gjithashtu edhe një sfidë. Nga njëra anë, ky akt i ofron Kosovës një model gjithëpërfshirës për qeverisjen e IA-së, të tillë që u jep përparësi të drejtave të njeriut, sigurisë dhe llogaridhënies – fusha kyçe shqetësimi për BE-në. Në anën tjetër, kërkesat shumë të rrepta të Aktit kërkojnë një qasje proaktive nga Kosova për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme ligjore, institucionale dhe teknike për të përmbushur obligimet e këtij legjislacioni dhe, po ashtu, edhe për të përfituar nga ai.

Kosova si një shtet i ri, që edhe pak ditë feston 16-vjetorin e Pavarësisë, me një skenë dinamike të teknologjisë dhe një popullsi të re me shkathtësi dhe njohuri teknologjike, mund të përfitojë nga ky Akt për ta përforcuar pozicionin e vet karshi vendeve të tjera në rajon. Me një numër të madh të profesionistëve të rinj dhe të talentuar në teknologji, Kosova mund të përfitojë nga ky Akt për t’i dhënë shtytje këtij grupi të talenteve në përputhje me standardet evropiane.

Duke e integruar etikën, qeverisjen dhe pajtueshmërinë e IA në kurrikulat arsimore dhe programet e zhvillimit profesional, vendi mund të krijojë fuqi punëtore të aftë për krijimin e zgjidhjeve të bazuara në IA, që janë jo vetëm inovative, por edhe të përgjegjshme dhe konkurruese globalisht.

Duke nxitur një kulturë të inovacionit dhe sipërmarrjes në përputhje me kërkesat e Aktit të IA-së, Kosova mund të inkurajojë startup-e që eksperimentojnë me IA-në në sektorë të ndryshëm si fintech, shëndetësi, qasje në drejtësi dhe teknologji të qyteteve inteligjente (smart cities).

Ndonëse Akti i IA-së nuk ka hyrë akoma në fuqi, Kosova mund të fillojë ta përdorë atë si udhëzues për t’i përcjellë trendët dhe për t’u fokusuar në fusha si, mbrojtja e të dhënave, transparenca dhe llogaridhënia në sistemet e IA-së. Kjo qasje proaktive i ndihmon vendit që t’u paraprijë rreziqeve të mundshme që dalin nga IA, e që lidhen, ndër të tjerash, me paragjykimet, diskriminimin e privatësinë, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për një vend me një sistem relativisht të brishtë të të drejtave të njeriut.

Një qasje e këtillë proaktive, jo vetëm që do ta poziciononte Kosovën si lider në zhvillimin e përgjegjshëm të IA-së në Ballkan, por edhe do t’i rriste mundësitë e Kosovës për anëtarësim në BE, duke vazhduar të demonstrojë përkushtim ndaj vlerave dhe standardeve të BE-së.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.