Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova dhe (pa)planifikimi urban

Ilustrimi: Big Eye

“Mos harro që komuna mundet me ra në heshtje administrative deri sa ta kthejmë përgjigjen për lejen e ndërtimit”, – i kthen përgjigje arkitekti nga drejtoria e urbanizmit në një komunë, një qytetari në pyetjen e tij për leje të ndërtimit që është duke pritur që shumë kohë.

Në një rast tjetër, banorët e një zone të zhvilluar në mënyrë jo të rregullt dhe me probleme në infrastukturë, ankohen në drejtori të urbanizmit, të cilët kanë lejuar të ndërtohet një objekt shumëbanesor. Ky ndërtim ka rënduar edhe më shumë problemet në infrastrukturë, qasjen dhe parkimin në lagje, dhe privatësinë e banorëve. Përgjigjja e arkitektëve të drejtorisë së urbanizmit: ”Pse po ankoheni, aplikoni edhe ju për objekt shumëbanesor, se edhe juve do t’ju lejojmë të ndërtoni objekt të tillë”.

Këto dy raste ilustrojnë sadopak punën në drejtorinë e urbanizmit dhe mënyrën se si kontrollohen zhvillimet në komunat tona. Kontrollimi i zhvillimeve do të thotë, mënyra dhe procesi sesi lëshohen lejet urbanistike dhe ato të ndërtimit nga arkitektët në drejtorinë e urbanizmit, – t’paktën ky është vetëm një komponentë i saj. Në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban kjo njihet si menaxhim urban – procesi i zbatimit të ligjit për planifikim hapësinor dhe i dokumenteve të planifikimit në komunë.

Kosova ka probleme bazike me menaxhimin urban, konkretisht me lëshimin e lejeve urbanistike dhe të ndërtimit – me planifikim fizik. Nuk kemi nevojë për ndonjë analizë më të thellë, vetëm shikoni jashtë dritareve ku banoni dhe e shihni katrahurën që është krijuar në qytetet tona. Pra, edhe 16 vite pas luftës, në drejtoritë e urbanizmit ende bëhen pazare se sa duhet të shfrytëzohet parcela për ndërtim, sa duhet të ndërtojmë lartë, sa duhet të dalim me konzollë etj., pavarësisht faktit që kemi plane që tregojnë se si dhe sa duhet të ndërtohet.

Në këtë shkrim nuk do të flas për kualitetin e dokumenteve të planifikimit apo për sistemin e planifikimit që ndryshohet pa ndonjë vlerësim të mirëfilltë. Nuk do të flas as për pozicionin pasiv të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, karshi organizatave donatore të cilat japin udhëzime kontradiktore për ligjin dhe sistemin e planifikimit hapësinor dhe urban.

Çështja e planifikimit fizik në shtetet që funksionojnë normalisht është tejkaluar dhe kanalizuar dekada  më parë, për mos me thanë shekuj më parë. Në këto shtete, kushtet për leje urbanistike dhe të ndërtimit përcaktohen nga planet në fuqi dhe jo nga interpretimet personale të arkitektëve në drejtoritë e urbanizmit, vetëm e vetëm për të përfituar mjete shtesë. Si të tilla, këto kushte janë shumë pak të negociueshme. Në ato raste kur mund të ofrohet fleksibilitet në kushtet urbane dhe të ndërtimit, ekzistojnë mekanizmat, të cilat e përcaktojnë qartë procesin. Përvec kësaj, këto mekanizma shërbejnë për të kontrolluar punën profesionale të arkitektëve/planerëve, dhe në të njejtën kohë ofrojnë mundësi edhe për qytetarët që të monitorojnë punën e tyre. Normalisht, këtu duhet të shtohet edhe elementi i etikës profesionale që zbatohet nga arkitektët/planerët, gjë që te ne ka humbur sikurse “faksi, tynehere”.

Për më shumë, këto shtete, planifikimin hapësinor dhe urban e përdorin si mjet për të ringjallë ekonomitë lokale apo për të trajtuar çështjet sociale, apo më mirë me thënë për të arritur një mirëqenie për qytetarët e saj. Në fund të fundit, kjo është arsyeja pse planifikohet – planifikohet si të adresohen problemet aktuale të vendit dhe në të njejten kohë si të trajtohen problemet e ardhshme në mënyrë që të arrihet një mirëqenie për të gjithë qytetarët.

Çështjet socio – ekonomike, dhe shumë çështje tjera të planifikimit hapësinor dhe urban si planifikimi i transportit (mobiliteti) dhe planifikimi mjedisor, lërë më se nuk praktikohen si duhet në Kosovë, mirëpo njihen shumë pak si koncepte. Gjatë fushatave zgjedhore, gjithmonë më është dukur shumë interesant premtimi retorik i kandidatëve për kryetarë të komunave: “Ne kemi për t’i mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme”. Po t’i degjonte këto premtime ndonjë qytetar (sigurisht që i kanë dëgjuar) që vjen nga një shtet normal, do të thoshte se Kosova e paska rregulluar çështjen e kontrollit të zhvillimit mjaft mirë. Hipokrizi e llojit të vet! Sidoqoftë, asnjëherë nuk kam pasë rast ta dëgjoj mënyrën se si do të arrihet kjo mbështetje e bizneseve, sidomos përmes planifikimit hapësinor dhe urban.

Planifikimi hapësinor dhe urban është një ndër mjetet më të cilin politikat për zhvillim ekonomik transferohen në hapësirë, dhe anasjelltas. Këta kandidatë dhe kryetarët e komunave mund të flasin sa të dëshirojnë për mbështetje të këtyre bizneseve, mirëpo pa planifikim të mirëfilltë të tokës dhe infrastrukturës se ku këto biznese do të mund të funksionalizohen dhe të kenë sukses, e tëra është e pavlerë. Në teorinë e planifikimit hapësinor dhe urban është e njohur teoria që pa planifikim ka vetëm kaos ekonomik. Për fat të keq, Kosova është shembull tipik ku një teori e tillë, gradualisht po kthehet në praktikë!

Në fund të fundit, gjithë këto të mira të këtij sistemi të menaxhimit urban, i bartim ne, qytetarët e Republikës sonë të shumëpritur.“E deri kur me pritë bre burrë, se u bo shumë tue pritë” – i thotë qytetari arkitektit duke dalë nga zyra e urbanizmit në komunë. Arkitekti e percjell qytetarin duke dalë nga zyra dhe sigurisht ia shpjegon “mënyrat më efikase si të ndërprehet heshtja administrative”. “Heshtja administrative” nuk ekziston si term zyrtar në procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit, mirëpo ekziston vetëm në fjalorin e disa arkitektëve në komuna.

Sa i përket rastit të dytë, banorët nuk kanë aplikuar kurrë për leje të ndërtimit për objekt shumëbanesor sepse, për çudi, kanë menduar më logjikisht dhe më profesionalisht se arkitektët e komunës!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.