Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kthimi në të shkuarën: rendi liberal dhe struktura e sistemit ndërkombëtar – Pjesa I

Shumë liderë botërorë – sidomos nga vendet perëndimore – studiues, udhëheqës organizatash ndërkombëtare apo edhe ndjekës të vëmendshëm të politikës ndërkombëtare, tash sa kohë, e vlerësonin të nevojshme largimin e Presidentit Trump nga Shtëpia e Bardhë me idenë se, sipas tyre, me fitoren e Joseph Biden gjendja në marrëdhëniet dhe sistemin ndërkombëtar do të kthehet aty ku kishte qenë para vitit 2016. Së këndejmi, ShBA-të do vazhdojnë të ruajnë dhe të kultivojnë aleancat e njëjta; të mbështesin në mënyrë intensive – politikisht dhe financiarisht – organizatat ndërkombëtare; të promovojnë dhe të avancojnë strukturat ligjore ndërkombëtare dhe të angazhohen ndërkombëtarisht, në trajtën dhe modalitetin e njëjtë, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke promovuar parimet dhe shpërndarë vlerat e rendit liberal ndërkombëtar. Andaj, me të drejtë shtrohet pyetja se, a do të jetë e mundur që rendi liberal ndërkombëtar të prezervohet dhe të vazhdohet të promovohet nga presidenti i sapozgjedhur amerikan, Joseph Biden, më të njëjtën frymë dhe përmbajtje sikur përpara fillimit të mandatit të Donald Trump?

Kuptimi dhe shfaqja e rendit liberal ndërkombëtar

Para se të shpalosen argumentet e nevojshme me qëllim që të ofrohet një përgjigje e qëndrueshme për pyetjen e mësipërme, konsideroj se është e rëndësishme që të ofrohet një përkufizim konsensual për vetë termin e “rendit liberal ndërkombëtar”. Edhe pse viteve të fundit kjo frazë përdoret gjerësisht në debate akademike dhe në media, koncepti në fjalë është larg i të qenit vetëshpjegues. Në fakt, ekzistojnë aq versione të përkufizimeve për këtë koncept, sa ka edhe artikuj të botuar për të. Megjithatë, kur përmendet ky term, shumica e studiuesve e kanë në mendje sistemin e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore që personifikohet me Sistemin e Kombeve të Bashkuara, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Organizatën Botërore e Tregtisë dhe të gjitha organet e agjencitë tjera që ndërlidhen më këto institucione. Për të qenë më i saktë, John Ikenberry, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Princeton-it dhe autori i librit: “A World Safe for Democracy: Liberal Internationalism and Crises of Global Order”, rendin liberal ndërkombëtar e  përkufizon si një “rend ndërkombëtar të hapur i cili është mishëruar në institucione si Kombet e Bashkuara dhe në norma si multilateralizmi”. Ky autor konsideron se rendi aktual ndërkombëtar është një lloj fuzionimi në mes të dy rendeve dhe projekteve të rëndësishme historike: i pari, krijimi i shteteve moderne, projekt që fillon me Paqen e Vestfalisë (1648), dhe i dyti, rendi liberal që për dy shekujt e fundit është konceptuar dhe udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe ShBA-të dhe i cili, në shekullin XX-të, u ndihmua dukshëm nga “ngritja liberale”, që nënkupton rritjen e numrit të shteteve që përqafuan sistemin e demokracisë liberale. Për Ikenberry, dhe shumë studiues tjerë perëndimorë, Karta e Atlantikut – deklaratë e përbashkët e nënshkruar me 1941 në mes të Presidentit të ShBA-së, Franklin D. Roosevelt dhe Kryeministrit britanik, Winston Churchill – përben dokumentin themelues të rendit liberal ndërkombëtar. Qëllimi kryesor i këtij dakordimi në mes të këtyre dy liderëve politikë, i arritur përpara që ShBA-ja të përfshihej në Luftën e Dytë Botërore, ishte jo vetëm që të vendosë paqen, por në të njëjtën kohë të krijojë një rend ndërkombëtar që do t’ju mundësonte shteteve të ofrojnë një jetë më të mirë për qytetarët e tyre.

Megjithatë, jo të gjithë autorët bien dakord për kohën e fillimit të këtij rendi ndërkombëtar. Në këtë prizëm, John Mearsheimer, Profesor në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Chicago-s, konstaton se gjatë Luftës së Ftohtë ShBA-të dhe aleatët e saj ndërtuan një rend të fuqishëm, por ky rend nuk ishte as ndërkombëtar dhe as liberal. Ky ishte një “rend i kufizuar” qëllimi primar dhe më i rëndësishëm i të cilit ishte të konkurrojë, në domenin e sigurisë, me një rend tjetër rival të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Mearsheimer argumenton se ky rend nuk ishte as liberal dhe as komunist, por udhëhiqej kryekëput nga parimet themelore të realizmit. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe fundi i Luftës së Ftohtë, i mundësoi shteteve fituese perëndimore – nën udhëheqjen e ShBA-së – fillimin e një rendi të mirëfilltë liberal dhe ndërkombëtar. Sepse vetëm kur sistemi është unipolar, rëndësia ideologjike e polit dominues në sistem merr relevancë strategjike dhe të pakontestueshme. Andaj, rendi liberal ndërkombëtar mund të ekzistojë vetëm në sistemet unipolare ku shteti udhëheqës është demokraci liberale.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.