Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kundër stereotipizimit negativ të nënave të punësuara

Ilustrimi nga Big Eye.

I bie ziles. Edukatorja e hap ngadalë derën e kopshtit. Më përshëndet kujdesshëm. Menjëherë nga dyert e klasëve vogëlushët i qesin kokat një nga një për të identifikuar se prindi i kujt erdhi. Më shikojnë me shumë shpresë, me sy të mëdhenj. Pastaj me vrap e thërrasin: Noar të ka ardhë mami. Noari vrapon. Buzëqeshjen vesh më vesh. Një përqafim, një shtrëngim dhe bota e tij është në rregull.

„Ti gjithë më len vetë“, më akuzon kur jemi rrugës për në shtëpi. Dikur edhe unë e akuzoja mamin tim që më „linte vetëm“ e shkonte në punë. Nganjëherë besoj se ende e njoh atë ndjenjën e mallit për të. Sa shumë më merrte malli për të. Për mamin. Për erën e saj. Për përqafimet. Për këngët e vjershat që i recitonim e këndonim bashkë, për përrallat tona. E mbaj mend që çdo mëngjes ajo vishte tesha të hekurosura e me erë të mirë dhe shkonte në punë dhe unë mezi prisja që ajo të kthehej tek unë.

Nënat e punësuara gjithmonë ndiqen nga frika dhe ndjenja e fajësisë që po u ikin momente të çmuara, të cilat nuk kthehen më pas: hapat e parë, fjalët e para, fjalët e reja që thuhen për herë të parë, çasti kur e vëren që i ka dalë dhëmbi i parë, vizatimi i parë, programet në kopsht e shkollë, rënia e dhëmbit të parë të qumështit e shumë hera tjera të para.

Unë nuk e mbaj mend se cilat momente i kanë ikur mamit tim. Ndjenja e mallit për mamin dikur u zëvendësua me ndjenjën e mburrjes për të. Ta kesh një nënë të punësuar, që është e barabartë në shoqëri, financiarisht e pavarur e respektuar nga të gjithë edhe që arrin ta balancojë punën dhe familjen është diçka që ka ndikim në jetën dhe zhvillimin e një fëmije.

Diskurse sociale e mediale lidhur me ndikimin e nënave të punësuara tek fëmijët ka pasur gjithmonë dhe kudo. Gratë në shoqërinë tonë patriarkale e mendjengushtë, shpeshherë duhet të vendosin ndërmjet punësimit dhe të qenit nënë. Tradicionalisht gruaja është ajo që e ka për obligim të përkujdeset për anëtarët e familjes dhe vendi i saj është në shtëpi, përderisa burrat janë ata që duhet të punojnë për ta mbajtur atë familje. Statistikat lidhur me numrin e të punësuarve në Kosovë  ilustrojnë shumë mirë faktin që në tregun kosovar të punës nuk jemi as afër barazimit gjinor:  nga 287 062 të punësuarve, vetëm 88 172 janë të gjinisë femërore.

Nuk është e rrallë që nënat e punësuara të etiketohen si nëna të këqija, që devijojnë nga roli i tyre si përkujdesëse dhe kanë ndikim të keq në familje.

Një studim i publikuar në fund të korrikut të këtij viti nga Harvard Business School nga Kathleen McGinn et al. jep një argument të fuqishëm kundër këtij stereotipizimit negativ për nënat. Studimi u bie me grusht etiketimeve të llojit „nënat të cilat punojnë e shkatërrojnë familjen“ „nënat e punësuara i lënë anash dhe i braktisin fëmijët“.

Sipas këtij hulumtimi nënat e punësuara nuk kanë vetëm ndikim pozitiv tek vajzat e tyre, por edhe te djemtë. Fëmijët që rriten në familje, ku nëna është në marrëdhënie pune, mësohen të jenë më të pavarur e të marrin përgjegjësi, mësohen t’i ndajnë obligimet brenda familjes dhe kështu t’i përmbysin gradualisht konceptet mbi rolet tradicionale gjinore jo vetëm në familje e shoqëri, por edhe në tregun e punës!

Të dhënat për këtë studim janë mbledhur nga 24 shtete të ndryshme. Sipas këtij studimi vajzat e rritura të nënave të punësuara kanë më shumë gjasa për t‘u punësuar, për të fituar më shumë dhe për të pasur pozita udhëheqëse në krahasim me vajzat e rritura të nënave, të cilat qëndrojnë në shtëpi, kur fëmijët e tyre janë të vegjël. Në anën tjetër, djemtë e rritur të nënave të punësuara, janë më të përkushtuar ndaj familjes, ata kalojnë më shumë kohë në përkujdesjen ndaj anëtarëve të familjes. Studimi gjithashtu tregon që ata kanë gjasa më të mëdha të martohen me vajza të punësuara, në krahasim me djemtë e nënave që qëndrojnë në shtëpi.

Studimi i McGinn synon të shërbejë si shtytës për nxitjen e krijimit të politikave më të favorshme kombëtare dhe lokale për punësim prindëror dhe largimin e barrierave që e vështirësojnë balancin ndërmjet punës dhe familjes. Në veçanti rekomandohen politika për përkrahjen e nënave të punësuara.

Nënat kosovare, përpos që duhet t’i luftojnë konceptet patriarkale të shoqërisë për ta filluar apo vazhduar marrëdhënien e punësimit duhet të luftojnë edhe për ta gjetur një vend në kopsht.

Njëri prej faktorëve vendimtar në çështjen e punësimit është padyshim qasja në kopshte për fëmijë, që ofrojnë përkujdesje cilësore me çmime të arsyeshme. Në Prishtinë është më lehtë ta regjistrosh fëminë tënd në fakultet sesa t’ia gjesh një vend në kopsht publik. Në pjesën dërrmuese të Komunave dhe të qyteteve tjera në Kosovë as që ka kopshte publike për fëmijë. Gjendja është pak më ndryshe sa u përket kopshteve private. Aty kemi oferta nga më të ndryshmet: kopshte të licensuara e të palicensuara, kopshte në shtëpi e në ndërtesa të banimit kolektiv, kopshte që ofrojnë programe edukative apo të tilla që fëmijëve u ofrojnë programe televizive… përkundër dallimeve, kopshtet private e kanë një të përbashkët: janë të paaritshme për shumicën e buxheteve familjare.

Edhepse rrethanat ekzistuese janë të vështira për çdo grua kosovare që vendos të punojë edhe të krijojë familje, Qeveria nuk krijon politika për t’i përkrahur ato, por për t’i sfiduar akoma më shumë duke ua shkurtuar pushimin e lehonisë!

Shkurtimi i pushimit të lehonisë, i cili parashihet me projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit të punës, parasheh që e punësuara do të ketë të drejtë që  tre muajt e parë të pushimit të lehonisë të marrë kompensim prej 70% të pagës bazë nga punëdhënësi dhe për tre muajt e tjerë pushimi i lehonisë të paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë. Gruas së punësuar pastaj i mundësohet që tre muajt e fundit të pushimit të lehonisë të marrë pushim pa pagesë. Shkurt e shqip: Shumica do të jenë të detyruara ta fillojnë punën kur foshnja t’i mbushë tre muaj. Kur kemi parasysh që nuk ka kopshte për fëmijë që pranojnë fëmijë nën gjashtë muaj, me aprovimin e këtij ndryshimi ligjor, gjasat do të jenë shumë të mëdha që gratë e punësuara – të cilat bëhen nëna-  të heqin dorë nga vendi i tyre i punës dhe kështu pjesëmarrja e femrave në tregun e punës të jetë edhe më e vogël.

Ndërsa, për ato nëna, të cilat përkundër sfidave vazhdojnë ta ndjekin punën dhe karrierën e tyre, të gjeturat nga ky studim i Harvard Business School mund të shërbejë si një lehtësim i vogël nga ajo ndjenja e përhershme e fajësisë për ikjen e çasteve që nuk përseriten më. Ndikimi pozitiv në zhvillimin e fëmijëve është më afatgjatë dhe më i thellë se një kujtim i humbur.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.