Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kush do të qajë për inspektorin?

Kush do të qajë për inspektorin?

Këtë verë në qytetin e bukur të Prizrenit patëm rastin e përjetimit të një shembjeje të një shtëpie të bukur, që vrau një fëmijë trevjeçar. Të nesërmën, një shtëpi tjetër, poashtu e bukur në qendër të Prishtinës, që me vite kishte paralajmëruar shembjen e vet, një ngordhësirë, megjithatë e banuar, u rrethua me shirit barrikadues. Sikur për të na thënë që, ne këtu në Prishtinë, përkundër atyre në Prizren, kemi dhe zbatojmë ligjin. Megjithatë, pak kohë më vonë, dy fëmijë tjerë u mbytën në një gropë të mbushur me ujë, e cila siç u raportua, ishte krijuar si pasojë e furnizimit të dikujt me zhavor, por pa leje. Viktimat e bënë kryetarin për të qarë, kurse inspektorin për të dhënë dorëheqje, dhe e mbushën rrjetin me njëfarë baraspeshe të, në njërën anë, indinjatës ndaj trashëgimisë vdekjeprurëse nga pushtetet e kaluara, dhe në tjetrën, lavdatës ndaj instalimit të një mendësie tjetër qeverisëse. Dorëheqja fisnike e inspektorit na u bë balsam për dhembjen tonë dhe dëshprimin. Sidoqoftë, dhembja gjithmonë jetëshkurtër, kurse dëshprimi, steril, sepse tashmë i parasupozuar.

Përmes kërcimit të menjëhershëm në këndin e mjegullimit justifikues, duke e disorientuar shkakun me anë të pushteteve të kaluara që na kishin lënë më shumë gropa sesa që ne ishim të aftë për t’i mbuluar, ky pushtet e pranoi që, aq sa ishte qëllimmirë, aq edhe ishte i paaftë. Edhe pse në fund të fundit, gropa mund të kishte qenë natyrale, pyetja që askush nuk e shtroi ishte: pse vendet e rrezikshme pajisen me paralajmëruesit kuq-e-bardh vetëm a posteriori? Ose: pse aksidenti dhe humbja e jetës duhet t’i paraprijnë sigurisë?

Derisa po e shkruaj këtë artikull, mbi Kurriz në Dardani, armatura e zbuluar dhe e pashënuar, që natën e kamufluar me terr pret një qytetar të hutuar për t’u ngulur në të, është mrekullia e një punëkryesi të kontraktuar nga “pushteti i mendësisë tjetër”. Përtej faktit që e ka bërë mut gjithë platonë duke na krijuar edhe ca stuhi rëre derisa në ambient të hapur, në ditët me më së shumti erë, i hiqte pllakat e vjetra me bagerë, as sot nuk e ka vënë rrethimin e përkohshëm, e as nuk do ta vëjë nesër. Pra, banorët do të ecin mbi material ndërtimor. Materiali dhe rrënojat në të gjithë vendin. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut: mund të ecësh nga ‘Bill Klintoni’ deri te Qeveria dhe t’i evidentosh dhjetëra shkelje flagrante të ligjit për siguri dhe shëndet. Kjo është nëse një i tillë ekziston! Lloj-lloj formash që presin viktimën e radhës, fakte të krimeve që ende nuk kanë ndodhur. Nga shkalla gjysmake, nëpër telin e varur si hardhi me gjemba, deri te shenja e trafikut për zyrën e KB-së, e fundit tamam për të ma prerë vetëm kapakun e kokës.

Moralistët e adhurimit të dorëheqjes nuk iu afrohen shkelësve të ligjit, pushteteve të kaluara, ashtu sikurse që edhe qendrori nuk i afrohet lokalit. Decentraliteti i pushtetit lokal, dorën në zemër, është lojë tezesh. Dhe, kushdo që të jeni në garën e zgjedhjeve të ardhshme për Prishtinë, aman mos ejani me premtime, pa e shqyrtuar ligjin mirë, implikimet e tij për kompetencat tuaja, rrjedhimisht juristikcionin. Mos të jenë në kampanjë problemet, por problemet që pamundësojnë zgjidhjen e problemeve. Një Komunë që i ka në dorë trotuaret, por jo rrugët e atyre trotuareve, nuk i duhet qytetarit të Prishtinës. Një Komunë që nuk e ka policinë e ndarë nga shteti dhe nën komandën direkte të Kuvendit Komunal, në funksion të inspektorit, nuk i duhet qytetarit të Prishtinës. Një Komunë që mundohet të na bindë se performon mirë duke e matur standardin me pushtetin e kaluar, nuk i duhet qytetarit të Prishtinës.

Në gjithë këto tragjedi, zhvendosja e fokusit nga përgjegjësia ligjore në atë morale, u bë duke e përdorur faktin e ilegalitetit. Por, a janë ndërtimet ku do të duhej të ishin, dhe a është përdorur ky zhavorr gjithashtu në mënyrë ilegale? Nëse jo, atëherë përgjegjësia nuk mund të jetë vetëm morale. Gjithashtu, po u morëm me rreziqet e infrastrukturës vetëm atëherë pasi që të jenë vrarë njerëzit, i bie sikur nuk e kemi as konceptin e masës parandaluese – atë çfarë e ndan një qytet nga një tokë e askujt.

Unë dua të qaj vetëm për fëmijët që ende kanë për të vdekur, nga pakujdesia jonë qenësore e mungesës së zbatimit të ligjeve, të sigurisë dhe të shëndetit!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.