Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Leçitja: dënim me vdekje shoqërore

Ilustrimi: Big Eye

E lindur në fillim të viteve të 90-ta, për leçitjen si fenomen vetëm kisha dëgjuar. Në javët e fundit megjithatë, pashë edhe se si duket një njoftim i tillë. Në fakt, tre. Tre njoftime për leçitje – dy në gazeta ditore, e një të vendosur në një shtyllë elektrike. Që të triat të pabesueshme. Publikisht njoftohej se filan fisteku leçit vajzën/djalin e tij.

Orientimi seksual, problemet financiare, ndërrimi i fesë, martesa me personin e “gabuar” janë disa nga arsyet pse prindërit sot leçitin fëmijët e tyre vetëm me anë të një njoftimi në gazetë. Ata shkruajnë emrin e mbiemrin, datën e lindjes e shpesh edhe numrin personal. I largojnë përgjithmonë nga familja, i largojnë nga shoqëria, nga njerëzit që njohin. Arsyeja është e thjeshtë – ata nuk janë ashtu siç ata do të donin që të ishin. Ose, kanë gabuar, e gabimi i tyre “ua ka marrë fytyrën” para njerëzve të tjerë. Thjeshtë, shumë thjeshtë ata janë të padenjë.

Shoqëria shqiptare leçitjen e parashihte me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Sipas tij, “me leçitë, me gojë të katunit, don me thanë: me da, me lanë mbas dore e me shkrepë njij shi, tuj i hekun çdo tagër, hir e nderë, si kah katundi, si kah Flamuri”. Nëse ti leçiteshe nga familja e nga katundi, më askush nuk rrinte me ty, nuk bënte tregti me ty, e madje as nuk mund të martoheshe. Me një fjalë, ti më nuk ekzistoje për askënd. Ai që rrinte me ty e bënte tregti me ty, do të leçitej po njësoj nga të gjithë.

Këtë fenomen në ditët e sotme shkenca e identifikon me emrin ostcracizëm. Nga shumë psikologë, trajtohet si problem mjaft serioz, madje më i rëndë se ngacmimi. Ostcracizmi nuk shfaqet vetëm në kuadër të familjes; ajo shfaqet kudo, në forma të ndryshme, duke filluar nga vendi i punës, shoqëria, e pastaj edhe shkolla. Psikologu Kipling Williams shkruan se personat që i nënshtrohen ostcracizmit/leçitjes kanë gjasa ta humbin vetëbesimin në nivel të lartë, të vuajnë nga depresioni apo të shfaqin agresivitet.

Shikuar nga aspekti juridik, sot në Kosovë janë të aplikueshme një mori ligjesh të cilat mbrojnë të drejtat fundamentale të njeriut, të garantuara me Kushtetutë e Konventa Ndërkombëtare. Në ato të drejta, padyshim përfshihet edhe familja, si një ndër shtyllat e shoqërisë, e cila përderia është kategori kushtetuese, konsiderohet e shenjtë në shoqërinë tonë. Duke qenë se familja tek ne ende mund të konsiderohet patriarkale, respektimi i vendimeve të më të vjetrit në familje edhe në rastet kur vjen kundër dëshirës së anëtarit të familjes është ende prezente.

Në familjet kosovare ende nuk vjen në shprehje jeta private e individit, që përfshinë të drejtën e privatësisë, të drejtën për të jetuar sipas dëshirës së një personi, por edhe të drejtën për të themeluar e zhvilluar marrëdhënie me persona të tjerë, posaçërisht në fushën emocionale, për zhvillimin dhe plotësimin e personalitetit të vet.

Pavarësisht faktit se marrëdhëniet familjare bazohen ndër të tjera edhe në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe se është përgjegjësi e të dy prindërve rritja dhe edukimi i fëmjëve të tyre nën moshën 18 vjeçare, prindërit dhe fëmijët detyrohen në ndihmë dhe konsideratë të ndërsjelltë gjatë gjithë jetës së tyre. Publikimi i njoftimeve për leçitjen e fëmijëve nga prindërit nuk përshtatet askund me frymën e respektimit, ndihmës dhe konsideratës së ndërsjelltë.

Në fakt, në kohën e sotme post-kanunore, ligjet tona e “mundësojnë” leçitjen në një formë e cila do të ishte më e pranueshme dhe që merr në konsideratë të drejtën e një personi për një integritet të pacenuar. Kjo formë moderne mundëson që një individi t’i merret e drejta për të trashëguar, por duke e trajtuar atë në mënyrë më humane.

Sipas Ligjit për Trashëgimi, ekziston një institucion që njihen me emrin “Trashëgimtarë të Domosdoshëm”. Me trashëgimtarë të domosdoshëm nënkuptohen pasardhësit e trashëgimlënësit, të adoptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, prindërit dhe bashkëshorti. Këta persona do të trashëgojnë gjithsesi nga pasuria e trashëgimlënësit. Mirëpo, çdo e drejtë ka përjashtimet e saj. Kështu, parashihet një numër i caktuar kushtesh me anë të të cilave një person mund të konsiderohet i padenjë për të trashëguar, si: në rast se me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë trashëgimlënësin, është sjellë ndaj trashëgimlënësit në mënyrë poshtëruese dhe e ka keqtrajtuar atë, apo nuk e ka përmbushur detyrimin për të mbajtur apo ndihmuar trashëgimlënësin.

Të gjitha këto procedura, gjithmonë për të pasur efekt, duhet t’i drejtohen gjykatës, e cila si organ me detyrë kryesore vendosjen e drejtësisë, do të shqyrtojë pretendimet e secilit dhe do të vendosë në fund, në bazë të fakteve, provave dhe bazës ligjore – e sidomos duke i respektuar të drejtat e të gjitha palëve të përfshira. Publikimi i njoftimeve të tilla në gazeta, përveç që është i pavlefshëm në aspektin juridik, ajo dëmton rëndë integritetin, prestigjin, pozitën e personit në shoqëri e mbi të gjitha dëmton rëndë raportet e tij me njerëzit e tjerë.

Shoqëria kosovare ende përpiqet të dalë nga shoqëria faresfinore. Ajo mëton drejt një shoqërie më individualiste ku të drejtat e secilit individ do të respektoheshin. Për të arritur te kjo, secili nga ne duhet të ketë dijeni për të drejtat e tij/saj, por në të njëjtën kohë edhe për detyrimet. Ne duhet të dijmë e kuptojmë përfundimisht se të gjithë personat gëzojnë trajtim të barabartë të të drejtave dhe detyrimeve të parapara me Kushtetutë e ligjet në fuqi. Se nuk duhet të ketë diskriminim ndaj asnjë personi në bazë të gjnisë, moshës, gjendjes financiare, gjuhës, paaftësisë mendore e fizike apo orientimit seksual. Është në kuadër të obligimeve shtetërore, që ato të kujdesen për qytetarët e saj, që të mos u shkelen të drejtat e garantuara, por edhe në të njëjtën kohë që secili të arrijë t’i përmbahet edhe detyrimeve që ka ndaj familjes, shoqërisë e shtetit.

Fenomenet si leçitja vijnë nga një mentalitet i vjetër, andaj nuk mund ta mendojmë çrrënjosjen e tyre pa e menduar një shtet që shton kujdesin ndaj qytetarëve dhe mbron familjet; mësuesit në shkolla i mësojnë e edukojnë nxënësit e tyre në frymën e tolerancës ndaj të gjithëve pa dallim; si dhe prindërit në shtëpi, rrisin e edukojnë fëmijët duke i besuar dhe pranuar zgjedhjet e tyre në jetë, edhe pse ato shpesh mund të mos u pëlqejnë.

Duke mos qenë aktiv për ta ngritur vetëdijen për pasojat e këtij fenomeni, përveç tjerash, ne lejojmë thellimin e leçitjes edhe në fusha të tjera të jetës. Numri i viktimave të këtij fenomeni do të rritet, ne do të kontribuojmë në krijimin e një shoqërie edhe më paragjyuese dhe pikërisht këta persona do t’i dënojmë me vdekje shoqërore.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.