Mora edhe unë mundin t’i bashkohem debatit rreth gjetjes së pozicionit më të volitshëm politik dhe diplomatik të Kosovës në sistemin anarkik ndërkombëtar.
Duke u nisur nga premisa bazë e marrëdhënieve ndërkombëtare se politika e brendshme e reflekton politikën e jashtme të një vendi të caktuar, dhe anasjelltas, më duhet të potencoj faktin që rëndësia që duhet t’i jepet zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit dhe demokratizimit shoqëror dhe institucional përbën rëndësi substanciale për të lehtësuar rrugën e Kosovës në gjetjen e një pozicioni të volitshëm në këtë sistem, mjaft të ndërlikuar ndërkombëtar – të karakterizuar me pabarazi fuqish dhe lakmish të tejskajshme në shtrirjen e ndikimit gjeopolitik, të shteteve të fuqishme karshi atyre më të vogla.
Duhet ta potencojmë faktin që partneriteti i shteteve të vogla me ato të mëdha, kryesisht bëhet duke u bazuar në rrethanat momentale dhe kurrsesi në rrethanat që përbëjnë substancialisht interes afat-gjatë. Sidomos partneriteti i shteteve në zhvillim dhe atyre të varfra, apo shtetet që gjenden buzë dështimit – bëhet gjithnjë mbi bazën momentale gjeografike, apo ekonomike (apo si pasojë e rajonit që mund të përbëjë rëndësi strategjike për të adresuar një problem madhor ndërkombëtar ose si pasojë e ndonjë marrëveshjeje financiare për ndonjë tender publik). Ndërkohë, në shumicën e rasteve, jetëgjatësia e interesave dypalëshe në mes të ndonjë shteti të fuqishëm dhe ndonjë shteti të vogël, e të fuqishëm, kryesisht përkon me paralelizimin e respektimit dhe zbatimit të vlerave demokratike, forcimit të shtetit ligjor si dhe zhvillimit të një ekonomike të diversifikuar dhe gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë, shtetet si, ta zëmë, Zvicra apo Izraeli, nganjëherë edhe mund ta kundërshtojë politikën e jashtme të shteteve të mëdha pikërisht pse ato tanimë e kanë të konsoliduar demokracinë shoqërore dhe institucionale, sundohen nga ligji si dhe janë me potencial të madh të zhvillimit ekonomik. Në këto raste, shtetet e mëdha hezitojnë t’i përdorin këto shtete të vogla, por të konsoliduara, si levë për ndonjë taktikë gjeopolitike me rezultate afatshkurtra.
Psh, Izraeli konsiderohet si shteti që më së shumti i injoron rezolutat e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, dhe rrallë herë dëgjojmë, për të mos thënë kurrë, që ky shtet penalizohet për mosrespektim të vendimeve të organit më të fuqishëm të OKB-së.
Ndërkohë, përderisa Kosova përbënte, para periudhës së shpalljes së pavarësisë, potencial destabilizues për rajonin, bashkësia ndërkombëtare ishte në anën e saj, duke insistuar që ajo duhet ta gëzojë të drejtën për ta shpallur pavarësinë. Ndërkohë, tanimë që puna e pavarësisë është kryer, projeksioni i potencialit destabilizues i ka kaluar Serbisë. Kjo për arsye se Serbia – gjeografikisht, territorialisht, ekonomikisht dhe politikisht është më përpara se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në të njejtën kohë, ka potencial më të madh destabilizues. Duke e marrë për bazë tanimë luftën diplomatike në mes të Rusisë dhe Perëndimit, – Serbia përbën karremin më të rëndësishëm gjeopolitik, pas Ukrainës. Arsyeja qëndron në atë se duhet bërë të mundur shkëputjen nga ndikimi rus dhe kështu integrimin e saj në strukturat euroatlantike, në njërën anë, dhe në anën tjetër, Rusia që mëton të ruajë apo të shtrijë edhe më tutje ndikimin e saj në mënyrë që të sabotojë procesin integrues si parakusht për destabilizimin e situatës.
Interesi primar diplomatik i Kosovës është qeverisja e mirë. Kjo pastaj automatikisht do ta konsolidojë pozicionin strategjik diplomatik të saj: forcimin e subjektivitetit të saj juridik, anëtarësimin në organizmat multilateral si dhe arritjen e synimeve për të bërë të mundur avancimin e axhendës për zhvillimin e mëtejshëm ekonomiko-shoqëror. Çdo variant tjetër, i cili nuk e merr në konsideratë zhvillimin e brendshëm, është i destinuar t’i shërbejë momenteve në rrethanat e ndërlikuara të sistemit anarkik ndërkombëtar, dhe poashtu është i destinuar të sjellë rezultate të vogla dhe përgjithësisht të paqëndrueshme në aspektin afatgjatë.
Ndërkohë, përderisa vazhdon kapja e shtetit, pengohet procesi i krijimit të shtetit ligjor si dhe kemi një ekonomi të dobët, Kosova do të detyrohet t’i shërbejë obligimeve ndërkombëtare duke vazhduar të sakrifikohet edhe më shumë, në mënyrë që të bëhet e mundur inkorporimi sa më parë i Serbisë në konjukturën perëndimore.