Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Marrja: Mjet i dështuar për parandalimin e vetëvrasjeve

Ilustrimi: Big Eye

Marrja: Mjet i dështuar për parandalimin e vetëvrasjeve

Kur dikush në shoqëri vepron në një mënyrë që nuk përshtatet me dëshirat e grupit, ne si njerëz i kemi disa mjete sociale të cilat i qesim në përdorim në mënyrë që të “korrigjojmë” sjelljen e personit kundërvajtës. Dënimi njihet si metoda më e shpeshtë dhe më e ashpër – kur dikush i shkel rregullat e ngurta të cilat i kemi vendosur (qoftë në shtëpinë tonë apo në rrugë) e pret dënimi si komunikatë për individin dhe spektatorët që diçka e tillë është e papranueshme. Një formë e dënimit është edhe marrja: rreziku i largimit të personave të cilët shfaqin sjellje që për shoqërinë e tyre janë të papranueshme.

Si rast konkret, në shumë shoqëri konsiderohet marre nëse një person i ri nuk ia lëshon karrigen në autobus një personit të moshuar. Në mënyrë të përgjithshme ka meritë: indirekt e promovon një shoqëri ku një grup i personave që ka nevojë për kujdesie (të moshuarit) i jepet ajo për të cilën kanë nevojë, pra ulëse që mos ta lodhin veten. Spektatorët përreth e kuptojnë që ky veprim ka pasoja negative në qëndrimin e tyre social, gjë e cila personi i dënuar e përjeton drejtpërdrejt. Marrja del të jetë goxha efektive.

Ku humb efektiviteti i marres është kur përdoret si mjet në çdo situatë të mundshme. Varësisht se ku jeton: marre o’ burri me i thonë fëmiut t’vet që e don; marre o’ çika me u “cullakav”; marre o’ me folë për probleme t’veta se “p’i bon t’mdhaja”; marre për vajza me folë për menstruacionet; marre me e pasë gruaja rrogën më të lartë se burri; marre me i ngjyros flokët me ngjyra “pa lidhje”; marre me folë për ndjenjat e tua; marre me ndje dobësi; marre mos me punu mirë në shkollë; marre ad infinitum.

Marrja përdoret si të ishte mjet me shumë shërbime, pavarësisht se a kryen funksion të duhur apo jo. Shpeshherë kjo shkakton shtypje personale për gjëra shumë të imëta të cilat nuk luajnë fare rol produktiv në shoqëri (“S’po m’besohet që djali jem i ka ngjyros flokt e kaltra”). Dëmet që shkaktohen kur marrja përdoret në vende të gabuara janë të panumërta, si me e shfrytëzu një çekiç për me bo operacion në zemër. Nuk ka rast më të mirë për të ilustruar dëmin sesa kur shfrytëzohet si mjet për parandalimin e vetëvrasjes.

Pa problem gjenden raste të tilla, si shembulli i mëposhtëm:

Image

 

Si kontekst: Personi në pyetje shkruan se si ndihet e stresuar nga familja – konkretisht baba, deri në pikën kur mendon për vetëvrasje. Shkrimi origjinal është thirrje për ndihmë; personi që e ka shkruar e ka një problem që nuk ka mund ta zgjidhte vetë, prandaj kërkon mendimet e tjerëve që t’i gjejnë përgjigje. Është absurde që kur dikush kërkon ndihmë shpesh herë përgjigja është e llojit të “Qysh bre s’po din!?” e dyfish më shumë vlen për raste të vetëvrasjes.

Kur shkruhen ose thuhen mesazhe të këtilla me qëllim thurjen e ndjenjës së marres në personin të cilit i drejtohen, autori e krijon ndjenjën në veti se iu ka qasë problemit në bazë, që në perceptimin e tyre janë mendimet e konsideruara tabu, të papërshtatshme për shoqërinë. Vazhdon me jetën e vet, së pari t’u ndje’ nervoz sesi dikush ka guxu me pasë mendime të këtilla, së dyti duke u gzu me vetën qysh e ka “qit n’ven”, ose në raste jashtëzakonisht deluzionale tu e uru vetën se qysh e ka shpëtuar personin në pyetje nga vetëvrasja. E ka shpjeguar se vetëvrasja në shoqërinë tonë është e pa pranueshme, prandaj nuk duhet të ketë ksi mendime – ngjashëm si me i lajmru pacientët në spital që nuk është në rregull me qenë të sëmurë nga kanceri, kështu që më mirë të ndërrojnë situatën e tyre. Personi që i nënshtrohet këtyre gjykimeve ndërkohë merr mësim tjetër: “Deri sa nuk foli për këto mendime, askush nuk më qorton.”; problemi qëndron i pazgjedhur, që rrjedhimisht e krijon ndjenjën pa shpresë e cila i përforcon mendimet për vetëvrasje, ama me “sukses” është ndalur diskutimi dhe kërkimi i zgjidhjes të problemit.

Nuk është boll me i thanë njerëzve që kanë nevojë për ndihmë që të flasin për problemet e tyre kur pranohen reagime të tilla si përgjigje. Duhet të krijohet një ambient ku fjala e parë që del prej gojës sonë nuk është gjykuese dhe nënçmuese, sidomos për probleme që mund të kenë pasoja kaq të mëdha. Nëse veç jemi kaq këmbëngulës që të largojmë njerëz, së paku mos të jenë ata që kanë më së shumti nevojë për ndihmë. Ndoshta në vend të asaj kish dashtë të drejtohet marrja tek persona që sillen kaq ashpër me njerëz të cilët shpeshherë thjesht kanë nevojë që të ndihen të dëgjuar!

—-

Klinika UNI – Qendër për këshillim, testim dhe vlerësim psikologjik

Nuk je vet – Këshillim online për të rinjët

CEL – Këshillime falas për komunitetin LGBT

I fight depression – Informata rreth Depresionit

Qendra Psiko-Sociale per Trauma Terapi, Diakonie Kosova – Shërbime falas për trauma terapi

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.