Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi çështjet e mëdha dhe çështjet e vogla

Nuk kalon as dhe një ditë e lume që ndonjë analist a gazetar nuk përkujdeset për të kritikuar subjektet opozitare pse ato po merren me çështje madhore, si puna e dialogut me Serbinë, demarkacionit me Malin e Zi, bashkimit të Mitrovicës, Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, e të tjera e të tjera – dhe jo me çështje të tjera si puna e korrupsionit, krimit të organizuar, papunësisë, varfërisë, e kështu me radhë.

Natyrisht, duke e përsëritur këtë akuzë të vjetër që u bëhet subjekteve opozitare, në përgjithësi, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në veçanti, këta po duan të na bindin se çështjet madhore janë më pak të rëndësishme se çështjet e tjera; dhe se vetëm këto të fundit, sipas tyre, duhet konsideruar probleme reale të qytetarëve, ndërkaq këto të parat, çështjet madhore, thjesht si fantastiko-shkencore të Opozitës. Mirëpo, po që se e analizojmë më me vëmendje këtë ndarje arbritrare midis çështjeve madhore, në njërën anë, dhe çështjeve të tjera, në anën tjetër, e kuptojmë se janë këta, e jo Opozita, në fakt, ata që duhet akuzuar pse po e konceptojnë korrupsionin, krimin e organizuar, papunësinë, varfërinë, etj., si çështje të vogla e të dorës së dytë.

Në ç’kuptim?

Në kuptimin që, duke deklaruar se partitë opozitare janë duke u marrë vetëm me çështje madhore si puna e dialogut me Serbinë, demarkacionit me Malin e Zi, bashkimit të Mitrovicës, si dhe Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe; kurse jo me çështje të tjera si puna e korrupsionit, krimit të organizuar, varfërisë, papunësisë, e kështu me radhë, këta sikur dhe vetë po sugjerojnë se këto çështjet e fundit janë çështje më të vogla në krahasim me të parat, apo jo? Ndryshe, do t’i quanin edhe këto çështje madhore, apo jo?

Natyrisht, sikur të deklaronin të kundërtën e kësaj – që partitë opozitare janë duke u marrë me gjëra jo gjithaq të rëndësishme (shembull, demarkacioni me Malin e Zi, dialogu me Serbinë, bashkimi i Mitrovicës, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe, etj.); dhe jo me çështje madhore si puna e korrupsionit, krimit të organizuar, varfërisë, papunësisë, e kështu me radhë – do të mund të thonim që, në kandarin e tyre, këto çështje vërtet peshokan shumë; meqë çështjet e para po i konsiderokan tema jo gjithaq të rëndësishme, ndërkaq këto të fundit si çështje të rëndësishme, të mëdha, madhore, a ku ta di unë i shkreti se çfarë tjetër.

Mirëpo, duke insistuar se çështje madhore janë vetëm këto që ngre Opozita, këta sikur po na sugjerojnë edhe vetë në mënyrë të tërthortë se këto çështjet e tjera (korrupsioni, krimi i organizuar, varfëria, papunësia, etj.) janë në të vërtetë çështje të rëndësisë së dytë a të tretë, apo jo?

Për më tepër, po të dekonstrukojmë linguistikisht këtë togfjalëshin e famshëm: çështje madhore, situata bëhet dhe më e qartë, besoj. Siç e dimë, në gjuhën shqipe (por jo vetëm), mbiemri ‘madhor’ nënkupton, në mes të tjerash, diçka që ka vlerë a rëndësi shumë të madhe (p.sh., vepër madhore); dhe, gjithashtu, diçka që nuk arrin me e shmang dot. Me fjalë të tjera, diçka që nuk varet nga dëshira por që të detyron të merresh me të, të sillesh a të veprosh në një mënyrë të caktuar (p.sh., shkaqe madhore, arsye madhore, fuqi (forcë) madhore, e kështu me radhë.

Pra, në një farë mënyre, duke insistuar se Opozita është duke u marrë me çështje madhore, e jo me çështje të tjera, këta sikur po i bëjnë një kontribut të madh Opozitës; pasi që kauzat kryesore të saj po i lartësojnë si çështje me vlerë e me rëndësi të jashtëzakonshme. Dhe, po ashtu, po e pranojnë në mënyrë indirekte se çështjet e ngritura nga ana e Opozitës janë çështje jetike që nuk mund t’i shmangin dot, edhe po të duam ne që ato të jenë të anashkalueshme.

Por, personalisht, unë e kam të qartë qëllimin e kësaj akuze që u bëhet subjekteve opozitare. Qëllimi është që, përmes konstruktimit të një akuze të tillë, të mbyten zërat opozitarë kundër dialogut pa kushte me Serbinë; kundër versionit të tanishëm të demarkacionit; kundër themelimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe; dhe, kësisoj, t’u mundësohet qeveritarëve të korruptuar të realizojnë projektet e tilla të dëmshme në Republikën e Kosovës.

Ndryshe, si shpjegohet që, çdo herë, ama çdo herë që na vinë projekte të dëmshme për Republikën e Kosovës, këta çohen e flasin për papunësinë, varfërinë, korrupsionin, krimin e organizuar, ekstremizmin fetar, e kështu me radhë? Kurse në momentin që tema të tilla nuk ekzistojnë, këta nuk i sheh duke folur më rreth këtyre problemeve. Thënë ndryshe, pse duhet riaktualizuar secilën herë diskutimin për nivelin e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar, papunësinë, varfërinë, e kështu me radhë, vetëm kur projekte të mëdha e të dëmshme i kërcënohen Republikës së Kosovës? [i]

E, të mos flasim se, të njëjtit njerëz që sot akuzojnë subjektet opozitare që nuk po flasin për nivelin e lartë të korrupsionit e krimit të organizuar, dje i kritikonin vetë ato pse flisnin për problemet e tilla, duke u thënë se janë të korruptuara; që i kanë “kauza të rrejshme” për të fituar pushtetin, që janë duke e shfrytëzuar mjerimin socio-ekonomik të qytetarëve të vendit, e të tilla mualife si këto që vetëm mendjet e tyre të përçudnuara mund të pjellin në diskursin mediatik.

Prandaj unë, personalisht, nuk kam asgjë tjetër për këto krijesa që bëjnë akuza të tilla përveç neverisë e përbuzjes.

Njerëz që, siç do të shprehej një shkrimtar i madh rus, e rëndojnë tokën thjesht kot së koti.

_________________
[i] Me këtë, sigurisht, nuk nënkuptoj që problemet e tilla janë më pak të rëndësishme, ose, larg qoftë, të parëndësishme. Ajo që jam duke kritikuar këtu është thjesht instrumentalizimi i problemeve të tilla për të justifikuar zbatimin e projekteve të dëmshme në kurriz të Republikës së Kosovës. Apo, në rastin më të mirë, për t’iu sipërvendosur aktualitetit politik e historic nëpër të cilin po kalon momentalisht Republika e Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.