Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi një kundërthënie logjike të z. Latifi kundër z. Kurti

Ilustrimi nga Big Eye.

Në një debat televiziv, të mbajtur në Televizionin T7 para ca ditësh, ish-profesori im i Filozofisë, Blerim Latifi, i pyetur nga gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Pressing,” Leonard Kerquki, se pse z. Kurti nuk bëka për kryeministër të Republikës së Kosovës, u gjegj si në vijim:

“Pse Albin Kurti nuk bën të jetë kryeministër i Kosovës? [Sepse] Albin Kurti, gjatë krejt karrierës së tij prej politikani, nuk ka arritur kurrë me kriju një qëndrim të qartë rreth shtetit të Kosovës. Albin Kurti, sot, nuk ka qëndrim të qartë rreth shtetit të Kosovës, identitetit të shtetit të Kosovës. Ai ende ka probleme me statusin e pavarësisë, i cili është shpallë në 2008. Ai ende ka problem me identitetin e këtij shteti. Ai ende nuk dinë cka me bo me flamurin e Kosovës, ti po don me bo kryeministër?… Ai nuk ka raport të qartë me Kushtetutën e këtij vendi. Si mundet me qenë ai kryeministër? Si mundet qytetarët me ia besu postin e kryeministrit? Ai duhet t’i qartësojë njëherë këto gjëra, të na bindë neve, jo mu, qytetarëve, se ai nuk ka probleme ideologjike, konceptuale, politike, institucionale me shtetin…. Si i tillë ai nuk mund të jetë kryeministër i Kosovës.”

Sakaqherë, më shkoi mendja ta pyes ish-profesorin tim: Nëse z. Kurti nuk ka një “qëndrim të qartë rreth shtetit të Kosovës,” siç ju po pretendoni, si ka mundësi që, në të njëjtën kohë, konkludoni se “ai ka probleme me shtetin e Kosovës?” Prej nga ky konstatim, ky konkludim i juaj? Pse, ta zëmë, mos ta marrim të ashtuquajturin “qëndrim të paqartë” të z. Kurti se nuk ka problem me shtetin e Kosovës, por pikërisht që ka probleme me të? Në instancë të fundit, nëse themi se z. Kurti ka probleme me shtetin e Kosovës, pavarësinë, simbolet, himnin, reprezentacionin e futbollit, Kushtetutën, etj., nuk po ngelë asgjë e paqartë rreth qëndrimit të tij, apo jo? Kjo, në terma filozofikë, është një kundërthënie logjike, paçka një lexues i Filozofisë, siç është puna e z. Latifi, nuk do të duhej ta bënte.

Për më tepër, nëse z. Kurti ka probleme me shtetin e Kosovës, siç po thuhet nga z. Latifi dhe analistë të tjerë, si ka mundësi që, në të njëjtën kohë, këta e akuzojnë z. Kurti se, kur flet për bashkim me Shqipërinë, e “bën thjesht për vota, për populizëm, për t’i mashtruar qytetarët,” etj., e jo pse njëmend e mendon një gjë të tillë? Megjithatë, a nuk është pikërisht pozicioni pro bashkimit me Shqipërinë arsyeja pse kundërshtarët e z. Kurti e akuzojnë atë që ka probleme me shtetin e Kosovës në rend të parë? Nëse po, çfarë kuptimi ka ta akuzosh, atëherë, se këtë e bën sa për sy e faqe? Nga ana tjetër, në qoftë se themi se z. Kurti njëmend nuk e dëshiron bashkimin me Shqipërinë, siç po thonë kundërshtarët e tij, por e ka thjesht për vota, atëherë po i bie që z. Kurti nuk paska kurrfarë problemi me shtetin e Kosovës, në sensin që i atribuohet nga kritikët e tij.*

Në analizë të fundit, çfarë logjike ka ta akuzosh dikë në politikë se mëton “zhbërjen e shtetit të Kosovës,” sepse synoka bashkimin me Shqipërinë. Ndërkohë që, kur është në pyetje pikërisht tema e bashkimit me Shqipërinë, thuhet se ai këtë e bën për vota, e jo pse e mendon një gjë të tillë seriozisht? Kundërthënie më të madhe se kjo, nuk arrij të gjej dot.

—–

* Personalisht, kurrë nuk kam arritur ta rrok mendërisht sesi përpjekja historike e shqiptarëve të Kosovës për bashkim me Shqipërinë na presupozoka “zhbërjen e shtetit të Kosovës.” Kur, në fakt, vetë shteti i Kosovës është arritur falë sakrificës së atyre (i.e. dëshmorëve të kombit) që synonin pikërisht bashkimin kombëtar. Nejse, kjo është një çështje që meriton një shkrim në vete, dhe nuk e kam ndërmend ta shtjelloj këtu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.