Më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Serbia u dakorduan të respektojnë planin e ri të BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes tyre. Një ndër pikat kyçe të marrëveshjes është pika 7, që flet për “vetëmenaxhim” të komunitetit serb, duke iu referuar marrëveshjeve të mëhershme relevante që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka propozuar 15 modele të ndryshme për rregullimin e të drejtave të pakicave për të shërbyer si frymëzim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (AKS).
Në Europë dhe gjetiu janë përdorur disa modele të menaxhimit të konfliktit dhe rregullimit të të drejtave të komuniteteve ose pakicave kombëtare. Këto përfshijnë federalizmin, konsociacionalizmin, regjionalizmin, devolucionin dhe decentralizimin.
Federalizmi është sistem qeverisjeje ku pushteti ndahet ndërmjet një autoriteti qendror dhe njësive rajonale si republikat, shtetet ose provincat. Kurse, konsociacionalizmi është sistem qeverisjeje që synon të promovojë paqen dhe stabilitetin në shoqëritë e ndara, duke arritur marrëveshje për ndarjen e pushtetit midis grupeve të ndryshme etnike, fetare ose sektare.
Regjionalizmi apo autonomia rajonale nënkupton rastin në të cilin një rajoni ose njësie nënkombëtare brenda një vendi i jepet një shkallë e konsiderueshme e autonomisë politike, administrative dhe financiare për të qeverisur veten në fusha të caktuara. Ndërsa devolucioni i referohet transferimit të pushtetit politik dhe autoritetit vendimmarrës nga një qeveri qendrore në njësi të nivelit më të ulët të qeverisjes si shtetet, provincat, regjionet ose bashkitë lokale.
Në fund, decentralizimi etnik komunal i referohet transferimit të kompetencave politike, administrative dhe financiare nga qeveria qendrore në komunat me një identitet të caktuar etnik ose kulturor.
Një nga format më të përhapura në Europë është regjionalizmi (i kombinuar me devolucion të kompetencave) që u ka sjellë autonomi regjioneve të ndryshme me tipare të veçanta kulturore, etnike apo gjeografike. Disa shembuj janë Ishujt Aland në Finlandë, komuniteti gjerman-folës në Belgjikë, komuniteti sami në vendet nordike dhe komuniteti shqiptar në Maqedoninë e veriut.
Ka shumë modele që janë implementuar, disa më të suksesshme se të tjerat. Mirëpo, cili nga këto modele mund t’i shërbejë Kosovës më së miri?
Shembulli 1: Ishujt Aland në Finlandë (Regjionalizmi dhe devolucioni)
Ishujt Åland janë një arkipelag në Detin Baltik, midis Suedisë dhe Finlandës, që janë kryesisht suedisht-folës dhe kanë një kulturë dhe identitet të veçantë. Ata gëzojnë një shkallë të lartë të autonomisë brenda Finlandës, e cila është e sanksionuar në Ligjin e Autonomisë Åland. Për dallim nga shembulli i dytë më poshtë, Ishujt Aland nuk janë njësi federale, sepse Finlanda është shtet unitar, por janë vetëm një rajon autonom.
Sipas marrëveshjes së autonomisë, Ishujt Åland kanë parlamentin e tyre, të quajtur Lagting, dhe qeverinë e tyre, të njohur si Qeveria Åland. Lagtingu ka pushtet të nxjerrë ligje për një sërë çështjesh, duke përfshirë gjuhën dhe kulturën, taksat, pushtetin vendor, sistemin gjyqësor dhe përdorimin e burimeve natyrore në rajon. Qeveria e Ålandit ka autoritetin për t’i zbatuar këto ligje, si dhe për të menaxhuar buxhetin dhe financat e ishujve.
Shembulli 2: Komuniteti gjerman-folës në Belgjikë (Federalizmi dhe konsociacionalizmi)
Komuniteti gjermanisht-folës në Belgjikë është një nga tri komunitetet federale në vend, së bashku me Komunitetin flaman dhe atë francez. Komuniteti gjermanishtfolës përbëhet nga nëntë komuna në lindje të Belgjikës, ku banojnë afërsisht 77,000 njerëz, shumica e të cilëve flasin gjermanisht.
Këtij komuniteti iu dha autonomia komunale më 1973, që i lejon atij të menaxhojë punët e veta në fusha të tilla si kultura, arsimi e shëndetësia. Komuniteti ka parlamentin dhe qeverinë e vet dhe ligjet e rregulloret e tij njihen nga shteti belg. Gjithashtu, regjioni i Vallonisë i ka transferuar kompetenca këtij komuniteti në fushat e trashëgimisë kulturore, arkeologjisë, punësimit, mbikëqyrjes së Këshillit të Kishës, mbikëqyrjes së komunave dhe distrikteve policore, financimit të komunave dhe mbikëqyrjes së funeraleve dhe varrezave.
Megjithatë, Komuniteti nuk ka kontroll të plotë mbi përdorimin e gjuhës në administratë sepse të gjitha komunat janë komuna me shërbime gjuhësore në frëngjisht. Kohëve të fundit janë shtuar kërkesat për të krijuar një regjion të veçantë (në nivel të regjioneve tjera Vallonisë, Flandrës dhe Brukselit) për t’i dhënë më shumë të drejta komunitetit gjermanofon.
Shembulli 3: Komuniteti “sami” në vendet nordike (Decentralizimi)
Ky shembull dhe ata më poshtë janë raste të decentralizimit për dallim nga regjionalizmi në Finlandë dhe federalizmi në Belgjikë. Në Europë, komuna me kompetenca të zgjeruara gjenden në zonat me popullsi sami në Norvegji, Suedi dhe Finlandë. Populli sami është një grup indigjen që banon në pjesët veriore të Norvegjisë, Suedisë, Finlandës dhe Rusisë.
Komunat me shumicë samite janë qeveri lokale në Norvegji, Suedi, dhe Finlandë, që përfaqësojnë interesat e popullit vendas sami. Kompetencat e këtyre komunave ndryshojnë në varësi të vendit dhe kornizës ligjore në të cilën ato gjenden. Përgjithësisht, komunat sami kanë të njëjtat kompetenca si komunat e tjera, të tilla si përgjegjësia për arsimin, shëndetësinë, mirëqenien sociale, planifikimin hapësinor dhe mbrojtjen e mjedisit.
Përveç kësaj, ato kanë edhe disa kompetenca specifike që lidhen me kulturën dhe gjuhën sami, si p.sh. promovimi i gjuhës dhe kulturës sami, mbrojtja e vendeve të trashëgimisë sami dhe menaxhimi i kopesë së drerëve. Parlamenti sami në Norvegji ka gjithashtu autoritetin për të këshilluar qeverinë për çështje që lidhen me popullin sami. Duhet theksuar se populli sami nuk e përbën shumicën në të gjitha komunat ku ata ushtrojnë të drejtat e tyre.
Shembulli 4: Komuniteti shqiptar në Maqedoninë Veriore (Decentralizimi)
In the latest Maqedoninë Veriore është përdorur decentralizimi për të menaxhuar konfliktin etnik (Marrëveshja e Ohrit, 2001). Ngjashëm me komunat suedisht-folëse në Finlandë (jashtë Ishujve Aland), dhe komunat e komunitetit Romansh në Zvicër, aty është sanksionuar e drejta e përdorimit të gjuhës në bazë të përqindjes së popullsisë (mbi 20%).
Për dallim nga komunat me shumicë serbe në Kosovë, komunat e banuara me shqiptarë në Maqedoninë Veriore nuk kanë kompetenca të zgjeruara në të njëjtën masë. Kurse, ngjashëm me Kosovën, aty në disa raste janë krijuar komuna të reja për të siguruar shumicë shqiptare.
Provizionet e tjera kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave kulturore dhe decentralizimin e pushtetit. Marrëveshja parashikonte decentralizim më të madh të pushtetit për autoritetet vendore. Njëkohësisht, ka dispozita për përfaqësim më të madh në institucionet qeveritare dhe publike në të gjitha nivelet, duke përfshirë forcën policore dhe administratën publike. Kombinimi i decentralizimit me përfaqësimin më të madh në nivelin qendror, pa ndonjë nivel të mesëm rajonal, i ngjason rastit të Kosovës.
Regjionalizmi vs municipalizmi: Mësimet për Kosovën
Në literaturën e menaxhimit të konfliktit diskutohen përparësitë dhe mangësitë e modeleve të ndryshme dhe ka një debat më të ngushtë mes regjionalizmit dhe municipalizmit. Shpeshherë decentralizimi shihet si mënyrë e mirë e menaxhimit të konfliktit.
Për shkak të frikës nga secesionizmi, regjionalizmi shihet si lehtësues dhe zbutje e lëvizjeve secesioniste, sidomos kur regjionet në fjalë kanë përkrahjen e një shteti nga jashtë, siç shihet edhe te rasti i Republika Srpskas në Bosnjë. Ky paralajmërim është shumë relevant për Kosovën, për shkak të ndërhyrjes së vazhdueshme të Serbisë në Kosovë dhe ndikimit të madh të saj në komunitetin serb të Kosovës.
Në rastin e Kosovës ka një kombinim të konsociacionalizmit (p.sh. ulëset e garantuara për pakicat në Kuvend dhe Qeveri) dhe decentalizimit etnik si model i rregullimit të të drejtave të komuniteteve. Në Kosovë, decentralizimi është shoqëruar edhe me krijimin e komunave të reja dhe ndryshimin e kufijve të komunave.
Përgjithësisht janë të rralla vendet ku komunave u janë dhënë shumë kompetenca të zgjeruara si në Kosovë, ku përfshihet edhe shëndetësia sekondare dhe arsimi i lartë. Rasti më i përafërt me Kosovën është ai i Maqedonisë Veriore. Asnjë nga rastet nuk përbën një asociacion komunash të tillë si pretendohet të formohet në Kosovë. Nuk është e rastësishme pse presidenti Ahtisaari kishte përdorur një qasje municipaliste (në bashkëdyzim me konsociacionalizmin) për menaxhimin e konfliktit në Kosovë.
Krijimi i një regjioni autonom për serbët e Kosovës, përmes një AKS-je që do t’ua merrte kompetencat komunave, do ta nxiste secesionizmin. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të krijohet një AKS që nuk i merr kompetencat nga komunat anëtare por që vetëm u ndihmon atyre në ushtrimin e atyre kompetencave.
Një mësim shumë me rëndësi është se në dy shembujt relevantë të Belgjikës dhe Finlandës nuk ka pasur ndërhyrje të shteteve përkatëse si Gjermania dhe Suedia, për t’i nxitur komunitetet gjermanisht-folëse dhe suedisht-folëse për të kërkuar secesion. Shembulli (1 dhe 2) i këtyre dy shteteve duhet të shërbejë si model frymëzimi për sjelljen e Serbisë si “shtet i afërm” (kin state) i komunitet serb të Kosovës.