Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mungesa e informacioneve nga ana e prindërve ndikon negativisht në zhvillimin e fëmijës

Kujdesi prindëror në fëmijërinë e hershme është një faktor vendimtar, që ndikon në zhvillimin e aftësive kognitive (p.sh., perceptimi, të menduarit, të mësuarit, zgjidhja e problemeve) dhe jokognitive (p.sh., motivimi dhe ndërveprimi personal).

Literatura në fushën e psikologjisë tregon se mungesa e kujdesit të duhur prindëror dhe mungesa e informacioneve të sakta për rëndësinë e fëmijërisë së hershme ndikon negativisht në zhvillimin e fëmijës, përfshirë gjendjen shëndetësore, zhvillimin psikologjik, sjelljet e përditshme dhe performancën shkollore. 

Vitet e para të jetës (0-6) janë kritike për formësimin e kapaciteteve të të nxënit dhe zhvillimin emocional të fëmijës, formësim i cili mbetet gjatë gjithë jetës. Prandaj, mungesa e informimit të prindërve mund të ndikojë ndjeshëm në mirëqenien e përgjithshme të fëmijës. 

Në veçanti, mosinformimi mbi temat shëndetësore, si vaksinat, ushqyerja ose praktikat e sigurisë së fëmijës, shpesh çon në vendime të pavetëdijshme që dëmtojnë zhvillimin e fëmijës. Për shembull, prindërit që refuzojnë vaksinat bazuar në informacione të pasakta rrezikojnë shëndetin e fëmijës dhe ekspozojnë komunitetin ndaj sëmundjeve të parandalueshme.

Duke observuar grupe të ndryshme në rrjete sociale në Kosovë, vërehet se shumë prindër kanë njohuri të kufizuara për mirëqenien fizike dhe psikologjike të fëmijëve dhe shpesh marrin këshilla nga burime jo të besueshme.

Kjo përbën shqetësim serioz, sepse, përpos mungesës së njohurive, prindërit janë të prirë të marrin këshilla dhe rekomandime nga prindërit e tjerë, duke mos i konsideruar karakteristikat unike të fëmijës së tyre dhe shpesh duke i anashkaluar në tërësi profesionistët e shëndetit mendor. 

Një prej problemeve që hasim shpesh në mesin e prindërve është edhe pritshmëria “joreale” që shpeshherë ata kanë karshi fëmijës. Pritshmëritë e larta për arritjet e fëmijës e rrisin ankthin te fëmija, duke ndikuar negativisht në të nxënit.

Në anën tjetër, pritshmëritë e ulëta mund të mos shfrytëzojnë plotësisht potencialin e fëmijës. Qasje të tilla joadekuate prindërore mund të çojnë në vetëbesim të ulët dhe rezultate të dobëta në mësimnxënie.

Prindërit që nuk janë të mirinformuar shpesh adaptojnë strategji joefektive ose të dëmshme të prindërimit, duke u bazuar në burime jo të sakta, dhe kështu krijojnë stres, ankth ose sjellje problematike te fëmijët.

Për më tepër, mungesa e informacioneve shpesh i pengon prindërit të kërkojnë ndihmë profesionale për fëmijët e tyre, duke përkeqësuar problemet ekzistuese. Për më tepër, vonimi i kërkimit të ndihmës mund t’i ulë shanset për përmirësim më të shpejtë dhe efektiv të gjendjeve të caktuara të shëndetit mendor.

Profesionistët e fushës, si psikologët dhe logopedët, do të duhej të ishin adresa e parë për secilin prind, atëherë kur prindërit vërejnë që diçka po ngec në zhvillimin e fëmijës së tyre. Fatkeqësisht, këta profesionistë shpesh janë adresa e fundit për kërkim të ndihmës.

Prandaj, është thelbësore që të punohet me prindërit, në mënyrë që të kuptohet nevoja për informacione të besueshme vetëm nga profesionistët e fushës. 

Menaxhimi i kohës së kaluar në internet është një tjetër sfidë e madhe për prindërit e sotëm. Shumë prindër nuk janë të informuar për kohën e duhur që fëmijët duhet të kalojnë para ekraneve elektronike dhe për moshën e përshtatshme për t’i ekspozuar ata ndaj teknologjisë. 

Asociacioni i Pediatërve Amerikanë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë japin udhëzime të qarta që fëmijët nën moshën dy vjeç nuk duhet të kenë kontakt me ekranet dhe fëmijët e moshës 2-5 vjeç të mos kalojnë më shumë se një orë në ditë para ekraneve. 

Keqinformimi rreth presionit të bashkëmoshatarëve, ngacmimeve ose sigurisë në internet, mund t’i lërë fëmijët të pambrojtur ndaj përvojave negative sociale ose rreziqeve të tjera, si ngacmimi kibernetik.

Aspekte të tjera, si çështjet sociale, normat kulturore dhe marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, gjithashtu mund të ndikojë negativisht në zhvillimin social të fëmijës. Prindërit që kanë njohuri të kufizuara për dinamikat sociale dhe diversitetin kulturor, shpesh pa dashje, përforcojnë paragjykimet dhe stereotipat, duke ndikuar në aftësinë e fëmijës për të krijuar marrëdhënie të shëndetshme dhe gjithëpërfshirëse me të tjerët.

Mungesa e informacioneve të sakta për kujdesin dhe zhvillimin e fëmijës mund të ketë pasoja të gjera dhe të dëmshme për mirëqenien e tyre. Kjo ndikon në shëndetin fizik, elasticitetin emocional, mundësitë arsimore, marrëdhëniet sociale dhe zhvillimin kognitiv të fëmijës. 

Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në vlerësimin e burimeve të informacionit, të kërkojnë udhëzime nga profesionistë të kualifikuar dhe të qëndrojnë të informuar për të siguruar një zhvillim të shëndetshëm për fëmijën e tyre.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.