Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Nagorno-Karabakh: Konflikti që nuk po arrin ta gjej rrugën e paqes

Më 27 shtator 2020, paqja e brishtë mes Azerbeixhanit dhe Armenisë u thye. Konfrontimet ushtarake në territorin e Nagorno-Karabakh rezultuan me dhjetëra ushtarë dhe civil të vrarë, që përbën konfrontimin me të rrezikshëm ushtarak në dy dekadat e fundit.

Megjithë thirrjet për armëpushim nga organizatat ndërkombëtare dhe liderë politik, palët e përfshiera në konflikt kanë refuzuar të ndalin luftimet. Rreziku tani qëndron për faktin se luftimet mund të përshkallëzohen në luftë totale.

Nagorno-Karabakh vazhdon të jetë subjekt i mospajtimeve mes armenëve dhe azerëve, palë të cilat vazhdimisht ballafaqohen me konfrontime sporadike ushtarake. Armenia dëshiron që Nagorno-Karabakh t’i bashkohet Armenisë, ndërsa Azerbeixhani e kundërshton një gjë të tillë dhe tenton në mënyrë të vazhdueshme që ta vendos autoritetin e saj mbi territor.

Megjithatë, ky konflikt nuk përfshin vetëm këto dy shtete. Dy fuqitë rajonale, Rusia dhe Turqia, kanë interesa politike dhe ekonomike dhe qëndrojnë në anë të kundërta të konfliktit. Rrjedhimisht, përfshierja e akterëve të jashtëm në konflikt krijon një situatë të palakmueshme dhe komplikon edhe më tepër gjasat për arritjen e zgjidhjes së konfliktit në mënyrë paqësore.

Gjeografia e dhimbjes

Jo shumë larg Kosovës, rreth 3000 kilometra në lindje, në rajonin e kaukazit jugor gjendet Nagorno-Karabakh, një territor i kontestuar në brendësi të Azerbeixhanit, i cili njihet ndërkombëtarisht si pjesë përbërëse e saj, mirëpo qeveriset nga armenët, të cilët kontrollojnë shumicën dërrmuese të territorit.

Nagorno-Karabakh është i populluar kryesisht me armenë etnik dhe kufizohet me male të larta të cilat shërbejnë si mbrojtje natyrale nga sulmet e jashtme. Kjo veçori përbën sfidë serioze për vendosjen e kontrollit mbi territor nga Azerbeixhani.

Konflikti për Nagorno-Karabakh daton që nga rënia e Perandorisë Ruse, pas Luftës së Parë Botërore. Me kalimin e kohës, territori u okupua nga Bashkimi Sovjetik i cili gëzoi statusin e autonomisë, mirëpo pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik tema për sovranitetin e Nagorno-Karabakh u rishfaq përsëri.

Në vitin 1991, në një përpjekje për ta vendosur kontrollin mbi Nagorno Karabakh, Azerbeixhani suspendon statusin e autonomisë. Si kundërpërgjigje, Nagorno-Karabakh shpall pavarësinë duke u bazuar në rezultatet e referendumit, vendim i cili rezulton në luftë katër vjeçare mes Azerbeixhanit dhe Nagorno-Karabakh mbështetur nga Armenia.

Që nga ajo kohë, Azerbeixhani nuk ka ushtruar autoritet politik në Nagorno-Karabakh. Si rezultat, konfrontimet ushtarake kanë qenë gjithmonë prezente duke lënë të vdekur dhjetëra mijëra persona.

Përfaqësuesit e qeverisë së Azerbeixhanit dhe Armenisë vazhdimisht kanë mbajtur bisedime të paqes të ndërmjetësuara nga OSCE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë). Gjithashtu, ne vitin 2011 Rusia tentoi që të ndërmjetësojë një marrëveshje të paqes mes palëve, mirëpo kjo ishte e pamundur si rezultat i qëndrimeve diametralisht të kundërta mes palëve. Suksesi i vetëm ndër vite ka qenë arritja e armëpushimit dhe ndalimi i përshkallëzimit të konfliktit në luftë totale.

Sot e kësaj dite, Nagorno-Karabakh vazhdon të mbetet peng i demonëve të së kaluarës si dhe interesave të Rusisë dhe Turqisë.

Përfshierja e fuqive rajonale

Turqia dhe Azerbeixhani kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe marrëdhënia mes tyre shpesh herë përshkruhet me moton “një komb, dy shtete,” për shkak të afërsisë kulturore dhe religjioze. Të dyja vendet jane të lidhura përmes një pakti ushtarak me të cilën palët janë dakorduar që ta ndihmojnë njëra tjetrën në rast sulmi.

Në anën tjetër, raporti i Turqisë me Armeninë asnjeherë nuk ka qenë në nivelin e duhur. Sot e kësaj dite, Turqia e mohon gjenocidin armen të vitit 1915, me çrast rreth 1.5 milionë armen vdiqën në duart e Perandorisë Osmane.

Për dallim nga Turqia, Rusia gëzon raporte të mira me të dyja vendet, mirëpo ka afërsi më të madhe me Armeninë. Rusia dhe Armenia janë vende të krishtera ortodokse dhe janë të lidhura përmes një aleance ushtarake me të cilën Rusia obligohet t’i vihet në ndihmë Armenisë në rast sulmi. Gjithashtu, Rusia ka një bazë ushtarake në Armeni me rreth 5,000 ushtarë të stacionuar.

Afërsitë kulturore janë të rëndësishme, mirëpo ato nuk tejkalojnë interesat politike dhe ekonomike. Rusia furnizon Armeninë dhe Azerbeixhanin më armë dhe dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me të dyja vendet.

Megjithë paktin ushtarak mes Rusisë dhe Armenisë, nëse luftimet përshkallëzohen, mbetet të shihet nëse Vladimir Putin do ta respektojë marrëveshjen ushtarake me Armeninë dhe të prish marrëdhëniet me Azerbeixhanin.

Gjithashtu, Kaukazi jugor ka nje rëndësi të veçantë strategjike. Dy tubacione energjetike që transportojnë naftë dhe gaz nga Azerbeixhani për në Turqi dhe Evropë kalojnë përmes këtij rajoni. Është në favorin ekonomik të Turqisë që Azerbeixhani të jetë një shtet stabil dhe furnizimi me naftë dhe gaz të mos ndërpritet.

Përderisa, Azerbeixhani dhe Armenia nuk arrijnë një koncesus rreth Nagorno-Karabakh dhe ndikimi i jashtëm nga Rusia dhe Turqia vazhdon të jetë në intensitet të lartë, duket tejet e veshtirë që Armenia dhe Azerbeixhani të gjejnë një zgjidhje për Nagorno-Karabakh për t’i dhënë fund konfliktit një shekullor mes tyre. Luftimet e ditëve te fundit vetëm sa e konfirmojnë një gjë të tillë.

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

 

 

 

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.