Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Narrativi ballkanik i Putinit për luftën në Ukrainë

Ilustrimi nga Big Eye.

Shumë më herët para se tanket dhe trupat rusë të futeshin në Ukrainë, Vladimir Putini po përdorte shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë në vitet 1990 për të ofruar justifikime për pushtimin e Ukrainës.

Presidenti rus ka qenë veçanërisht i fokusuar në bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999 dhe përkrahjen e Perëndimit ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Ai pretendon se të dyja këto raste krijuan një precedent të paligjshëm që theu ligjin dhe rendin ndërkombëtar, duke i dhënë atij justifikimin për ta pushtuar Ukrainën.

Argumentet e Putinit, të përsëritura disa herë që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia më 2014, duket se ndjekin këtë linjë: nëse republikat ish-jugosllave dhe ish-provinca serbe e Kosovës mund të bëhen të pavarura me mbështetjen dhe luftërat perëndimore, pse nuk mundet Krimeja dhe zonat e kontrolluara nga rebelët rusë në lindje të vendit ta shpallin pavarësinë e tyre me ndihmën ruse?

Me mbështetjen e fortë të ShBA-së, Kosova e dominuar nga shqiptarët etnikë u shkëput nga Serbia me gjithë kundërshtimet e forta të Serbisë. Rusia, një aleat historik i serbëve, argumentoi atëbotë se kjo krijoi një precedent që mund të nxiste një sërë pretendimesh për shtetësi në botë.

Në korrik të vitit 2010, gjykata më e lartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme, por nuk e miratoi plotësisht pretendimin e Kosovës për shtetësi.

Ka shumë dallime midis sulmit rus ndaj Ukrainës, i parë në Perëndim si një nga momentet më të errëta për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe luftërave në Ballkan që lanë më shumë se 120.000 njerëz të vdekur dhe miliona të pastrehë. Megjithatë, ka edhe disa ngjashmëri.

Cilat janë dallimet kryesore?

NATO nuk e pushtoi Kosovën pasi dëboi forcat serbe nga Kosova, por dërgoi paqeruajtës. Ndërkohë, trupat rusë morën kontrollin e Krimesë edhe para mbajtjes së referendumit të saj për t’u bashkuar me Rusinë.

NATO ndërhyri në Kosovë vetëm pas dëshmive konkrete të abuzimeve serbe kundër shqiptarëve etnikë, duke përfshirë vrasjet masive dhe dëbimet. Forcat ruse ndërhynë në Ukrainë pa asnjë abuzim apo dhunë të konsiderueshme ndaj rusëve etnikë.

Kosovarët shpallën pavarësinë, por nuk u bashkuan me vëllezërit e tyre etnikë të Shqipërisë në një shtet të vetëm. Krimeja, e cila ka një popullsi shumicë ruse, nënshkroi një marrëveshje për t’u bashkuar me Rusinë dy ditë pas referendumit, i cili u konsiderua i gabuar dhe jodemokratik nga Perëndimi.

Cilat janë ngjashmëritë kryesore?

Të dyja ndërhyrjet filluan me pretendime të rreme se pakicat etnike po persekutoheshin në vendet fqinje. Ushtria e udhëhequr nga serbët lëshoi ​​një breshëri të rëndë artilerie kundër qyteteve dhe fshatrave në Kroaci në vitin 1991, diçka e ngjashme me sulmet fillestare të forcave ruse kundër Ukrainës.

Ashtu si kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës i frikësoheshin represionit serb gjatë sundimit autokratik të liderit serb Slobodan Millosheviç, ndërsa rusët etnikë në Ukrainë kishin frikë nga nacionalistët ukrainas.

Çfarë tha Putini?

“Kancelari gjerman Olaf Scholz sapo tha se njerëzit e brezit të tij – dhe unë sigurisht i përkas atij brezi – e kanë të vështirë të imagjinojnë ndonjë luftë në Evropë”, deklaroi Putini pas bisedimeve me Kancelarin Scholz në Moskë më 15 nëntor.

“Por, të gjithë ne ishim dëshmitarë të luftës në Evropë që NATO nisi kundër Jugosllavisë”, tha Putini. Ai kujtoi se ishte një operacion i madh ushtarak që përfshiu sulme ajrore kundër një kryeqyteti evropian, Beogradit.

“Kjo ndodhi. Pa asnjë sanksion nga Këshilli i Sigurisë i OKB-së. Është një shembull shumë i trishtë, por është një fakt i pamohueshëm”, tha Putini.

Ai argumentoi se duke ndërhyrë në Kosovë, Perëndimi krijoi një precedent me pasoja afatgjata.

Cili është pozicioni i Perëndimit?

Gjatë konferencës për shtyp me Putinin, Scholz iu kundërpërgjigj argumenteve të presidentit rus për veprimet e NATO-s në Kosovë, duke thënë se kjo ishte bërë për ta parandaluar gjenocidin, duke iu referuar persekutimit të shumicës së shqiptarëve etnikë të Kosovës nga forcat serbe.

Udhëheqësit perëndimorë i kanë hedhur poshtë vazhdimisht argumentet e Putinit, duke thënë se Kosova ishte një rast unik për shkak të numrit të madh të viktimave gjatë luftërave ballkanike gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel kishte këmbëngulur se analogjitë e Putinit mes veprimeve të Perëndimit në Kosovë dhe ndërhyrjes së Rusisë në Krime janë “të turpshme”.

Cilat mund të jenë pasojat?

Ekziston frika se lidershipi pro-rus serb mund të përpiqet ta përdorë vëmendjen ndërkombëtare të përqendruar në Ukrainë për t’i destabilizuar fqinjët e saj, veçanërisht Bosnjën, ku komuniteti serb ka kërcënuar të bashkohet me Serbinë.

Paqeruajtësit e Bashkimit Evropian në Bosnjë kanë njoftuar vendosjen e rreth 500 trupave shtesë, duke përmendur si arsye “përkeqësimin e sigurisë ndërkombëtare i cili ka potencialin të përhapë destabilitet” në rajon.

Lidershipi kosovar ka frikë se Serbia mund të inkurajohet nga Rusia që të përpiqet të ndërhyjë në ish-krahinën e saj për t’i ndaluar sulmet e supozuara të serbëve të Kosovës. Kosova i ka kërkuar NATO-s një rrugë të shpejtë për anëtarësim në prani të krizës ukrainase, diçka që Serbia dhe Rusia nuk do ta pranonin potencialisht në mënyrë paqësore.

Zyrtarët e Kosovës kanë hedhur poshtë paralelizmat e Putinit mes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe pushtimit rus në Ukrainë, duke i quajtur ato “krejtësisht të pabaza dhe qesharake”.

*

Shkrimi origjinal është publikuar në ABC News, në gjuhën angleze, më 5 mars 2022.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.