Kjo trajtesë e ndarë në pesë pjesë do ta shtjellojë historikun e ndarjes së partive politike në rajonin e Ballkanit. Pjesa e parë dhe e dytë do të analizojnë historikun e ndarjeve në Kosovë, me ç’rast pjesa e parë do të merret vetëm me ndarjen e Vetëvendosjes, duke qenë rasti më i freskët, gjersa pjesa e dytë me ndarjen e partive të tjera në Kosovë. Pjesa e tretë do t’i shqyrtojë ndarjet e partive politike në Shqipëri, e katërta ndarjet e partive në Maqedoni, ndërkohë që pjesa e pestë dhe e fundit do ta përmbledhë ndarjen e partive në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.
Fillimi i dhjetorit 2017. Lëvizja Vetëvendosje (VV) është në zenit të shkëlqimit të saj. Duket se pas 12-13 vitesh në protesta, aktivizëm e opozitë aktive kishte ardhur ora e Vetëvendosjes dhe e Albin Kurtit. Pak muaj më parë, në zgjedhjet nacionale të verës, VV-ja fitoi mbi 27 përqind të votave dhe kësisoj u bë grupi më i madh parlamentar në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Për më tepër, për shumëkë ky nuk ishte fundi sepse rritja e saj ishte rapide dhe dukej se, po të mbaheshin zgjedhjet asokohe, me shumë gjasë VV-ja do të mund të arrinte gjer në 30 ose 35 përqind.
Në zgjedhjet lokale të vjeshtës, VV-ja jo vetëm që ia doli ta ruante edhe për një mandat qeverisjen me kryeqytetin, me Shpend Ahmetin – njeriun numër dy të partisë – që rizgjedhej si kryekomunar i Prishtinës, por madje ia doli ta fitonte edhe komunën e dytë më të madhe në Kosovë, Prizrenin, si dhe një komunë më të vogël në lindje të Kosovës, Kamenicën.
E, kur mendohej se po fillonte ardhja në pushtet e Vetëvendosjes – mbase për të mos u larguar për kohë të gjatë – ndodhi e papritura. VV-ja është karakterizuar për një organizim të brendshëm mjaft të disiplinuar e rigjid dhe për një paraqitje të jashtme shumë unike ku vështirë vërehej se mund të kishte dallime brenda vetë partisë. Madje, edhe ata analistë që dikur besonin se brenda VV-së po bashkëjetonin dy grupe antagoniste – radikalët marksistë të ditëve të para të VV-së, “thelbi” i saj, si dhe liberalët e ardhur më vonë – filluan ta harronin këtë dhe thuajse u pajtuan që në VV nuk po ekzistuakan pole të ndryshme antagoniste.
Por, në fillim të atij muaji, në media dolën mesazhet që deputetët e VV-së i shkëmbenin mes vete në një grup në Viber. Dardan Molliqaj, ish-sekretari organizativ i VV-së, i lajmëronte shokët se Policia e kishte arrestuar Donika Kadajn, një nga deputetet e VV-së të ndjekura penalisht për rastet e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend. Aida Dërguti, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, e pyet: “E, atë mutin?” Aludimi ishte i qartë: “ai muti” ishte Albin Kurti, themeluesi i VV-së, i cili, ndonëse më 2015 u largua nga pozita e kryetarit, vazhdonte të ishte udhëheqësi suprem i saj dhe kandidati më i votuar për deputet.
Publiku u befasua. Madje edhe njohësit e afërt të saj u befasuan. Kishte pasur për më shumë se një vit një ndarje të thellë në këtë parti, por ia kishin dalur ta mbanin të fshehtë, madje edhe prej grupeve simpatetike me ta. Por, tani gjithçka u kuptua. Në VV kishte filluar një përçarje mes Albin Kurtit, ideologut, themeluesit dhe udhëheqësit suprem të saj, dhe Dardan Molliqajt, sekretarit organizativ dhe kokës operative të saj. Në dysh ishte ndarë edhe kryesia e partisë edhe grupi parlamentar edhe anëtarësia e gjerë.
Grupi i Kurtit e akuzonte grupin e Molliqajt që, duke i pasur në kontroll pozitat kyçe të aparatusit organizativ të partisë, kishin zënë të korruptoheshin dhe të shfaqnin “karakteristika mikroborgjeze”. Grupi i Molliqajt e akuzonte Kurtin dhe ndjekësit e tij për qasje diktatoriale, totalitare, maoiste dhe për linçim të aktivistëve që e përkrahnin Molliqajn në krejt këtë përçarje.
Grupi i Molliqajt mendonte se, ashtu që të ruhej tutje konsensusi brenda partisë, Albin Kurti nuk do të duhej të garonte për kryetar të partisë në janar 2018, njëjtë sikurse Dardan Molliqaj kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e sekretarit në korrik 2017. Por, grupi i Kurtit e quajti këtë kërkesë si absurde dhe si mungesë demokracie, pasi që sipas tyre ishte e palogjikshme t’i kërkohej moskandidimi themeluesit dhe deputetit më të votuar në nivel partie dhe në nivel vendi. Kur më 21 janar 2018 dolën rezultatet, u kuptua që Kurti ishte zgjedhur kryetar me 99,82 përqind të votave.
Ajo që ndodhi në dy muajt në vazhdim u quajt si një prej ngjarjeve kryesore politike të vitit 2018. Në dy muajt në vijim ndodhën dhjetëra dorëheqje nga VV-ja. Disa aktivistë, shumë anëtarë kryesie dhe 13 deputetë (nga gjithsej 31 sa ishin) dhanë dorëheqje me arsyetimin se VV-ja po rrëshqiste drejt një partie autoritare dhe totalitare në të cilën po krijohej kulti i personalitetit për kryetarin Kurti. Më 15 mars u krijua Grupi i Pavarur i Deputetëve, kurse në maj ata vendosën t’i bashkoheshin Partisë Socialdemokrate (PSD), një partie që ekzistonte që nga viti 1990, por që asnjëherë nuk e kishte kaluar pragun zgedhor. Kryetar i PSD-së u zgjodh Shpend Ahmeti, kryekomunari i Prishtinës.
Dy vite pas ndarjes, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Vetëvendosja mori mbi 220 mijë vota dhe 29 deputetë, duke dalur për herë të parë si fituese e zgjedhjeve. Lideri i saj, Albin Kurti në shkurt 2020 u votua si kryeministër i qeverisë të koalicionit VV-LDK. Në anën tjetër, PSD-ja, si pjesë e koalicionit me AAK-në, nuk ia doli ta fitonte as një deputet të vetëm. Shifrat treguan se ikja e PSD-së nuk i kishte sjellur asnjë dëm VV-së, ndërsa diskursi që po pason ditët e para të Qeverisë Kurti po shpalos PSD-në si forcën politike që do ta dominojë diskursin e opozitës anti-VV.