Kur Charlie Hebdo i vuri në shenjë elitat politike të Serbisë dhe më saktësisht Millosheviqin në vitin 1999, unë kisha vetëm 16 vjet. Duhet të tregoj këtu se për herë të parë ato karikatura i kam parë në vitin 2005 dhe u mahnita me thellësinë e talljeve dhe mendimin prapa tyre. Afërsisht njëjtë mahnitem me veprat e humoristit britanik Sascha Baron Cohen, i cili afërsisht njëjtë i vë në shenjë përmes rolit të një gazetari nga Kazakstani, elitat në Amerikë dhe Britani të Madhe. Filmi i fundit, i cili portretizon një diktator të një vendit me pasuri të madhe nëntokësore më së shumti tall sistemin e vlerave të Perëndimit dhe kompromisin etik që vendet perëndimore bëjnë me këta soj diktatorësh. Në Diktatorin e Cohen, unë shoh Mbretin Salman i cili bën pushime në St. Tropez të Francës me 200 anëtarë të stafit në hotelet më luksoze të vendit; shoh emirin e Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili ndërton garazhe disakatëshe për veturat e tij në Londër ndërsa në vendin e tij nuk ka demokraci dhe aktivistët e të Drejtave të Njeriut burgosen për opinionet e tyre. Sasha Baron Cohen në fakt tall Britaninë e Madhe dhe Amerikën më së shumti me rolet e tij. Këtë e ilustron edhe fakti kur i flet fjalët me ‘beep’, i thotë gjithmonë me theks të veçantë anglez.
Charlie Hebdo në këtë kontekst bën punën e njëjtë. Si gazetë satirike dhe liberale, nuk ka si të mos jetë kundër ‘imperializmit kulturor’, Koka Kollës dhe Mc Donaldsit. Përderisa fëmijët në Europë dhe gjetiu në Perëndim kanë brengë të hanë ushqim në Mc Donalds, dikush mbytet në det për këtë ëndërr duke ikur nga lufta. Gjithashtu, tallja me të djathtën e krishterë është më se e dukshme kur pretendon se fëmijët e krishterë mund të ecin mbi ujë duke tallur edhe fundamentin e fesë së krishterë, dhe pretendimin e mrekullisë së Jezusit. Charlie Hebdo në esencë krijon humor thumbues që dhemb, por ky lloj humori duhet të kuptohet drejt dhe mirë.
Keqkuptimi esencial i humorit të Charlie Hebdo është edhe ideologjik. Përderisa Charlie Hebdo thumbon edhe me vetë tragjedinë ku humbën jetën shumica e personelit të vet si formë e demonstrimit të lirisë së shprehjes, do të duhej të kuptohej si e tillë edhe për thumbimin e Europës dhe pjesës së popullatës që kundërshton pranimin e refugjatëve. Deri më tani, reagimet ndaj humorit të Charlie Hebdo kanë qenë sipërfaqësore dhe të pashije si pasojë e papërvojës në humorin thumbues. Është më se gabim të mendohet se Charlie Hebdo është raciste, anti politikave të imigracionit dhe se tallet me tragjedinë e fëmijës sirian. Thirrja e karikaturës është për ndërgjegjësim të Europës ndaj ndodhive duke u tallur me Euvropën që është e apasionuar pas ushqimit për vete, përderisa ka politika të tilla anti imigracion si Hungaria, Sllovakia dhe shtete tjera.
Humori i tillë nuk kuptohet fort në Kosovë. Arsyeja është sepse humori në Kosovë është më tepër i formës së përqëshjes dhe nuk futet në tema të thella sikurse humori anglez. Dallimi tjetër është se, përdersa në Kosovë humori është gjithmonë ‘pak i vonuar’ me të njëjtin veprim të rënies ndër mend pas kohës, humori në Britani, Francë dhe vende tjera është shumë proaktiv, më i thellë dhe më thumbues. Në esencë, humori në Evropë është rebel, ironizues dhe i lirë dhe këtu qëndron keqkuptimi.
Për më tutje, vetë humori është punë shumë serioze – e thotë edhe Churchilli dhe po të ishte humori vetëm ndërmarrje që tallet me të dobëtit, punët e zakonshme apo politikisht korrekte, nuk do të ishte humor. Slavoj Zizek thotë se nuk i intereson fare se ‘çka ndodh nëse një trekëndësh e godet një katror?’ pikërisht sepse satira e zakonshme nuk është satirë. Komedistët dhe ‘profesionistët e talljes’ si Ricky Gervais thonë se: ‘cili është qëllimi i humorit nëse nuk mund të sulmosh më të lartit dhe më të suksesshmit?’; ndërsa në këtë rast për Charlie Hebdo, cili është qëllimi i satirës dhe i karikaturës nëse nuk piketohen figurat më autoritare në politikë e fe, por edhe ngjarjet më të dhimbshme dhe më të mëdha për të ndërgjegjësuar të gjithë ne?