Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Një ushtri për të gjithë

Forcat e Armatosura duhet të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Andaj është shumë e rëndësishme që për krijimin e këtyre forcave të pajtohen edhe serbët. FAK duhet të ofrojë siguri për të gjithë. Është e papranueshme që kjo forcë të krijohet për

Pamundësia për të krijuar Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), një premtim ky i përsëritur i udhëheqësve kosovarë, ka bërë që të kërkohen alternativa të tjera, ndër të cilat më e diskutueshmja është ajo e dhënies së kompetencave shtesë Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Në fakt, kjo është rruga më e lehtë për të fuqizuar FSK-në, ngase kjo forcë nuk mund të kthehet në ushtri pa votat e Listës Serbe. Deputetët serbë duhet të japin votën për ndryshimet kushtetuese që do të çonin drejt formimit të forcës së armatosur e cila, tani më shumë se asnjëherë më parë, shihet si domosdoshmëri.

Nisma për dhënien e kompetencave shtesë FSK-së ka ardhur nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, pas tensioneve të krijuara ndërmjet Kosovës e Serbisë. Por, procesi bart në vete disa pikëpyetje. Çka në të vërtetë mund të arrihet me ndryshimin e ligjit për FSK’në përveç, siç është thënë nga iniciuesit, mundësisë që substancialisht të ngrihen kapacitetet tjera të kësaj force? Çfarë nënkupton kjo praktikisht? Pse nuk u iniciuan këto ndryshime më herët, meqë paska pasur mundësi të bëhen? Dhe, më e rëndësishmja, a është ideja që këto ndryshime të bëhen “për inat të serbëve”, apo megjithatë duhet pritur që FAK të krijohet edhe me pajtimin e tyre, pasi që do të duhej të ishte një ushtri e të gjithëve?

* * *

Situata e krijuar javëve të fundit karshi provokimeve të Serbisë ka bërë që jo veç ekspertë të fushës e politikanë, por edhe njerëz të rëndomtë të flasin për domosdoshmërinë e krijimit sa më shpejtë të Forcave të Armatosura. Por, përtej dëshirës dhe euforisë, çështjen e krijimit të kësaj force duhet parë me mendje të ftohtë dhe më racionalisht.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitë në Kosovë deklaroi se NATO mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së. Ndërkaq, për transformimin tha se është çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës.

Por, institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes se në çfarë forme dhe mbi çfarë baze ligjore duhet të ndodh transformimi i FSK-së.

Një ushtri e krijuar pa pëlqimin e serbëve do të nënkuptonte një proces të shkuar huq. FAK duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Andaj është shumë e rëndësishme që për krijimin e saj të pajtohen edhe serbët.

FAK duhet të ofrojë siguri për të gjithë. Është e papranueshme që kjo forcë të krijohet “për inat të serbëve”.

Sikurse janë të përfaqësuar në FSK, serbët kosovarë duhet të jenë të përfaqësuar, sipas përqindjes, edhe në FAK. Kjo do të ishte një garancë shtesë se kjo forcë është multietnike dhe ofron siguri edhe për serbët. Ndryshe, serbët do të ndihen të pasigurt dhe vështirë do ta pranojnë FAK’në si ushtri.

* * *

Institucionet kosovare dhe politikanë vite me radhë propagandojnë krijimin “e shpejtë” të ushtrisë. Por, ata janë angazhuar fare pak që kjo të ndodh. Andaj tingëllojnë hipokrite deklaratat që sërish kërkojnë krijimin “e shpejtë” të FAK – jo me qëllimin e mirë që ushtria të krijohet vërtet, por më shumë të përfitojnë politikisht nga situata e krijuar. Madje, ka nga ata që nuk hezitojnë të keqpërdorin deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, që e interpretojë si porosi që FAK të krijohet “gjithsesi”. Gjithsesi po, por bazuar në ligje e kushtetutë. Gjithsesi po, por të përfaqësuar nga të gjithë, e të barabartë për të gjithë.

Në vend të deklaratave pompoze e folklorike, kuvendarë e qeveritarë duhet të punojnë fort që të arrijnë pikën kur me pëlqimin e kolegëve të tyre serbë dhe me votën e tyre, po ashtu, të bëjnë transformimin e FSK-së. Ushtria e Kosovës nuk duhet krijuar me qëllim që të frikësohen serbët e Kosovës, por me qëllimin që edhe ata të ndihen të sigurt me të.

Ekspertë të sigurisë kanë përmendur nevojën që Kosova brenda vitit ta ketë ushtrinë e saj. Edhe ashtu, me krijimin e infrastrukturës ligjore, nevojitet një tranzicion njëdekadësh për transformimin e plotë në Forca të Armatosura. Një periudhë kjo që kërkon përkushtim e para. Paratë mund të sigurohen, por përkushtimi për krijimin e një ushtrie për të gjithë është më se i nevojshëm.

Për krijimin e ushtrisë duhet punuar çdo ditë, e jo veç kur shfaqen ndjenja pasigurie. Krijimi i FAK në radhë të parë duhet të ndodh si domosdoshmëri për ofrimin e sigurisë për të gjithë, e jo si reagim ndaj provokimeve që vijnë nga Serbia, e që nuk do të ndalen as viteve në vazhdim.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.