Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Nuk o marre me i than dostit “t’du”

Nuk o marre me i than dostit “t’du”

Grekët e lashtë i kanë pasë disa fjalë të ndryshme për dashni – forma që na më së miri e njohim është: “ἀγάπη” (lexo: Agape), dashuri e cila e tejkalon të prekshmen dhe të bjen drejt në shpirt. Agape është dashuria që ndihet në familje, dashuria që e ndjejnë dy shpirtra në lidhje romantike dhe në kontekste religjioze dashuria e njeriut për zotin. Agape është dashuri me të cilën jemi të fiksuar në kohën moderne – pa u mendu mujmë me i numru dhjetëra filma e këngë që i dedikohen asaj.

Format e tjera që definohen prej tyre janë: ἔρως (lexo: Eros) – dashuria e pasionit, ose στοργή (lexo: Storge) – dashuria empatike, mirëpo fokusi i diskutimit në këtë shkrim është φιλία (lexo: Filia) – dashuria shoqërore. Dashnia në mes të dy shokëve ose shoqeve, dashnia që ndihet ndaj personit me të cilin nuk ke qëllime romantike ose seksuale, por prapë e ndanë nji shpirt të njëjtë. Në historinë e njeriut ka shumë raste ku fuqizohet dhe gëzohet dashuria shoqërore ndërmjet burrave, shpeshherë si metodë për krijimin e lidhjeve ndërmjet tyre që të jenë anëtarë më të dobishëm të fisit.

Ndër shoqëritë më të famshme antike është lidhja ndërmjet heroit të Iliadës, Akilit dhe shokut të tij Patroklit. Në tregimin origjinal të Homerit, lidhja e tyre shpjegohet si dashni e thellë platonike, e bazuar në respekt dhe përkrahje. Vdekja e Patroklit është çka e çon Akilin në vdekjen e vet, pasi që hakmarrja e verbëron atë. Në kontekstin e shqiptarëve hasim konceptin e vëllamërisë, kur dy burra të rinj në shenjë të miqësisë së pathyeshme  pinin një pikë gjaku të njëri-tjetrit.

Në kohën moderne paraqitja e shoqërisë ndërmjet dy burrave e harron intimitetin si mjet për të arritur lidhje të fortë shoqërore tek burrat, çka ruhet është vetëm natyra stoike e atyre lidhjeve – skena ku dy burra me pak fjalë diskutojnë tema të rënda dhe me një shikim e kuptojnë njëri-tjetrin, romantizohet në mediat që i konsumojmë dhe në rrethin që gjendemi. Si pasojë, një djalë i ri mund të krijojë përshtypjet e gabuar që shprehja e ndjenjave është tipar femëror, diçka që një burrë “normal” rrallëherë e shfaq. Rrjedhimisht, “Filia” që grekët e lashtë e kanë identifikuar asnjëherë nuk mund të arrihet kur vetë ideja që me i than shokut “t’du” krijon frikë në burrin “modern” se mundet me qenë Gej (edhe pse nuk ka asgjë të keqe aty). Pra, dëmi është i trefishtë: Stereotipizohet komuniteti Gej, krijohet një asocim i domosdoshëm ndërmjet dashurisë si ndjenjë e dëshirës seksuale dhe promovohet shtypja e ndjenjave intime dhe platonike në meshkuj.

Ky reduktim i emocioneve komplekse dhe të fuqishme në disa kategori të pranueshme është çka e pamundëson zhvillimin e shëndoshë të individit. Nëse shprehja e emocioneve intime është tipar femëror, atëherë burri ideal duhet të jetë një person i cili është robotik, i vrazhdë dhe i pandikuar nga rrethanat e veta, apo jo? Me apo pa dashje, me këtë “ideal” në mendje modelohen djemtë e ri në shoqërinë tonë konservative në diçka që është e pamundur për një njeri funksional ta arrijë. Në vend që të promovohet liria emocionale, ajo shtypet brenda një kutie të shprehjeve dhe gjesteve të cilat konsiderohen të pranueshme. Në vend që të krijohet një fondacion i sigurt ku mund të jetë vetvetja, ajo gërryhet deri në asgjësim. Burri i cili e përvetëson këtë proces, e ngjyros botën me një pikëpamje të këtillë: “Qekjo majica po ka shumë ngjyra, koka për femna.”; “Mos ja përmendni najkujna qe jom tu pi Kozmopolitan!”. Mendime të tilla bëhen të natyrshme dhe pjesë e mënyrës sesi e vlerësojmë veten (nganjëherë edhe tjerët).

Pasi që “ideali” burrëror asnjëherë nuk mund të arrihet prej qenieve njerëzore, të cilat janë shtëpi të emocioneve të ndryshme konfuze, djali i cili e krahason nivelin e vet të “burrërisë” me atë të idealit shoqëror asnjëherë nuk mund të jetë i sigurt në vete. Andaj, hasim edhe koncepte si “Maskulinitet Toksik” – kur dëshira për të qenë hiper-mashkullor fillon të shkaktojë dëme në shëndetin mendor të personit i cili po e shfaq atë dëshirë, së bashku me personat rreth tij.

Sa mirë pra që zgjidhja e problemit mund të jetë aq e thjeshtë sa me qenë i sinqertë me personat rreth vetes.

Nëse demonizimi i emocioneve në djem e burra çon drejt veturrejtjes tek ata dhe u dëmton shëndetin mendor, ka sens logjik që e kundërta (pranimi, fuqizimi, përkrahja) të ketë efekt pozitiv. Nëse dëshirojmë që djemtë tanë të rriten në mënyrë të shëndoshë, atëherë ta kthejmë Filia-n në jetat tona, ta rinormalizojmë dashninë platonike ndërmjet burrave duke mos i turpëruar djemtë e ri, të cilët e shprehin atë, dhe ta përforcojmë tu i thanë dostave tonë: t’du.

—-

Klinika UNI – Qendër për këshillim, testim dhe vlerësim psikologjik

Nuk je vet – Këshillim online për të rinjët

CEL – Këshillime falas për komunitetin LGBT

I fight depression – Informata rreth Depresionit

Qendra Psiko-Sociale per Trauma Terapi, Diakonie Kosova – Shërbime falas për trauma terapi

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.