Jo shumë kohë më parë, 34 deputetë të zgjedhur nga kosovarët për t’i përfaqësuar interesat e të gjithë qytetarëve të këtij vendi, i thanë JO shkollimit të një pjese të fëmijëve të Kosovës. Kështu, Kuvendi i Republikës çoi dorën kundër një amendamenti i cili do të mundësonte punësimin e 50 asistentëve – mësues dhe 100 pedagogëve/psikologëve të cilët do të punonin ngushtë me fëmijët me aftësi të kufizuara nëpër shkollat publike të Kosovës. Në këtë mënyrë, këta mësues/asistentë nuk do të mund t’i mësojnë nxënësit me aftësi të kufizuara në shkollat e Kosovës.
Me t’u thënë JO pagës së mësuesve të tyre, ata i thanë JO vetë shkollimit të këtyre fëmijëve. Me fjalë të tjera, ky votim i deputetëve refuzoi t’i shkollojë fëmijët me aftësi të kufizuara, e me këtë ju refuzoi atyre të jenë pjesë e integruar e shoqërisë kosovare.
Pyetja është, a ishin të vetëdijshëm për vendimin që po merrnin, ata deputetë të cilët votuan kundër? A ka qenë ky vendim shkak i politikave ditore, ku njëra parti voton kundër propozimeve të tjetrës, pavarësisht për çka është fjala? Është vështirë të dihet çfarë kishin në mendje ata burra e gra, prindër e familjarë të dikujt, kur vendosën t’u mohojnë përmirësimin e jetesës familjeve të tjera, të cilat nuk kanë si t’i shkollojnë fëmijët e tyre? Dhe, cila do të ketë qenë ndjenja e tyre, pasi që amendamenti dështoi dhe u refuzua e drejta e shkollimit të një pjese të nxënësve të Kosovës?
Përderisa në shtetet demokratike, e në veçanti në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian, fëmijët me aftësi të kufizuara janë jo vetëm pjesë e shoqërisë, por edhe pasuri e saj, në Kosovë atyre u mbyllet dera e shkollës dhe janë të përjashtuar nga shoqëria. Përderisa në perëndim është e zakonshme dhe normale të shohësh studentë e të diplomuar me aftësi të kufizuara, tek ne këto mundësi mohohen qysh në shkollën fillore. Atje, çdo student e ka mundësinë të kërkojë kushte të duhura për pjesëmarrje në jetën publike, kurse shteti, shkolla e Universiteti përkujdesen që të mos u mungojë asgjë, dhe të kenë mundësi të barabarta pune më bashkëmoshatarët e tyre. Këtu, shteti u përkujdes që këtyre fëmijëve t’u mungojë gjithçka.
A është ky shtet i së drejtës?
Në thelb, një shoqëri e cila nuk përkujdeset për të gjithë pjesëtarët e saj, pavarësisht aftësive të tyre fizike e mendore, është e padrejtë. Po ashtu, një shoqëri në të cilën nuk mund të llogarisë secili shtetas, është pak e vlefshme. Në këtë kontekst, vota e 34 deputetëve kundër një pjese të çmuar të shoqërisë kosovare, bëri që kjo shoqëri të sillet padrejtësisht në raport me personat me aftësi të kufizuara. Njëkohësisht, dështimi i Kuvendit të Kosovës për ta kaluar amendamentin pavarësisht politikave ditore dhe përfitimeve politike, ishte dështim total i vetë shtetit.
Në këtë kuptim, qoftë për shkak të inateve politike, qoftë për shkak të pakujdesisë së deputetëve, shteti dështoi të funksionojë. Dhe, për këtë dështim duhet të flitet. Duhet ta vëmë gishtin në kokë e të analizojmë shkaqet të cilat na kanë sjellë deri në atë pikë sa të dështojmë kur është fjala për një pjesë të ndjeshme të shoqërisë, dhe t’i shkaktojmë dhembje e dëshpërim atyre që patën pritje më të larta.
Pyetja e cila më shqetëson pa masë mbetet: Çka mund të presim tjetër nga deputetë të tillë?
__________
Ky artikull është kontribut ndaj projektit USAID Transformational Leadership Program-Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk reflektojnë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të USAID TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës, gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.