Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Oferta e Kurtit për zbutjen e papunësisë nuk mjafton

Ilustrimi: Big Eye

Si opozitar, Albin Kurti kishte bërë një varg premtimesh për të përmirësuar jetën e të rinjve në Kosovë, duke përfshirë ndërlidhjen e arsimit me ekonominë, gjë që, sipas Kurtit, do të krijonte më shumë vende të punës për të rinjtë.

Pos krijimit të vendeve të reja të punës, Kurti ishte zotuar për bashkëpunim me sindikatat për përmirësimin e kushteve të punës, si dhe banim të përballueshëm për çiftet e reja. Të gjitha këto premtime, nën sloganin “punë dhe drejtësi”, për synim kishin edhe frenimin e emigracionit të të rinjve.

Megjithatë, në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, papunësia e të rinjve mbetet shumë e lartë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), papunësia e të rinjve të grup-moshës 15-24 vjeç është 31.4%

Këtë statistikë e kishte pranuar edhe vetë Kryeministri Kurti, me ç’rast kishte deklaruar se 100 mijë të rinj të moshave 15-24-vjeç nuk punojnë apo studiojnë në Kosovë.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij realiteti të hidhur, Qeveria e kishte nisur programin “Superpuna”, përmes të cilit të rinjtë e moshave deri në 25 vjeç mund të aplikojnë për punë, ku paga deri në 264 euro bruto do të subvencionohet prej shtetit për gjashtë muaj, si dhe punëdhënësi mund të shtojë mjete financiare në pagë, sipas dëshirës.

Në bazë të statistikave të këtij mekanizmi shtetëror të publikuar më 12 korrik 2023, deri më tash janë punësuar 4,186 të rinj, prej tyre 2,061 vajza.

Kur krahasohet me faktin që 100 mijë të rinj janë pa aktivitet profesional, atëherë kjo nënkupton se pak më shumë se 4% e kësaj kategorie kanë gjetur zgjidhje në “Superpuna”.

Përkundër se papunësia e të rinjve vazhdon të mbetet e lartë, disa biznese në Kosovë janë ankuar për mungesë punëtorësh, një paradoks kosovar që tregon se sfidë serioze mbesin kushtet e punës.

Për këtë, problemi i të rinjve nuk përfundon me gjetjen e një vendi të punës, por me kushtet që ofron ajo pozitë e punës.

Punëtorët e sektorit privat, përfshirë moshat e reja, përballen me paga të padinjitetshme, mungesa të kontratave të punës, dhe në disa raste me shkelje të të drejtave elementare të njeriut, siç janë orari i zgjatur dhe mungesa e pushimit vjetor.

Për t’u ballafaquar me këtë problematikë, kryeministri Kurti ishte zotuar më 1 maj 2021 se Qeveria do të jetë partnere e ngushtë e organizimit të punëtorëve. Por, një partneriteti i tillë nuk është parë akoma, kur tashmë është konsumuar më shumë se gjysma e mandatit qeverisës.

Kreu i ekzekutivit, pos “Superpunës”, ka thënë se si qeveri kanë mbështetur rritjen e pagave në sektorin privat. Përkundër pretendimeve të pushtetit që ka bërë diçka për rininë, trendi i emigracionit po vazhdon. Rreth 43 mijë qytetarë lëshuan vendin gatë vitit 2021.

Meqë bizneset në Kosovë kanë nevojë për fuqi punëtore, atëherë “Superpuna” si mekanizëm qeveritar është dashur të disejnohet ndryshe duke obliguar punëdhënësin që të shtojë minimum 250 euro për të punësuarin, si dhe kontrata të jetë 1-vjeçare dhe jo 6-mujore.

Në këtë formë, një i/e ri kosovar do të paguhej 500 euro neto (250 euro nga shteti e 250 nga punëdhënësi), pagë mbi mesataren në vend,  si dhe një vit përvojë pune do të ishte e mjaftueshme për të fituar eksperiencë pune.

Ofertat në “Superpuna” janë në sektorin e prodhimit e shërbimeve si marketet ushqimore, të tekstilit, etj. Është e domosdoshme të krijohen edhe të tjera politika për zhvillimin e të rinjve.

Një e tillë do të rekomandoja të ishte “Parku Nacional Inovativ”. Të rinjtë do të subvencionoheshin nga shteti për të ndjekur trajnime në sferën e kodimit, marketingut digjital, dizajnit grafik, etj. Pasi të punësoheshin do të duhej t’ia kthenin paratë shtetit përmes pagesave mujore, pa kamatë. Për të stimuluar suksesin në këto programe, përfituesit të cilët i kalojnë me sukses këto trajnime do të liroheshin nga 50% e pagesës.

Më pas, një tjetër program rekomandues është “Fondi i Sipërmarrjes”. Kosova nuk duhet ta aplikojë dhënien e granteve tradicionale për biznes, por të aftësojë këtë kategori shoqërore për format si të qasen në kapital, njohjen e tregut, konsulenca, etj.

Tutje, një tjetër program që do të duhej të krijohej është “Perspektiva Globale”, përmes të cilit Qeveria do të subvenciononte të rinjtë e interesuar për të marrë pjesë në trajnime, konferenca ndërkombëtare, për t’i sjellë ato përvoja në Kosovë – qëndrimi jashtë vendit do të sillej deri në tre muaj.

Njëkohësisht, grupe ekspertësh të huaj do të duhej të kontraktoheshin nga shteti për trajnimin e rinisë kosovare – kjo me qëllim të zgjerimit të njohurive, perspektivave e botëkuptimeve për kulturën e punës, sjelljes e adaptimit të modeleve europiane e amerikane.

Këto programe kanë kosto, por kostoja më e madhe e vendit do të ishte humbja e gjeneratave të reja të cilat veç me një këmbë ndodhen brenda vendit. Kështu që, duke u mbështetur mbi sloganin “punë dhe drejtësi” të partisë në pushtet, është domosdoshmëri që retorika të përkthehet në veprim. Për këtë, zgjerimi i programeve për rininë nuk është zgjidhje, por nevojë esenciale.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.