PDK-ja po jep lajme të mira për RTK-në. Veçanërisht për menaxhmentin e televizionit publik. Por, këto nuk janë lajme të mira për taksapaguesit që jetojnë në tregun privat, që nuk e kanë të garantuar buxhetin kombëtar, u eci apo sëu eci puna mbarë dhe gjithë të tjerët që do e përkrahnin transmetuesin publik të jepte lajme kritike për partinë më të votuar.
Pa kaluar pesë vjet qëkur është aprovuar Ligji për Radio-Televizionin e Kosovës (RTK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka filluar përsëri ndryshimin e tij. Kuvendi i Kosovës nën trysninë ndërkombëtare ka ftuar shoqërinë civile në diskutimin publik që pritet të mbahet të mërkurën.
Ky blog argumenton se propozimet aktuale janë të panevojshme dhe se nisma ligjore është taktikë e partisë më të votuar në pushtet për të ruajtur status quo-në. Ndryshimet nuk do të rezultojnë në një transmetues të pavarur redaktorialisht e financiarisht, siç kinse ka qëllim modifikimi në fjalë.
Në dëgjim publik duhet të kërkohet që ligji të mos procedohet tutje.
Çfarë ka propozuar PDK-ja?
Më 26 janar, deputetja Xhevahire Izmaku propozoi ndryshimin e mënyrës së financimit të transmetuesit publik dhe procedurës për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të tij.
Është propozuar që radiotelevizioni publik të përfitojë financiarisht në katër mënyra. Çdo vit t’i ndahet me automatizëm 0,4 për qind e buxhetit shtetëror, t’i caktohet një tarifë fikse mujore prej 2.5 eurosh në faturat e energjisë elektrike, të ketë të drejtën të vazhdojë të mbledhë të hyra nga marketingu dhe në rast nevoje t’i mundësohet buxhet shtesë nga shteti për investime kapitale.
Izmaku po ashtu ka propozuar që drejtori i përgjithshëm i RTK-së të zgjedhet më lehtë, me shumicë të thjeshtë të votave të bordit, me mandat prej tre vjetësh dhe me mundësi të pakufizuar të rizgjedhjes. Aktualisht drejtori zgjedhet me dy të tretat e votave të bordit me mandat tre vjet dhe me mundësi të rizgjedhjes me konkurs vetëm edhe për një mandat pasues. Fjala konkurs nuk figuron në propozimin e ri.
Me ligjin në fuqi, transmetuesi publik, që punëson të paktën 700 veta, shpenzon në baza vjetore 0,7 për qind të buxhetit dhe ka të drejtë që të përfitojë të hyra edhe nga marketingu. Me insistimin e BE-së me ligjin që tash është në fuqi, ishte planifikuar që deri më 2015 RTK-ja të kalonte në parapagim dhe të mos ishte më e varur nga shteti, gjë që nuk ka ndodhur. Parapagimi ishte propozuar nga ekspertë ndërkombëtarë. Më 2012 ishte vetë PDK-ja ajo që kishte votuar pro kalimit të financimit në parapagim ndërsa katër vjet më vonë ka ndërruar mendje.
Transmetuesi publik duhet të ekzistojë i pavarur dhe në shërbim të publikut. Ka nevojë për mbështetje institucionale dhe financiare pasi që gazetarët operojnë në kushte të rënda, pa infrastrukturë të duhur dhe pa pronë të tij. Mirëpo, modeli i financimit aktual, pra nga shteti, nuk i ka ndihmuar transmetuesit as të bëhet me pronë e as të përmirësojë kushtet e gazetarëve. RTK-ja dhe PDK-ja nuk kanë ofruar ndonjë sqarim për të bindur publikun që propozimi aktual i tyre – pra, vazhdimi i financimit shtetëror, do ta ndryshojë gjendjen aktuale.
Në vend se të pajtohet me propozimet tendencioze dhe tinëzake të PDK-së, RTK-ja duhet me vetiniciativë të angazhohet në përmbushjen e misionit të saj duke provuar me çdo kusht që të pavarësohet nga kuleta e shtetit. Pavarësia financiare do t’ia mundësonte RTK-së që të fokusohej në kualitetin e informacionit që ofron, për të cilin me të drejtë kritikohet vazhdimisht. Ndryshe, nisma si kjo duke mos u kundërshtuar hapur nga bordi dhe menaxhmenti i RTK-së duket së në fakt mbështeten në heshtje.
Deri më tani nuk është raportuar se RTK-ja ka bërë përpjekje serioze për të kaluar në parapagim, ashtu siç e obligon ligji. Transmetuesi i ka të gjitha kushtet që të pavarësohet: bazën ligjore, infrastrukturën përmes operatorit energjetik dhe mbështetjen nga publiku dhe komuniteti ndërkombëtar. Parapagimi deri më 2009 ka funksionuar përmes operatorit energjetik, nuk është kundërkushtetues siç gabimisht pretendohet, dhe rekomandohet si metoda më efikase.
Financimi përmes katër mënyrave, përveç që nuk është në vetë interesin e RTK-së, nuk është i drejtë nga aspekti i konkurrencës as në raport me televizionet private që mezi ia dalin të mbijetojnë nga marketingu. Çështja e pronës dhe investimeve kapitale duhet të rregullohen me ligj dhe buxhet të veçantë dhe jo të shfrytëzohen si arsye për vazhdim të financimit shtetëror.
Sa i përket ndryshimit për zgjedhjen e drejtorit, edhe pse një gjë e tillë mund të jetë ligjërisht e pranueshme, duket që iniciativa ka më shumë për qëllim të sigurojë vazhdimësinë e udhëheqjes aktuale sesa të sigurojë pavarësinë editoriale. Nga transmetuesi publik pritet që ta informojë publikun në mënyrë objektive dhe neutrale. Duke i ofruar mandat të përhershëm menaxhmentit aktual që akuzohet për anim politik, është vështirë e besueshme se ndryshimi ligjor do të rezultojë me një RTK më profesionale. Ky argument mbështetet në sjelljen e deputetes Izmaku e cila nuk ka ofruar dhe refuzon të ofrojë argumente se pse ky ndryshim është edhe në interes të publikut, e jo vetëm në interes të partisë së saj. Përkundrazi, ajo më 8 shkurt nuk u tregua e sinqertë dhe mohoi para gazetarëve të ketë propozuar këto ndryshime, ndonëse në dokumente figuron emri i saj.
Në vend se të ushtrojë mbikëqyrje parlamentare legjitime, PDK-ja gjithmonë është angazhuar fuqishëm që të kontrollojë transmetuesin publik, shpesh përmes deputetëve të saj të cilët me fanatizëm ruajnë gjendjen aktuale jo të mirë në RTK. Këtë e dëshmon fakti se në vend që ndryshimi i ligjit të iniciohej nga qeveria siç ndodh rëndom, ai u nis nga PDK-ja që shfrytëzoi një mundësi ligjore që lejon deputetët të ndërmarrin nisma ligjore. Iniciativa është mbajtur aq fshehtë sa që fillimisht mediat nuk u lejuan fare të përcillnin punën e komisionit parlamentar. Presioni nga mediat, opozita, sindikata e transmetuesit publik dhe reagimi qortues i Zyrës së Bashkimit Europian e detyroi Izmakun që të tregohej më transparente.
Ndryshimi i Ligjit për RTK-në nuk është i nevojshëm sepse ka për qëllim ta mbajë atë nën kontroll financiar dhe ta akomodojë menaxhmentin aktual. Nisma është ushtrim i kushtueshëm financiarisht dhe kohor për deputetët më dembelë në historinë e Kuvendit të Kosovës që nga pavarësia. Të mërkurën në dëgjim publik shoqëria civile dhe sindikata e radiotelevizionit duhet të kundërshtojnë këtë iniciativë në tërësi dhe të kërkojnë mbështetje për kalim në parapagim ashtu siç parashihet me ligjin aktual të votuar nga PDK-ja.