Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Personat me HIV në Kosovë dhe sfidat në marrjen e shërbimeve gjatë pandemisë

Edhe pse bota në dekadat e fundit ka bërë progres domethënës sa i përket ofrimit të kujdesit dhe mbështetjes për personat e infektuar me HIV, megjithatë objektivat relevantë globalë për vitin 2020 nuk u arritën. Kështu, HIV-i mbetet një ndër çështjet me rëndësi të posaçme të shëndetit publik, që në fakt i afekton miliona njerëz gjithandej nëpër botë. Ndarja, pabarazia dhe shpërfillja e të drejtave të njeriut janë disa nga dështimet që lejuan që HIV-i të shndërrohej dhe të mbetej akoma një krizë globale shëndetësore.

Tema bosht e Ditës Botërore të AIDS-it për këtë viti është: “T’u japim fund pabarazive: fund AIDS-it”. Qëllimi është që të vihen në pah pabarazitë në rritje në aksesin ndaj shërbimeve thelbësore të HIV-it. Që nga fillimi i pandemisë – siç mund të merret me mend – është vështirësuar marrja e shërbimeve esenciale, duke e bërë jetën e shumë njerëzve që jetojnë me HIV dhe AIDS më sfiduese. Të dhënat e fundit që dalin nga studimet empirike tregojnë se personat që jetojnë me HIV kanë rezultate shëndetësore më të dobëta si pasojë e Covid-19 – duke përfshirë këtu norma më të larta të sëmundjeve të rënda që kërkojnë shtrimin në spital – krahasuar me persona pa diagnozë të HIV-it, gjë që thekson më tej urgjencën rreth kësaj çështjeje.

Pandemia vazhdon të sfidojë rrjedhën normale të jetës. Masat e ndërmarra për ta kontrolluar virusin dhe riorientimi i resurseve shëndetësore në luftimin e përhapjes së virusit kanë vështirësuar punën në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin e grupeve të rrezikuara, siç̧ janë̈ personat që jetojnë me HIV dhe AIDS. Kjo gjë̈ ka kërcënuar përparimin drejt synimeve globale për eliminimin e këtij virusi dhe ka pasur ndikim negativ në të drejtat e personave që jetojnë me HIV. Në fakt, për dy vjet me radhë, Covid-19 po përkeqëson pabarazitë dhe ndërprerjet e shërbimeve për këta persona.

Në një raport të hartuar këtë vit nga Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë, i përkrahur nga Fondi për Zhvillim Komunitar, përmes grantit të Fondit Global që lufton AIDS-in, Tuberkulozin dhe Malarien (grant që implementohet për vite me radhë në Kosovë), i emërtuar: “Qasja në shërbime të kujdesit shëndetësor të personave të prekur me Virusin e Imunodeficiencës Humane (HIV) dhe me Tuberkuloz (TB), gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 në Kosovë”, konstatohet shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, meqë autoritetet përkatëse nuk kanë arritur t’i përmbushnin detyrimet kushtetuese dhe ligjore kundrejt personave të infektuar me HIV dhe AIDS, si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia Covid-19.

Sipas këtij raporti, mospërmbushja e detyrimeve kundrejt kësaj kategorie në Kosovë ishte e lidhur kryesisht me mosfunksionim të aparaturave për matjen e qelizave CD4 dhe ngarkesës virale (që janë esenciale për gjendjen shëndetësore të të infektuarve), furnizimin me reagensa, mungesën e terapisë̈ dhe trajtimin pediatrik për fëmijë̈ si dhe obligimin e pacientëve për testim të detyrueshëm për HIV para ndërhyrjeve kirurgjike në të gjitha klinikat në Kosovë, etj.

Në raport evidentohet se pjesa më sensitive e gjetjeve konsiston në deklarimet e pacientëve me HIV dhe AIDS. Sipas këtyre të fundit, të cilët ishin intervistuar, profesionistët shëndetësorë shpeshherë nuk i trajtojnë në mënyrë profesionale, duke i nëpërkëmbur gjatë dhënies se shërbimeve dhe duke i bërë të ndihen të përbuzur dhe të fyer. Si pasojë e nivelit të lartë të stigmatizimit dhe paragjykimeve në të cilat ata hasin, shpeshherë gjatë marrjes se shërbimeve të ndryshme shëndetësore janë të detyruar që të mos e tregojnë statusin e tyre HIV pozitiv.

Përpos sfidave që lidhen më marrjen e shërbimeve shëndetësore, personat që jetojnë me HIV në Kosovë përballen edhe me të tjera vështirësi. Nga hulumtimet e kryera me herët mund të konkludohet fare lehtë se privatësia dhe konfidencialiteti nuk respektohen në shkallën e duhur nga profesionistët shëndetësorë̈. Në fakt, veprime të tilla nuk shkelin vetëm të drejtat e njeriut për privatësi, por ndikojnë që personat me HIV të hezitojnë të kërkojnë shërbime të caktuara shëndetësore. Përvojat e personave me HIV në Kosovë, sa i përket privatësisë dhe konfidencialitetit, fatkeqësisht janë tejet negative.

Covid-19 gjithashtu ka efekte të dukshme psiko-sociale te personat që jetojnë me HIV. Sipas gjetjeve të vitit 2020 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rritja e stresit dhe depresionit për shkak të Covid-19 mund të çojë në mungesë të vetëkujdesit në lidhje me HIV-in. Është shumë e rëndësishme që të rritet kujdesi për shëndetin mendor gjatë kësaj periudhe. Fatkeqësisht, akoma ekziston një nivel i lartë i stigmës sa i përket marrjes se shërbimeve psiko-sociale, e sidomos në mesin e grupeve specifike. Stigma e lidhur me problemet e shëndetit mendor mund të shkaktojë ngurrim për të kërkuar mbështetjen e nevojshme si për Covid-19, ashtu edhe për gjendjen me HIV. Duhet theksuar se shërbimet e shëndetit mendor nuk janë të integruara brenda kornizës të ofrimit të kujdesit për HIV në institucionet publike në Kosovë. Kështu, shërbimet e tilla, personat që jetojnë me HIV por edhe familjarët e tyre, mund t’i marrin vetëm në kuadër të organizatave të specializuara joqeveritare vendore.

Institucionet shtetërore duhet të përgjigjen në mënyrën e duhur ndaj situatës së krijuar dhe pasojave afatgjata që Covid-19 ka në mirëqenien e personave me HIV. Andaj, masat e ndërmarra duhet të përshtaten në bazë të kushteve ekonomike e shëndetësore të Kosovës. Mungesa e një strategjie adekuate në raport me ndërmarrjen e masave që lidhen më pasojat e Covid-19 do të ndikojë negativisht në shëndetin e personave me HIV në Kosovë.

Është shumë e rëndësishme që të këtë një mbikëqyrje rigoroze sa i përket gjendjes shëndetësore dhe psikologjike të personave me HIV, duke qenë se kjo është kruciale për mirëqenien e tyre. Mungesa e përmbushjes se detyrimeve nga ana e institucioneve shëndetësore në raport me nevojat e personave me HIV ndikon negativisht në menaxhimin e sëmundjes. Po ashtu, duhet punuar në ngritjen e kapaciteteve të nevojshme në mesin e punëtorëve shëndetësorë duke krijuar mekanizmat e kontrollit dhe njëkohësisht t’u jepet mundësia pacientëve t’i shprehin ankesat e tyre në lidhje me nevojat evantuale me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve që ata marrin.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.