Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Policia, protestat dhe forcimi i integritetit

Muajt e fundit do të mbahen mend si një prej periudhave më dinamike në skenën politike të vendit që nga paslufta. Mosmarrëveshjet politike të cilat ende po vazhdojnë si pasojë e dialogut të Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë në Bruksel dhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi kanë nxjerrë në sipërfaqe edhe më shumë hendekun pozitë-opozitë. Sidoqoftë, këto nuk duket se janë arsyet e vetme të barrikadimit të të dyja taborëve politike në pozicionet e veta.

Manifestimi i pakënaqësisë opozitare përmes protestave dhe formave të tjera të shprehjes së pakënaqësisë politike (qoftë në Kuvendin e Kosovës apo në rrugë) ka shtruar edhe çështjen e rolit të forcave të rendit, përkatësisht Policisë së Kosovës. Në të vërtetë, jo vetëm në këto raste, Policia ka qenë e sfiduar seriozisht në ruajtjen e rendit publik në vend dhe, për më tepër, në ruajtjen e paanshmërisë përballë ndërhyrjeve të jashtme. Institucioni i policisë iu nënshtrua një presioni të madh politik nga pozita e opozita duke u bërë pjesë e diskursit publik ku, marr parasysh një institucion ende në konsolidim e sipër, kjo do të mund të ketë ndikuar në gatishmërinë vepruese të policisë.

Pikërisht, në vazhdën e këtyre presioneve, ishte më se e rëndësishme që të bëjmë analizimin e opinionit publik në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, përmes programit ‘Barometri Kosovar i Sigurisë’. Sipas rezultateve të Barometrit për vitin 2015, Policia e Kosovës vlerësohet nga qytetarët si ndër institucionet më të besueshme në vend. Kjo i bie që Policia gëzon besueshmëri të kënaqshme në opinionin publik ndonëse ajo po ballafaqohet me shumë sfida dhe gjendet në një pozitë aspak të favorshme, veçanërisht muajve të fundit. Në këtë mënyrë, 56 për qind e qytetarëve të anketuar kishin deklaruar se i besojnë punës së Policisë. Nëse krahasohet me periudhat e mëparshme, del që ky trend i besimit është rritur në mënyrë të konsiderueshme kohëve të fundit. Për ta ilustruar këtë, në vitin 2014 qytetarët i besonin më pak forcave të rendit me gjithsej 42. 4 për qind. Këto statistika flasin se besimi në Polici është rritur rreth 13 për qind në vitin 2015. Pra, në përgjithësi për Policinë ekziston një perceptim pozitiv në sytë e publikut.

Rritja e besueshmërisë në Polici mund të analizohet përmes disa faktorëve. Së pari, ky institucion ka arritur të shënojë rezultate të prekshme në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe mbikëqyrjen e grupeve ekstremiste në vend. Ndërkohë, roli i Policisë në ruajtjen e rendit publik dhe në menaxhimin e turmave gjatë protestave të ndryshme (duke përfshirë edhe ato të dhunshme) mund të ketë ndikuar në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj forcave të rendit, duke u ballafaquar në të njëjtën kohë me trysni të madhe politike qoftë nga pushteti, qoftë nga opozita. Duke u nisur nga fakti që Policia e Kosovës prej themelimit të saj ishte ndërtuar mbi një bazë deri diku të shëndoshë, një trashëgimi e tillë ka vazhduar deri më sot duke bërë që Policia të shihet si institucion i organizuar në mënyrë të mirëfilltë. Për më tepër që në këtë fazë kritike të shtetndërtimit, mund të thuhet se Policia e Kosovës është ndër të paktat institucione vendore që ka arritur të krijojë praktikë të mirë të funksionimit, dhe qytetarët kanë treguar vazhdimisht se kanë respekt për uniformën e Policisë.

Gjithashtu, Barometri ka nxjerrë në pah se Policia është institucioni me të cilin qytetarët kanë më së shumti kontakt për çështje të ndryshme që ndërlidhen me sigurinë. Si pasojë e kësaj, 58 për qind e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Policinë e Kosovës. Në këtë rast mund të ketë ndikuar vetë natyra e punës së Policisë që ngërthen mbrojtjen e jetës, ofrimin e sigurisë së përgjithshme për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe shtrirja gjeografike e Policisë, ku është e pranishme në tërë territorin e vendit.

Pavarësisht kësaj, ky trend i besueshmërisë reflekton vetëm mendimet e qytetarëve për Policinë gjatë vitit 2015, ku siç shihet qartazi, opinioni publik e vlerëson punën e Policisë si pozitive.

Megjithatë, sa i përket çështjes së integritetit dhe forcimit të kapaciteteve të veta profesionale, ky institucion ka nevojë të pësojë ndryshime, përkatësisht të përmirësojë mekanizmat e vet për të evituar dobësitë në funksionim.

Në rend të parë, sa i përket menaxhimit të burimeve njerëzore, Policia duhet të kalojë nëpër procesin e reformimit të brendshëm, duke e ditur që është ndër policitë më të ‘vjetra’ në rajon sa i përket moshës së zyrtarëve policorë. Ndërsa, për të pasur një polici të përgjegjshme, llogaridhënëse e të paanshme, Policia duhet të ketë planin e integritetit. Jo vetëm kaq, por një plan i tillë do të duhej të vihej në praktikë për të testuar profesionalizimin e policëve dhe përmbushjen e autorizimeve të tyre policore në mënyrë sa më efikase, si dhe në luftimin e korrupsionit brendapërbrenda Policisë. Në këtë drejtim, roli i Inspektoratit Policor të Kosovës duhet të jetë më aktiv në mbikëqyrjen e Policisë, sidomos përmes testit të integritetit të zyrtarëve policorë, duke përfshirë këtu edhe profilin e lartë të Policisë – me qëllim të profesionalizimit të kësaj të fundit.

Përveç kësaj, Policia e Kosovës duhet t’i kushtojë një vëmendje të veçantë forcimit të pavarësisë në radhët e veta. Presioni publik me të cilën janë ballafaquar forcat e rendit si pasojë edhe e zhvillimeve të fundit politike në vend do të duhej t’i shërbejë Policisë si mësim për të forcuar imazhin e saj se është në shërbim të qytetarëve si institucion i zbatimit të ligjit.

_________________

Hulumtimi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë për perceptimin publik lidhur me integritetin në Policinë e Kosovës gjendet këtu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.