Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Politika e Strucit si frikë dhe shpresë

Politika e Strucit si frikë dhe shpresë

Disa fjalë mbi filmin e animuar “Politika e Strucit” (Ostrich Politic) që do të shfaqet në edicionin e X të Anibar.

Një fjali goxha cinike që e karakterizon mospranueshmërinë e argumentit, aq e hovshme saqë buron diku nga thellësia e barkut, është fjalia popullore: “Mos do që të ta vizatoj?”. Gjuha teknike e manipulative e politikanëve, politikat që favorizojnë aksh interesi, fenomenet shoqërore që për zanafillë kanë politikat e politikanët, domosdo dhe vazhdimisht kanë nevojë për dekonstruktime. Dhe këtë punë, siç edhe kemi mundur ta kuptojmë tashmë, më së miri e kryen njëfar arti audiovizuel, që ndryshe njihet si animacion.

Sa për ilustrim, një prej mënyrave për të dekonstruktuar politikat – në këtë rast ato ambientaliste – të politikanëve sot, mund të merret si referencë filmi i shkurtër i animuar “Politika e Strucit” (Ostrich Politic), i regjisorit libanez, Mohammad Houhou.

Image

Në një botë normale të strucave (që si paralele ka rutinën e homo sapiensëve të shekullit 21), një politikë shtetërore e synon të vërtetën: pas zbulimit të fundit shkencor duhet të rrëzohet biologjia e strucave. Një shkenctar struc argumenton se mbulimi i kokës së llojit të tyre ka qenë gabim biologjik dhe nuk ka të bëjë asgjë me sjelljet e tyre instinktive. Kjo gjetje kodifikon ndalimin e mbulimit të kokës. Ditë më pas, kjo politikë e prodhon kaosin. Si e kundërt që është, përkundër se paria udhëheqëse e shtetit jep shpresë për sinkronizimin e shkencës me politikbërjen, ajo kthehet prapa. Zbulimi i kokës për kohë të gjatë ua dëmton strucave dëgjimin; ekspozimi i gjatë në diell u shkakton atyre impotencë duke ndikuar drejtëpërdrejt në sistemin e riprodhimit; u dëmtohet të pamurit dhe sistemi neuromuskular.

Animacioni i realizuar me narrativë poetike, ravijëzon botëkuptimet ambientaliste dhe thelbësisht të ndryshme të Barack Obamas dhe Donald Trump. Realizimi i këtij animacioni rreth gjashtë minutësh të sjellë ndërmend pamjet dhe mesazhet e filmave siç janë “Kohët Moderne” (Modern Times) të Charlie Chaplin, koreografitë e regjisorit Busby Berkeley, dhomën e emergjencës së “Dr. Strangelove” të Stanley Kubrick, e të ngjashme.

Sidoqoftë, vështirë që ky animacion të mos lexohet përmes lenteve dikotomike: ka shpresë që një herë dhe një ditë vizioni i politikanëve të jetë në shërbim të njerëzve; mbajtja e gjatë e kokës në dhe, për strucat (lexo: njerëzit), është më e rrezikshme se sa biologjikja. Deri atëherë, ashtu siç e përmbyllë ky varg filmin, mes të njohurave dhe të panjohurave, diku në honet e errësirës, gjindet diku shpresa.

“Kështu ne endemi në zymtësi,

me një shkëndijë ndezur në shpirt.

Nëse poezia mashtroi rrugën e së vërtetës,

jemi mashtruar edhe ne,

duke e ditur”.

P.S.

Animacionet asnjëherë nuk mund të jenë të rastësishme dhe vetëm të një moshe. Ato shfaqen si cinike, të vrazhda e perverse. Ato e konstruktojnë gjithmonë të ardhmen, domethënë shoqërinë viteve që vijnë, kurrë të keqen e tashme, domethënë politikën e mbrapshtë aktuale.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.