Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Politikja në dialogun Kosovë – Serbi

Përhapja e politikës demokratike i bën disa të besojnë se demokracia liberale është universale dhe se jetojmë në një botë ‘post-politike’, pa konflikt dhe që qeveriset me konsensus. Ata harrojnë se politika demokratike pjesëmarrëse është politikë e masave dhe se konkurrenca e lirë politike i bën antagonizmat në shoqëri përcaktues të asaj që është politike për nga natyra. Nisur nga premisa se mohimi i antagonizmave në shoqëri është thellësisht gabim, Chantal Mouffe dhe studiues të tjerë kritikojnë politikën ‘post-politike’ duke e ripërkufizuar politiken.

Politikja i referohet vendit që zë në shoqëri veprimtaria njerëzore që është e pastër politike. Ajo është gjendja që i jep substancë politikës dhe baza që përcakton veçantinë dhe dallueshmërinë e saj nga politika siç zakonisht kuptohet dhe praktikohet ajo. Politikja, pra, është politika në pastërtinë e saj, kthimi i politikës te vetvetja, ‘gjendje ideale’ ku politika manifestohet si ‘e vërteta e pastër’ e distiluar nga, ta zëmë, ekonomia ose drejtësia. Kjo nuk nënkupton se politikja është utopike, por përkundrazi idealin – cak që ik e që mund të mos arrihet ndonjëherë – të cilit politika duhet t’i afrohet sa më shumë që të jetë e mundur. Duke pretenduar se antagonizmat janë ato që e bëjnë politikën politike, Mouffe kundërshton rënien e vazhdueshme të vlerës së politikes në demokracitë e zhvilluara, përkatësisht pikëpamjen se sa më i konsoliduar një shtet dhe sa ma e vetëdijshme politikisht shoqëria përkatëse, aq më relative është politikja.

Nga vet dizajni i sistemit të saj politik, bazuar në politikën liberale ‘post-politike’ konsensuale Perëndimore, shtetësia e Kosovës sfidon këtë konceptim të politikes. Po kështu, dhjetë vjet pas, dialogu i normalizimit me Serbinë ka qenë faktikisht gjithçka tjetër përveçse politik. I bazuar në premisën e politikës konsensuale dhe marrë parasysh të kaluarën konfliktuale Kosovë – Serbi, ai është privuar qëllimisht nga politikja. Kjo ka kontribuuar në dështimin për të arritur raison d’etre të tij: normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura që synojnë anëtarësimin në BE.

Për shkak të politikës së saj konsensuale, BE e ka përkufizuar atë në mënyrë të paqartë, si ‘normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve përmes një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme’, që duhet arrirë nëpërmjet dialogut. Kjo nënkupton njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, pasi që vetëm shtetet mund të bëhen anëtarë të BE-së, por Serbia nuk sheh arsye ta njohë Kosovën në mungesë të kërcënimit imediat të humbjes së anëtarësisë në BE. Kështu, funksioni i dialogut është çoroditur në trajtimin e pseudo-çështjeve margjinale dhe normalizimi është peng i dizajnit të tij, pasi që dialogu synon zgjidhjen e një problemi në një situatë jo domosdoshmërisht antagoniste, dhe si i tillë injoron antagonizmin: një Serbi që kërkon ta rimarrë nën kontroll Kosovën sipas kushteve të saj, duke e zhbërë shtetësinë e saj, dhe një Kosovë që ka nevojë për njohjen e saj.

Parë sipas përkufizimit të politikes nga Mouffe, pasi që ky antagonizëm është i paçrrënjosshëm, duhet të ketë negociata për të arritur një marrëveshje. Me fjalë të tjera, politikja e normalizimit kërkon që të ripërkufizohet qëllimi i tij nga Kosova si problem që duhet zgjidhur në pranimin e paçrrënjosshmërisë së këtij antagonizmi dhe zyrtarizimit të normalitetit të kësaj përmes njohjes reciproke. Ndonëse dialogu deri më tani ka sjellë disa ndryshime pozitive – të cila do të mund të ishin arritur përmes mekanizmave të bashkëpunimit rajonal të sponsorizuar nga BE – ka qenë dhe vazhdon të rrëshqasë nga raison d’etre i tij. Prandaj është vitale për Kosovën që të këmbëngulë në rëndësinë parësore të politikes duke mos nënshkruar ndonjë marrëveshje tjetër, sado emra eufemistikisht tërheqës që mund të gjejnë diplomatë karrieristë, në mënyrë që e tërë ndërmarrja të mos fundoset më tej drejt ndonjë ‘entropie politike’.

‘Metoda e Monnet-së’ (“Kur ngecni në negociata, zgjeroni fushëveprimin!”) nuk vlen në këtë dialog nëse nuk riformulohet si negociata fushëveprimi i të cilave mund të zgjerohet në të ardhmen, pas mbylljes së politikes së tij. Kjo do të mund të nënkuptonte normalizim në disa faza: së pari një marrëveshje e njohjes reciproke, e më pas disa të tjera që do të normalizonin marrëdhëniet bilaterale. Por, kjo metodë është zbatuar në mënyrë të çoroditur qe një dekade: duke zgjeruar fushëveprimin në dëm të Kosovës ndërsa ajo nuk ka korrur aq frute të përfitimeve të proklamuara zëshëm për prosperitet ekonomik dhe përmirësimit të jetesës së qytetarëve. Për të përmendur vetëm disa, pezullimi i përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare; qasja e Serbisë në Liqenin e Ujmanit dhe në Adriatik; një ‘asociacion’ kundër-kushtetuese, një kuazi-shtet potencial renegat brenda shtetit; idetë për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe diçka si ‘Ahtisaari+’, ndonëse shpesh ajo vihet në shërbim të agjendës politike të Serbisë për të minuar shtetësinë e Kosovës dhe duke shkelur parimin e shtetit laik.

Politikja e normalizimit Kosovë – Serbi kërkon që BE të ndalë përpjekjet për të mohuar ose zgjidhur të gjithë antagonizmat. Ajo gjithashtu duhet t’i japë fund vetë-nënçmimit politik duke besuar se dialogu aktual është i dobishëm edhe nëse mund të zgjidhë vetëm ndonjë ndërlikim të vogël mbi ndonjë urë, sado e ngarkuar me politikë etnike. Ajo duhet ta depolitizojë politiken dhe ta bëjë politikën e saj më politike.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.