Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pse pastrimi i UP-së është prioritet kombëtar

Prej jashtë, të paktën për ne që s’kemi lidhje me UP-në, por që si ish-studentë i kuptojmë çështjet akademike, rektori Ramadan Zejnullahu po duket si njeri me mision fisnik.

Disa mund ta konsiderojnë qasjen e tij – bllokimin e punës së Senatit për shkak të shkeljes së kritereve në avancimet akademike – si shumë radikale. Kërkojnë pak pragmatizëm që të zhbllokohet situata. Edhe Ministri Bajrami madje reagoi duke thënë se UP-ja megjithatë “nuk është Kembrixh”.

Se UP-ja nuk është Kembrixh, këtë askush asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim. Por problemi në fakt është se, në shumë aspekte, sidomos për nga kriteret akademike, ky nuk meriton të quhet as universitet.

Prandaj qasja radikale e rektorit, për të mos bërë kompromise me kriteret e avancimeve, duket si gjëja më e vogël që ai mund dhe duhet të bënte në rrethanat e sotme, për t’ia mbrojtur UP-ës edhe atë pak kredibilitet që i ka mbetur.

Them e pakta, sepse gjëja më e drejtë dhe e duhur të cilën ai në fakt do të duhej ta bënte me ndihmën e qeverisë – për shkak se kemi të bëjmë me një çështje të interesit madhor kombëtar, është e përligjur një ndërhyrje në autonominë e UP-së – është një proces i rivlerësimit të tërësishëm të titujve akademik.

Por një proces i tillë natyrisht do të bllokohet me ngulm, sepse do ta nxirrte UP-në cullak për atë që është – një institucion intelektualisht dhe moralisht i bankrotuar. E vërteta e hidhur është se UP-në sipas çfarëdo kriteri të mirëfilltë akademik do të duhej mbyllur, për t’ia nisur edhe njëherë dhënien e titujve dhe rekrutimin e stafit akademik prej zeros.

Nuk duhet të jesh ndonjë akademik i sofistikuar për ta kuptuar faktin se çfarë skeme mashtruese e certifikimit të dijes dhe vlerave janë bërë universitetet tona.

Kushdo që e ka pasur fatin për të shkelur në institucione akademike në botën e jashtme, e di se me çfarë rigoroziteti trajtohet puna shkencore, apo se çfarë kriteresh strikte kërkimore, metodologjike, etike, etj duhen përmbushur gjatë punës për një punim të thjeshtë akademik në nivelin bachelor, e mos të flasim pastaj për të fituar titull magjistri apo doktori të shkencës.

Dhe siç vunë re në komentet e tyre edhe Agron Demi dhe Krenar Gashi, shumica e punimeve të doktoratës të miratuara pas vitit 1999, të bëra publike të paktën në Fakultetin Filozofik, nuk i përmbushin as kërkesat elementare për t’u konsideruar si punime akademike, madje as për nivelin bachelor.

Shumica prej tyre madje kanë përmbajtje aq skandaloze, saqë të vjen të fshihesh diku prej turpit nga fakti se në vendin tënd njerëz të tillë konsiderohen doktorë shkence!

Me fjalë të tjera, po të vinin këtu doktorë shkence jo nga Kembrixhi, por nga universiteti më i dobët i Anglisë apo edhe ndonjë cep i humbur i Sllovakisë, ata kurrë nuk do të mund të miratonin doktorata të sojit që janë miratuar në UP.

Pse kjo punë paska kaq shumë rëndësi?

E para, si çdo punë jocilësore dhe si çdo mashtrim, miratimi i doktoratave të tilla dhe dhënia e pozitave ligjëruese njerëzve të tillë përbën padrejtësi ndaj gjithë atyre që bëjnë punë cilësore dhe të ndershme.

Sot armata e mediokërve ua zë vendin nëpër institucione akademike gjithë atyre që heqin të zitë e ullirit në programe 3-5 vjeçare të doktoratave në universitete serioze, apo edhe atyre që kanë punuar ndershëm në UP por që anashkalohen sepse shihen si kërcënim.

E dyta, duke qenë certifikues të dijës, në një shoqëri ku “profa” është figurë e respektuar dhe e pakontestueshme – madje, siç pata shkruar më herët, shpesh edhe e shenjtëruar – armata e mediokërve do të vazhdojë të fitojë autoritet moral te gjeneratat e reja, duke shërbyer jo vetëm si shembull i keq, por duke prodhuar edhe më shumë nga soji i vet në botën akademike, por edhe përtej saj.

Dhe nëse dekadat e fundit na kanë mësuar diçka, atëherë ky mësim është se dhënia e këtij autoriteti moral mediokërve dhe hajnave të dijës – “profave” – ka bërë që ata të mund të depërtojnë deri në majat e institucioneve të vendit. Kjo bazuar në idenë se “profat” janë të ditur dhe se punët e shtetit u duhen lënë të diturve, anipse sistemi i certifikimit të kësaj dije është thellësisht i korruptuar.

Shumë prej këtyre profave të institucioneve përfunduan duke e sjellë edhe shtetin aty ku e sollën UP-në. Dhe e bënë këtë duke i nisur karrierat prej UP-së, si krimbi që kalb çdo gjë gjatë rrugëtimit të tij.

Është koha e fundit që të spërkaten krimbat qysh në burim.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.