Vendimi i presidentit Joe Biden për heqjen e ndalesës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë nga Ukraina për të goditur territorin rus ka rritur dukshëm tensionet me Rusinë. Këto tensione u thelluan më tej kur presidenti rus, Vladimir Putin, publikisht e konfirmoi se ushtria ruse kishte goditur qytetin ukrainas të Dnipros me një raketë balistike me rreze te mesme si kundërpërgjigje.
Për më tepër, Putini paralajmëroi se Rusia mund të përdorte këtë armë, me një rreze veprimi prej 800 kilometrash, edhe kundër vendeve që kanë lejuar Ukrainën të përdorë raketat e tyre për të goditur Rusinë.
Këto veprime ushtarake dhe deklaratat politike të palëve të përfshira, sipas shumë komentatorëve të politikës ndërkombëtare, u perceptuan si një përshkallëzim i situatës dhe si një rrezik potencial që konflikti mund të shpërthejë në një luftë bërthamore.
Megjithatë, edhe pse në dukje të parë deklaratat e lidershipit politik në Rusi krijojnë përshtypjen se një luftë e re botërore nuk është larg, nëse analizohet me kujdes sjellja e Putinit gjatë muajve të fundit, vërehet një përmbajtje për të mos përshkallëzuar konfliktin në një luftë të drejtpërdrejtë me Perëndimin.
Kjo përfshin edhe përdorimin e raketave të reja me rreze të mesme, hipersonike dhe të afta për ngarkesë bërthamore kundër objektivave ukrainase, një veprim që, megjithëse tregon fuqinë ushtarake të Rusisë, është përdorur me kujdes për të mos provokuar një reagim të drejtpërdrejtë nga NATO-ja.
Arsyet për këtë përmbajtje janë të shumta dhe strategjike. Fillimisht, Putini është duke fituar terren në fushëbetejë. Rusia ka më shumë trupa në vijat e frontit, përfshirë ato nga Koreja e Veriut, Jemeni dhe mercenarë nga vende të tjera. Gjithashtu, forcat ruse po marrin më shumë territor në juglindje të Ukrainës, me një ritëm më të shpejtë. Në këtë kontekst, përshkallëzimi i luftës me shtetet perëndimore do të ishte një rrezik i madh për Rusinë, me ç’rast do të prishte baraspeshën e forcave ushtarake.
Së dyti, presidenti i rizgjedhur amerikan, Donald Trump, ka kohë që deklaron se është shumë i interesuar t’i japë fund kësaj lufte, madje duke premtuar se kjo gjë do të ndodhë brenda ditës së parë të marrjes së mandatit të ri. Për Putinin, një ndryshim në udhëheqjen amerikane është një mundësi për të arritur një marrëveshje që do të ishte më e favorshme për Rusinë. Në këtë drejtim, mospërshkallëzimi i mëtutjeshëm i konfliktit mund të kontribuojë drejt krijimit të hapësirës për administratën e ardhshme amerikane për negociata potenciale.
Së treti, përshkallëzimi i luftës do të nënkuptonte një kosto më të lartë për Rusinë. Sanksionet e vendosura nga Perëndimi kanë pasur ndikim negativ në ekonominë ruse dhe një përshkallëzim eventual i konfliktit do të prodhonte pasoja edhe më të rënda. Putini e ka të qartë se, për të ruajtur mbështetjen e brendshme, ai duhet të shmangë një konflikt që mund të ndikojë në një përkeqësim dramatik të kushteve të jetesës për qytetarët rusë, të cilët veçse janë duke i përjetuar pasojat e luftës.
Nga ana tjetër, përshkallëzimi i konfliktit do të ishte një rrezik i madh edhe për Perëndimin. Kjo është arsyeja se përse SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, pavarësisht mbështetjes për Ukrainën, kanë qenë të kujdesshme në mënyrën se si e kanë menaxhuar situatën, duke u përpjekur të shmangin një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë. Edhe me dhënien e lejes për përdorimin e raketave të tyre për të sulmuar objektiva brenda Rusisë, Perëndimi po e kalon këtë kufi me kujdes të shtuar.
Kjo strategji e përmbajtjes nga të dyja palët tregon se, megjithëse retorika është përshkallëzuar, asnjëra palë nuk ka interes për të çuar konfliktin në një nivel të pakontrollueshëm.
Nga perspektiva e Putinit, ai tashmë po arrin disa nga qëllimet e tij strategjike: ai ka konsoliduar kontrollin mbi disa territore në Ukrainë dhe ka arritur të mbajë Perëndimin në një pozicion ku ata janë të kujdesshëm për të mos e provokuar tej mase Rusinë.
Putini po përpiqet të ruajë avantazhin në frontin e luftës, duke përdorur një retorikë agresive dhe kërcënuese, por në çdo rast duke ndërmarrë një përshkallëzim të kontrolluar. Shpeshherë, në deklarimet e tij, ai nënvizon se është i hapur për negociata, ndërsa vazhdon të tregojë fuqinë ushtarake të Rusisë dhe të paralajmërojë Perëndimin për pasojat e mundshme të veprimeve të tyre.
Në këtë kontekst, duke marrë parasysh baraspeshën e forcave në terren, rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në janar të 2025-tës dhe rrezikun potencial që mund të paraqesë një luftë e mundshme me vendet e NATO-s, duket se në këtë fazë Putini nuk ka interes të përshkallëzojë luftën në Ukrainë.