Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kosovo Dispatch

Qortimi që Censuron Gjykatësit

Ilustrimi nga Big Eye.

Gabimet procedurale të ish-kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, detyruan Kushtetuesen të mos pranojë në shqyrtim një rast për të drejtën e lirisë së shprehjes. Sikur të gjykohej, Ibrahimi me siguri do të fitonte përballë Këshillit Gjyqësor të Kosovës që e penalizoi atë vetëm pse guxoi të kritikonte publikisht prokurorinë.

Një kritikë me vend bërë sistemit prokurorial i ka kushtuar ish-kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimit, me qortim dhe humbje të mundësisë për promovim në detyrë.

Derisa intervistohej në emisionin “Puls” në “Koha Vision” më 29 qershor 2015, Ibrahimi pati deklaruar se nuk kishte opinion të mirë për Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe se në atë prokurori kishte pasur lëshime dhe veprime që mund të jenë kriminale (shih deklaratën në minutën 50:23).

Rreth dy javë pas transmetimit të emisionit, kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka ishte ankuar me sukses në Zyrën e Prokurorit Disiplinor (ZPD) nën pretendimin se deklaratat e Ibrahimit kishin “përdhosur dhe denigruar publikisht punën, integritetin dhe profesionalizmin e prokurorëve…”.

ZPD, më 4 dhjetor 2015, i kishte rekomanduar Komisionit Disiplinor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) ta shpallte Ibrahimin fajtor për sjellje të pahijshme dhe shkelje të Kodit të Etikës për Sjellje Profesionale për Gjyqtarë. Më 31 mars 2016, komisioni i lartpërmendur kishte vendosur që deklarata e Ibrahimit përbënte sjellje të pahijshme dhe i kishte shqiptuar atij masën disiplinore- qortim. Vendimi për qortim është publikuar i anonimizuar nga KGjK-ja.

Kur Ibrahimi kandidoi për një mandat të dytë në krye të Themelorës së Prishtinës në dhjetor 2016, duket që qortimi u përdor kundër tij. Ai nuk mundi të emërohej.

Ibrahimi e sfidoi vendimin në Kushtetuese, nën pretendimin se inter alia, me qortimin në fjalë atij i është shkelur e drejta e lirisë së shprehjes. Kërkesa e Ibrahimit është kërkesa e parë për shkelje të së drejtës së lirisë së shprehjes drejtuar gjykatës më të lartë në vend.

Nuk është e qartë pse Ibrahimi ka vendosur t’i drejtohet drejtpërsëdrejti Kushtetueses, ndonëse në vendimin për qortim, ai udhëzohet t’i drejtohet KGjK-së në rast mospajtimi. Kushtetuesja më 16 qershor 2017 shpalli të papranueshme kërkesën e Ibrahimit për mosshterim të mjeteve juridike. Shterimi i mjeteve juridike do të thotë që pala para se të ankohet në Kushtetuese duhet t’u drejtohet gjykatave themelore, të Apelit dhe Supremes dhe/ose të ndjekë procedurat tjera administrative. (Ka vlerësime të ndryshme rreth precedentëve që ka krijuar Kushtetuesja për shterimin e mjeteve juridike, por ato nuk do të trajtohen në këtë blog)

Sipas aktgjykimit, Ibrahimi kishte konsideruar “se vetë fakti që ai ka një pozitë specifike e cila ‘bart’ me vete të drejta, obligime dhe përgjegjesi të caktuara, vetvetiu duhet ta lirojë atë nga shterimi i të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj dhe të cilat qëndrojnë në dispozicion të tij,” arsyetim ky që është hedhur poshtë nga Kushtetuesja.

Arsyeja që ka shtyrë Ibrahimin të rrezikojë rastin e tij duke mos respektuar procedurat ligjore mbetet ende mister.  A ka menduar që Kushtetuesja nuk do t’i kërkojë që të shtjerrë mjetet juridike? Apo ka qenë ndonjë arsye tjetër e cila nuk reflektohet në aktvendimin e gjykatës. Përgjigjet do të mund t’i japë vetëm Ibrahimi që ende nuk ka folur publikisht për aktvendimin e Kushtetueses.

Përtej mosrealizimit të së drejtës së tij për liri të shprehjes, ai ka humbur mundësinë që të testojë edhe vetë Kushtetuesen në fushën e lirisë së shprehjes – e cila deri më tani nuk ka vendosur në asnjë rast të lirisë së fjalës – dhe eventualisht të krijojë precedent mbrojtës për kolegët e tij që guxojnë të kritikojnë publikisht.

Injorimi i GjEDNJ-së

Komisioni Disiplinor i KGjK-së në vendimin për qortim kishte vlerësuar se me deklaratën e bërë Ibrahimi kishte tejkaluar “kompetencat si kryetar dhe se ai për çdo problem është dashur t’i drejtohet KGjK-së”. Sugjerimi i KGjK-së është censurues dhe i rrezikshëm, sepse kështu ai tenton t’ua mbyllë gojën gjykatësve duke mos i lejuar të marrin pjesë në debate për çështje me interes publik.

Në vendim thuhet se Ibrahimi duhet të ruajë pavarësinë dhe paanshmërinë, por komisioni ka dështuar të ofrojë arsyetim se si komentet e Ibrahimit janë në kundërshtim me pavarësinë dhe paanshmërinë e tij. Aty janë kopjuar nene të ndryshme të cilat janë interpretuar gabimisht për çështje që nuk janë relevante në këtë rast, si p.sh konfidencialiteti i informatave.

Vendimi për qortimin e Ibrahimit që më shumë ngjason në një procesverbal, nuk e trajton të drejtën e lirisë së shprehjes në përputhje me standardet ndërkombëtare. Sipas nenit 53 të Kushtetutës, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore duhet të interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj).

Në një numër të madh rastesh, kjo gjykatë ka vendosur në favor të së drejtës së lirisë së shprehjes së gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve që publikisht kanë kritikuar ashpër sistemin gjyqësor apo prokurorial. Ata gëzojnë mbrojtje të lartë bazuar në nenin 10 të Konventës Europiane për Mbrojten e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (Konventa).

Në rastin Karzhev k. Bullgarisë, GjEDNj-ja ka vendosur në favor të prokurorit që kishte akuzuar për korrupsion kolegët e tij prokurorë. Në Baka k. Hungarisë, gjykata kishte vlerësuar se kryetarit të Gjykatës Supreme të Hungarisë Andra?s Baka i ishte shkelur e drejta e lirisë së shprehjes kur ishte larguar nga puna para përfundimit të mandatit për shkak se kishte kritikuar reformat gjyqësore. Në Morice k. Francës, gjykata kishte vendosur në favor të avokatit që kishte kritikuar dy gjykatës si të anshëm.

Bazuar në precedentët e krijuar deri më tani, GjEDNj-ja kërkon nga autoritetet vendore që në rastet e lirisë së shprehjes të marrin parasysh që zyrtarët publikë, përfshirë prokurorët dhe gjykatësit, duhet të jenë më tolerantë ndaj kritikave. Gjykata pret që ato të vlerësojnë fillimisht nëse deklaratat kanë të bëjnë me një temë me interes publik, t’i analizojnë ato në kontekst të zhvillimeve dhe jo të izoluara, të përcaktojnë nëse ato janë fakte apo opinion dhe të tregojnë kujdes të shtuar për caktimin e sanksioneve, sepse ato mund të kenë efekt frenues dhe mund të dekurajojnë zyrtarët nga marrja pjesë në debate publike.

KGjK-ja nuk ka përfillur asnjë kërkesë të GjEDNj-së dhe nuk e ka interpretuar të drejtën e lirisë së shprehjes së ish-kryegjykatësit të Themelores së Prishtinës bazuar në standardet ndërkombëtare. Rrjedhimisht, qortim dhe denigrim publik meritojnë anëtarët e KGjK-së që përmes vendimeve antikushtetuese tentojnë të censurojnë gjykatësit.

Po të kalonte kërkesa e Ibrahimit testin e pranueshmërisë, Kushtetuesja me siguri do ta gjente fajtore KGjK-në për shkelje të Kushtetutës dhe të Konventës. KGJK-ja vetëm gjatë këtij viti e ka shkelur dy herë Kushtetutën gjatë emërimit të kryetarit të Apelit dhe të Supremes.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.