Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Radha e INTERPOL-it

Dështimi i anëtarësimit në UNESCO jo vetëm se shtoi dëshprimin tek qytetarët e partnerët e Kosovës, por edhe me automatizëm vuri diplomacinë kosovare në një pozicion defansiv. Këtu sidomos mendoj në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të cilat nuk ngërthejnë të drejtën e vetos mirëpo ekziston mundësia e anëtarësimit me 2/3 e votave. Mendoj që tashmë është momenti i duhur që të intensifikohen përpjekjet dhe fillimisht të fokusohen në drejtim të anëtarësimit në INTERPOL, organ ky i veçantë i Kombeve të Bashkuara (KB) që ka për qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin në sferën e sigurisë.

Kauza e anëtarësimit në INTERPOL është thjesht profesionale kështu që ndjeshmëria e saj politike e “shpirtërore” është shumë më e vogël sesa ajo në rastin e UNESCO-s. Sepse, Serbia mbi bazën e manipulimit së ndjeshmërisë së çështjes dhe trashigimisë kulturore triumfoi në UNESCO, krahas dobësive të theksuara në diplomacinë e Kosovës. Anëtarësimi në INTERPOL do të ishte në funksion të përpjekjeve globale për luftimin e krimit të organizuar e terrorizmit. Momentumi duket se është i volitshëm duke pasur parasysh që një numër i qytetarëve të Kosovës janë pjesë e formacioneve terroriste sikurse ISIS apo Al-Nustra, por edhe fakti që një numër jo i vogël i qytetarëve tanë janë në kërkim e sipër për aktet e supozuara të krimit të organizuar, sidomos në Evropë. Shkëmbimi i informacioneve dhe bashkëpunimi i sigurisë është i nevojshëm më shumë se kurrë, tashmë kur kemi lëvizje të mëdha dhe qarkullim të personave të rrezikshëm, sidomos në kontekst të sulmeve të tipit asimetrik.

E vërteta është që në rastin e pëpjekjeve për anëtarësimin e Kosovës, interesi nuk do të ishte vetëm i Kosovës. Në rast të anëtarësimit, bazuar në kërkesat ekzistuese dhe trendet, mund të supozohet se do të kishte më shumë kërkesa drejtuar Kosovës për bashkëpunim në ndarje të inteligjencës sesa e kundërta. Kjo e forcon argumentin profesional për anëtarësim dhe se rruga e Kosovës do të shihej parimisht në kontekstin e përfitimeve të ndërsjella, sidomos në raport me shtetet e mëdha perëndimore. Ekzistimi i “parajsave të sigurta” nuk do t’i konvenonte askujt, e sidomos mekanizmave ndërkombëtare të sigurisë.

Bashkëpunimi i tanishëm i UNMIK-ut me INTERPOL-in është bërë në një marrëveshje mbase të shkruar, duke mos marrë pëlqimin e institucioneve të Kosovës. Vazhdimi i bashkëpunimit ekzistues me INTERPOL-in nëpërmjet prezencës së UNMIK-ut përbën një burokraci jofunksionale, që duhet të argumentohet në çdo nivel. Madje, jurikidikisht Kosova nuk ka ndonjë obligim juridik të bashkëpunojë me INTERPOL-in nëpërmjet UNMIK-ut përderisa nuk është anëtare e saj.  Ajo do të mund ta suspendonte këtë “bashkëpunim” deri në anëtarësim përderisa të gjitha kërkesat për ndarje të informacioneve dhe kapjen e të kërkuarve do të mund t’i bënte vetëm në baza bilaterale. Kjo do të mund të përbënte një pengesë për shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën duke u bazuar, p. sh. në “rastin Sadiku” dhe domosdonë që Sllovakia të bashkëpunonte me Kosovën, anipse nuk e ka njohur shtetin.

Argumentet tjera profesionale kanë të bëjnë me keqpërdorimin e INTERPOL-it nga ana e Serbisë e cila në vazhdimësi azhuron fletarrestet për ish-pjesëtarët e UÇK-së, sikurse rasti Dugolli dhe mbase shumë të tjerë në të ardhmen. Vazhdimi i bashkëpunimit nëpërmjet UNMIK-ut mund t’i japë një siguri nominale shteteve për të pasur qasje në Kosovë, mirëpo ajo vetëm se do të shtojë vuajtjet e qytetarëve tanë të cilët do të jenë viktimë e veprimeve politike nga shteti fqinj. Lëshimi i fletarresteve për krime të luftës është po aq politik dhe i ndjeshëm saqë Kroacia së voni ka filluar së kushtëzuari Serbinë që të abrogojë ligjin i cili i mundëson në mënyrë retroaktive të ngrejë aktakuza për krime të luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë, qofshin ata tashmë qytetarë të shteteve të pavarura.

Shtrohet pyetja se cilët duhet të jenë hapat për anëtarësim? Sigurisht që ka pasur disa lëvizje në funksion të senzibilizimit të kësaj çështjeje, dhe atë (vetëm) nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) mirëpo ato duken se janë të kufizuara. Procesit të anëtarësimit në INTERPOL (sikurse në organizatat tjera) duhet t’i paraprijë Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), përderisa MPB, në këtë rast do të ishte instrument i MPJ-së. Për anëtarësim në këtë organizatë kërkohet një punë aktive 2 vjeçare (nëse jo më shumë), me një agjendë të qartë dhe angazhim sistematik, duke mësuar kësisoj nga dështimet e UNESCO-s.

Mënyra e anëtarësimit në INTERPOL është pothuajse e njëjtë sikurse në UNESCO: kërkohen 2/3 e Komitetit Ekzekutiv dhe nëse kalon, atëherë votohet 2/3 në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate. Nga 13 anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, së paku nga prejardhja e përfaqësueve, aktualisht 6 vijnë nga vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Përbërja në favor të Kosovës mund të ndryshojë në vitin 2017 kur do të ndërrohen disa anëtarë, atëherë kur Kosova zyrtarisht do të mund të bënte aplikimin zyrtar, pas përgatitjeve dhe fushatës senzibilizuese në qarqe diplomatike, politike dhe atë të sigurisë.

Përderisa argumentet profesionale, puna e mirorganizuar dhe ndryshimi i anëtarëve mund ta vendosin Kosovën në një pozicion më të volitshëm, një sfidë krejt dytësore dhe jo më pak e rëndësishme mund të shihej edhe aplikimi i Palestinës. Palestina në vazhdimësi aplikon për anëtarësim në INTERPOL. Partnerët e Kosovës do të mund të futeshin në dilemë nëse do të rishfaqej aplikimi i Palestinës në të njëjtën kohë me atë të Kosovës. Kjo situatë do të mund të evitohej nëse do të kishte koordinim të mirë me partnerët kyç të Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.