Njohjet janë shumë të rëndësishme dhe sa më shumë aq më mirë. Por në Kosovë kjo është shndërruar në obsesion, i cili e ka larguar vëmendjen nga ajo që është edhe më e rëndësishme: mirëqenia e qytetarëve të Kosovës.
Konsiderojeni rastin e Tajvanit. Tajvani është një shtet ishullor që gjendet rreth 180 km larg Kinës. Ai dikur ka qenë pjesë e Kinës, por pasi komunistët fituan luftën civile kundër nacionalistëve në vitin 1949, këta të fundit u tërhoqën në ishull dhe krijuan shtetin e tyre. Të dy vendet vazhdojnë të pretendojnë që e përfaqësojnë një Kinë unike por de facto veprojnë si të ndara. Kina e ka kërcënuar Tajvanin me pushtim, në rast se e shpall pavarësinë formalisht, apo nëse tërhiqet nga bashkimi paqësor i tyre.
Për shkak të ndikimit të madh ushtarak dhe politik të Kinës në botë, Tajvani nuk ka arritur të mbledhë më shumë se 21 njohje ndërkombëtare. Për më tepër, të gjitha njohjet kanë ardhur nga vende të vogla apo me ndikim të vogël, kryesisht nga Oqeania dhe Karaibet. Tajvani ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën, por ne nuk e kemi kthyer favorin.
Megjithatë, përkundër faktit që njohja ndërkombëtare e shtetësisë së Tajvanit është shumë më e dobët se ajo e Kosovës në aspektin sasior dhe cilësor (Kosova ka 114 njohje dhe ndër to vende me shumë ndikim), Tajvani është pakrahasimisht më i zhvilluar se Kosova në të gjitha fushat.
Tajvani është demokraci me sundim të fortë të ligjit dhe nivel tepër të ulët të korrupsionit. Është ekonomia e 19-të më e madhe në botë (pjesë e Katër Tigrave Aziatikë) dhe shquhet për industrinë tepër të avancuar teknologjike dhe elektronike. Ai renditet lart në liritë e shtypit, në sistemin shëndetësor, edukimin publik, liritë ekonomike si dhe zhvillimin njerëzor.
Ta krahasojmë me Kosovën, gjithashtu. Kosova ka të ardhura për kokë banori $10,000 në vit kurse Tajvani $48,700. Përderisa në Kosovë 17 përqind e popullsisë jetojnë në varfëri, në Tajvan kjo shifër është vetëm 1.5 përqind. Kursimet e përgjithshme kombëtare, të cilat përbëjnë bazën kapitale për zhvillim ekonomik, janë 35.2 përqind në Tajvan kurse vetëm 12.5 përqind në Kosovë. Papunësia 33 përqind me 4 përqind—e dini për kë.
Për më tepër, Tajvani ka kundërshtar politik Kinën kurse Kosova ka Serbinë. Kina—vendi i dytë më i fortë ushtarakisht dhe ekonomikisht në botë, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB, një superfuqi politike dhe ushtarake, do apo nuk do ShBA-ja ta pranojë. Tajvani vështirë të mbijetojë e lëre më të zhvillohet kaq shumë, kurse Kosovën e saboton dhe shantazhon një Serbi edhe në çështjet më të imëta.
Pra rasti i Tajvanit ilustron qartë që njohjet, edhe pse të rëndësishme, nuk janë parakusht fare për mirëqenie. Në fakt, Tajvani e ka ndërtuar më shumë shtetësinë e tij nga mirëqenia sesa mirëqenien nga shtetësia. Si vend i zhvilluar, ai është bërë atraktiv për vendet e tjera që ato të vendosin marrëdhënie diplomatike me të, sepse çdokush dëshiron ta ketë mik një Tajvan e jo një Kosovë. Falë mirëqenies, edhe pse nuk e kanë njohur shumë vende, tajvanezët e kanë fituar besimin të lëvizin pa viza në 153 vende të botës duke përfshirë edhe Evropën. Ata kanë lidhje tregtare me pothuajse çdo vend kurse këmbejnë mallra në vlerë miliarda.
Tek ne deri tani ka dominuar paradigma e kundërt, që ne duhet të presim deri në njohjen e fundit nga një ishull diku në Oqean, në mënyrë që të kemi mirëqenie. Që pa shtetësi të konsoliduar ndërkombëtarisht nuk mund të zhvillohemi; që një njohje më shumë bën dallim të madh në jetën e qytetarit të rëndomtë.
Para shpalljes së pavarësisë qeveritë e arsyetonin perfomancen e dobët ekonomike me mungesën e kompetencave. Pasi sot kjo nuk bën më punë, fajin ia hedhin njohjeve, të cilat ose trumbetohen si superarritje ose fajësohen si pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Nonsens, natyrisht.
Mirëqenia është diçka e brendshme. Luftën kundër korrupsionit nuk mund ta ndalë asnjëri nga vendet që nuk na kanë njohur. Nuk mund ta ndalin as sundimin e ligjit; mbrojtjen e pronës private; zbatimin e kontratave; thjeshtësimin, eliminimin dhe uljen e tatimeve; zvogëlimin e burokracisë dhe keqmenaxhimit të parasë publike; promovimin e investimeve të huaja, ngritjen në Raportin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore, etj. Të gjitha këto janë të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, dhe të gjitha mund të bëhen me 114 apo 21 njohje ndërkombëtare.