Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Realiteti i hidhur i menaxhimit të diabetit në Kosovë

Sipas përkufizimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), diabeti (diabetes mellitus) është një gjendje shëndetësore kronike që lind si pasojë e prodhimit të pamjaftueshëm të insulinës nga pankreasi (Diabeti Tip 1), ose kur trupi i njeriut nuk mund ta përdorë në mënyrë të duhur insulinën e prodhuar nga pankreasi (Diabeti Tip 2).

Përderisa diabeti Tip 2 mund të menaxhohet pa terapi të insulinës dhe vetëm me regjim ushqimor, pacientët me diabet Tip 1 janë të varur nga terapia insulinike.

Edhe pse nuk ka statistika të sakta për numrin e të sëmurëve me diabet në Kosovë, vlerësohet se rreth 8% e popullatës vuan nga diabeti.

Për një menaxhim efikas të sëmundjes, pacientët duhet t’i monitorojnë vazhdimisht vlerat e sheqerit në gjak.

Për ta bërë këtë, ekzistojnë pajisje të ndryshme, prej të cilave më të thjeshtat dhe të lirat janë shiritat për matjen e glikemisë, të cilat funksionojnë përmes shpimit të gishtit, e deri tek ato më të sofistikuarat, siç janë Monitorët e Vazhdueshëm të Glikemisë (Anglisht: Continuous Blood Glucose Monitors, CBGM). Ekzistojnë disa lloje të CBGM-ve, si Free Style Libre i Dexcom.

CBGM janë pajisje teknologjike të cilat përdoren për matjen e niveleve të glukozës (sheqerit) në gjak nga personat që vuajnë nga diabeti. Kjo teknologji mundëson menaxhim më të mirë të sëmundjes te pacientët, pasi tregon vlerat në kohë reale dhe eliminon nevojën e matjes së glikemisë përmes shpimit të vazhdueshëm të gishtave.

Kjo teknologji ka një rol jetik sidomos për fëmijët që vuajnë nga diabeti (Tip 1), sepse ua mundëson prindërve ta përcjellin gjendjen e tyre në kohë reale dhe të parandalojnë rastet e hipoglikemisë (niveleve të ulëta të sheqerit në gjak), ose hiperglikemisë (niveleve të larta të sheqerit në gjak), e që mund të rezultojnë me pasoja fatale.

Përderisa në botë CBGM-të ofrohen falas, meqë subvencionohen nga shtetet apo mbulohen nga sigurimet shëndetësore publike dhe private, në Kosovë nuk ndodh e njëjta gjë.

Në vendet e zhvilluara, këto pajisje mund të blihen edhe privatisht nga pacientët, meqë tani ekzistojnë versione të tyre (siç është Dexcom 7), për të cilat nuk kërkohet ekspertizë mjekësore për t’u vendosur te pacienti.

Prokurimi i këtyre pajisjeve kërkon financim të mirëfilltë nga shteti dhe vendet që kanë ekspertizën e duhur për menaxhimin e diabetit sigurohen vazhdimisht që këto pajisje t’i kenë të disponueshme për popullatën e tyre në nevojë.

Përderisa prodhues të ndryshëm po punojnë rreth orëve të mençura të cilat do t’i zëvendësojnë në të ardhmen CBGM-të, Kosova ende ballafaqohet me problemin e furnizimit të pacientëve me barna esenciale.

Në Kosovë, kjo teknologji nuk u ofrohet qytetarëve në nevojë, meqenëse ato nuk i ofron tregu farmaceutik i Kosovës.

Mungesa e këtyre teknologjive në Kosovë mund t’i atribuohet një numri faktorësh, ku në rend të parë mund të veçohet pasiviteti i shtetit.

CBGM hyn në kategorinë e pajisjeve medicinale për monitorim të sëmundjes sipas përkufizimit të Ligjit Nr.03/L-188 për Produkte dhe Pajisje Medicinale, dhe Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) është autoriteti kompetent për produktet dhe pajisjet medicinale për përdorim te njeriu.

Sipas legjislacionit tonë, CBGM-të klasifikohen si pajisje medicinale me çertifikatë CE (Conformité Européene), të cilat mund të importohen pas marrjes së lejes së importit në AKPPM. E tërë kjo procedurë është shumë e thjeshtë dhe zgjat shumë pak.

Deri para përafërsisht dy viteve këto produkte kanë qenë të disponueshme në Kosovë, por vetëm për një kategori të pacientëve të cilët kanë pasur mundësi t’i përballojnë kostot e larta të saj. Mirëpo, asnjëherë nuk janë ofruar falas nga shteti, së paku për kategorinë më të ndjeshme siç janë fëmijët.

Tash e sa kohë, këto pajisje më nuk gjenden fare në tregun tonë, me supozimin se nuk ka fuqi blerëse për to për shkak të kostos së lartë. Në mungesë të tyre, shumë pacientë tregojnë se këto teknologji, së bashku me sensorët që duhen ndërruar çdo 14 ditë, i sigurojnë përmes vendeve fqinje.

Sigurimi i qasjes së barabartë në këto teknologji, me kosto të përballueshme ose edhe falas në raste të caktuara, është detyrë e shtetit. Shteti e ka për obligim të sigurojë bazë ligjore, të përcaktojë standarde dhe të lidhë partneritete me prodhues e distributorë për të siguruar qasjen dhe furnizimin me këtë teknologji.

Sado që mund të tingëllojë ambicioze, me burime dhe përkrahje të duhur është e mundur që këto pajisje të prodhohen edhe në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor.

Kosova ka një numër të madh të inkubatorëve të biznesit që përkrahin startup-et me ide inovative në fushën e teknologjisë informative (TI), dhe ka potencial që të zhvillojë softuerë inovativë për teknologji të tilla. Këtu në ndihmë mund të dalë edhe inteligjenca artificiale (IA), e cila sot ofron zgjidhje të ndryshme.

Sektori i shëndetësisë në Kosovë lë shumë për të dëshiruar dhe lista e problemeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohen pacientët është shumë e gjatë. Megjithatë, sa u përket personave që vuajnë nga diabeti, shteti mund të ndërhyjë për ta ndryshuar gjendjen aktuale.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.