Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Refuzimi i mediave të pavarura: strategjia e Albin Kurtit për kontrollim të narrativës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në masë të madhe, për një kohë të gjatë, i ka shmangur intervistat në mediat vendore. Përveç ndonjë ngjarjeje të rastësishme mediatike, Kurti i ka refuzuar kërkesat për intervistë nga mediat kosovare, ose mediat që i ndjekin për së afërmi zhvillimet në Kosovë. 

Kjo qasje ka ngritur shqetësime se Qeveria e Kosovës po përpiqet ta kontrollojë narrativën, duke prezantuar vetëm perspektivën e saj, pa u ballafaquar me vlerësim dhe llogaridhënie nga gazetarët, ose publiku. 

Qeveria e përdor këtë qasje për qëllime propagandistike, për ta rritur mbështetjen për veten. Sipas një zyrtari të Bashkimit Europian, në kushte anonimiteti, “agjenti kryesor i dezinformimit në Kosovë është vetë qeveria.” 

Caku i strategjisë mediatike të Kurtit duket se janë posaçërisht pakicat. Së fundmi, në një videomesazh për Asociacionin e Studentëve Shqiptarë të Harvardit, Kurti bëri disa komente rreth çështjeve që kanë të bëjnë me pakicat, të cilat nuk e pasqyrojnë realitetin. 

Kurti ka të drejtë kur thotë se të drejtat e pakicave janë të mbrojtura fuqishëm në Kushtetutën e Kosovës. 

Megjithëkëtë, ai hesht rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut nga qeveria e tij, veçanërisht kundër komunitetit serb të Kosovës, si dhe asnjëherë nuk e përmend shpronësimin ilegal të pronave në lokalitetet serbe, ose forcën e tepërt që raportohet se është ushtruar, si nga policia e rregullt, ashtu edhe nga njësitë speciale të policisë në veri, e as për sinjalistikën ilegale në veri. 

Fundjavën që lamë pas, avokati serb nga Kosova, Millosh Subotiq, derisa po kthehej në shtëpi me gruan e tij pas një feste, u arrestua dhe pretendohet se u rrah nga policia. Ai pretendon se po i zhvendoste disa qese që po e bllokonin vendkalimin para një dyqani me pronar shqiptar.  

Sidoqoftë, policia e akuzoi për vandalizëm, e mohoi rrahjen dhe pretendoi se ai kishte rezistuar gjatë arrestimit. Sipas Subotiqit, atij nuk iu lejua asnjëherë të thërriste një avokat.  

Në vend të këmbënguljes për një hetim, zyrtarët qeveritarë thjesht pretenduan se asgjë e gabuar s’kishte ndodhur, kurse kryetari i Mitrovicës së Veriut tha se OJQ-të që reaguan kundër trajtimit të Subotiqit, kurrë s’kishin reaguar kundër djegies së veturave të serbëve, ose kundër organizatave “terroriste” në veri. 

Të mërkurën, Inspektorati Policor rekomandoi suspendimin e dy zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast. Kryeministri akoma s’ka dalë me një deklaratë për rastin. 

Gjithashtu, Kurti refuzon implementimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, një zotim i Kosovës në vitin 2013 në Bruksel dhe, sërish, në vitin 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut. 

Ai mundohet ta shmangë diskutimin për këtë çështje dhe, shpesh, kur gazetarët e përmendin, ai kundërshton. Së fundmi, kryeministri u përgjigj në një pyetje rreth kësaj çështjeje, duke thënë: “Ju lutem, mos e nxirrni qerren para kuajve, nuk mund të bëhet Asociacioni prioritet. Kjo është pikëpamja e Beogradit.”

Pastaj, ai nisi t’u ligjërojë dhe t’i udhëzojë gazetarët se çfarë pyetje duhet të shtrojnë ata. 

“Kurdo që diskutojmë për marrëdhëniet me Serbinë, me mirësjellje ju kërkoj që t’i formuloni ndryshe pyetjet tuaja. Mos flisni për dialogun pa e përmendur marrëveshjen bazike dhe mos flisni për Asociacionin pa u pranuar marrëveshja bazike”, shtoi ai. 

Bullizimi i gazetarëve dhe paralajmërimi se pyetjet nuk duhet të shtrohen në “mënyrë të gabuar”, ose në “stilin e Beogradit”, nuk është demokratik, por autoritar. 

Gjithashtu, një gazetar mund ta pyesë zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës se pse ai këmbëngul se Qeveria takohet me serbët. Në fakt, kjo qeveri kurrë nuk është takuar me ndonjë grup të shoqërisë civile serbe rreth qasjes së policisë në veri. 

Në fakt, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, është e vetmja zyrtare e Qeverisë që ka mbajtur takime me ndonjë përfaqësues të serbëve të Kosovës, përfshirë këtu me Milan Radoiçiqin, kriminelin e njohur të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e Banjskës në shtator të vitit 2023. Për këto takime kemi mësuar vetëm nëpërmjet incizimeve telefonike që kanë rrjedhur në publik

Qeveria e Kosovës nuk dëshiron të mbahet përgjegjëse nga mediat dhe, rrjedhimisht, votuesit e saj. Pavarësisht mungesës së transparencës nga Qeveria, kërcënimeve për mbyllje, ligjit shtypës të mediave dhe shkeljeve të tjera kundër mediave, gazetarët duhet t’i verifikojnë faktet në deklaratat e Qeverisë dhe Policisë, si dhe ta kundërshtojnë dezinformimin e Qeverisë. 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.