Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ridefinimi i patriotizmit në Kosovë

Kosova po kalon në një periudhë shumë interesante: nga një luftë dhe represion i tmerrshëm qindravjeçar në një sistem demokratik të vlerave, të cilat ende popullata e Kosovës nuk i ka përqafuar tërësisht. Në këtë kontekst, patriotizmi në Kosovë po definohet me terma dhe definicione të shekullit të kaluar dhe Rilindjes së shqiptarëve si komb pas çlirimit nga Perandoria Osmane. Edhe në diskursin kundër kësaj perandorie, shqiptarët u definuan përgjithësisht në dy anë: atë tradhtare dhe atë patriotike. Në kontekstin modern të mendimit politik, kjo duhet të ndryshojë dhe të lejojë evoluimin e mendimit të ri për patriotizmin qytetar dhe të shumëllojshëm.

Pyetja miliondollarëshe sot qëndron se kush është patrioti në Kosovë. Përderisa tentojmë të ndërtojmë shtet demokratik dhe qytetar, patrioti në Kosovë duhet jetë demokrati dhe qytetari. Patriotizmi si koncept ndërlidhet me shtetin dhe nacionalizmi ndërlidhet me kombin. Mu për këtë arsye në botën demokratike fjala patriot thuhet në konotacion pozitiv dhe fjala nacionalist thuhet në konotacion negativ. Këto dy koncepte nuk kundërshtojnë njëra tjetrën por dallojnë në esencë dhe kështu duhet të mendohen edhe në kontekst kosovar.

Patriotizmi deri më tani ndër shqiptarët por edhe posaçërisht në Kosovë është definuar në raport me sfidat e jashtme dhe luftërat. Sot, kur po përpiqemi të ndërtojmë shtet me vlera të hapura dhe evropiane, ky koncept duhet të rishikohet nga prizmi praktik si është edhe patriotizmi ndër shtetet normale e demokratike. Patriotë në Kosovë sot janë personat që punojnë brenda konstitucionalizmit të Kosovës për të mirën e Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik. Zbërthimi i konceptit modern të patriotizmit bëhet me filmin e shkurtër „Shok“ të bashkautorësuar nga një anglez dhe një kosovar që përfaqësojnë Kosovën si është, të hapur, të re, të thjeshtë dhe qytetare. Tutje, patriotizmi në Kosovë demonstrohet me Majlinda Kelmendin, e cila përkundër faktit që mund të ketë oferta të garojë nën një flamur tjetër, vendos të qëndrojë në Kosovë në kushte nën standarde të saj për të garuar me flamurin e Kosovës dhe për atë pak respekt.

Imagjinoni për pak kohë sikur Eshref Durmishi të mendonte me konceptin nacionalist dhe të vriste dikënd, sepse ka në mendje një rrëfim shumë të dhimbshëm nga koha e luftës. Ose, imagjinoni ekipin kosovar që krijoi një aplikacion mobil për NASA të hidhej në demostrata dhe dhunë etnike me motiv nacionalist. Gjithsesi do të ishte tragjike për kohën që jetojmë. Me doemos se nuk do t’i bënte nder askujt e shumë më pak Kosovës. Arma moderne e patriotizmit është puna e suksesi dhe kjo duhet të jetë baza e patriotizmit në Kosovë.

Suksesi i të rinjve kreativë dhe dedikimi që ata kanë ndaj Kosovës është patriotizmi më i frytshëm dhe më i madh i mundshëm modern. Është vetë definicioni i ri i patriotizmit në Kosovë që duhet të promovohet. Patriotizmi në Kosovë duhet të jenë të Drejtat e Njeriut dhe duhet të jetë konstruktiv në esencë. Kritik ndaj keqbërjeve dhe shumë çrregullimeve të shoqërisë kosovare. Duhet të promovojë barazinë gjinore, së pari, dhe së dyti të ndihmojë në emancipimin e më shumë se gjysmës së popullatës së Kosovës në një shkallë të lartë në arsim, punë, pronë dhe aspakte tjera të jetës.

Pjesë e patriotizmit në Kosovë duhet të jetë edhe identiteti qytetar. Kosovari nuk është më ajo “kafshë politike“ e mbetur në shekullin e kaluar që ka për argument vetëm reagimin kur përbuzet gjuha, përçmohet besimi, apo çvlerësohet kultura duke reaguar me krekosje, mburrje e kokëfortësi por është ai kosovari që krijon ekspozita, bën filma, korr suksese në skenën botërore sportive e muzikore e krijon aplikacione për NASA. Pra, ridefinimi i patriotizmit do të duhej të shihej në raport me konkurrencën dhe suksesin evropian dhe botëror, e jo në bazë të reagimit kryeneç ndaj një të keqeje me një të keqe tjetër.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.