Kanë kaluar mbi 13 vjet që nga fillimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, palët dialoguese ende nuk kanë arritur një marrëveshje finale.
Përgjatë viteve, dialogu u ballafaqua me suksese e sfida të ndryshme. Shumë marrëveshje janë nënshkruar dhe vetëm disa prej tyre janë zbatuar, duke rezultuar në shumë bllokada në dialog.
Ndonëse mandatin për lehtësimin e dialogut e ka BE-ja, si rezultat i një rezolute të Kombeve të Bashkuara, situata ndryshoi me emërimin e ish-ambasadorit të SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, si i dërguar special i presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi, në tetor 2019.
Duke marrë për bazë faktin se SHBA-ja veçse e kishte një emisar për rajonin (Matthew Palmer) nga Departamenti i Shtetit, emërimi i Grenellit si emisar special presidencial ishte një mesazh i qartë se përfshirja e SHBA-së në dialog nuk do të ishte më në prapaskenë.
Rrjedhimisht, administrata e kaluar e presidentit Trump, më 4 shtator 2020, në Uashington, ndërmjetësoi një marrëveshje ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të quajtur Marrëveshja për “Normalizim Ekonomik’’, apo referuar edhe si ‘’Marrëveshja e Uashingtonit”.
Kjo marrëveshje, në thelb, përmbante përkushtime nga të dyja palët për bashkëpunim ekonomik, duke filluar nga hekurudhat, energjia, bashkimi në Mini Schengenin Ballkanik (Open Balkan), mes të tjerash. Po ashtu, një pjesë e marrëveshjes u fokusua te liritë fetare dhe ekzekutimi i vendimit për Manastirin e Deçanit, dhe fokus iu dha edhe gjetjes së personave të zhdukur gjatë luftës. Gjithashtu, Kosova fitoi një njohje të rëndësishme nga Izraeli, me ç’rast u shkëmbyen misionet diplomatike.
Por, përtej ceremonisë dhe rëndësisë simbolike, kjo marrëveshje nuk prodhoi ndonjë transformim ndërmjet palëve – dhe madje mbeti tërësisht e pazbatuar. Madje, në këtë proces pati injorim total të Dialogut të Brukselit dhe kjo gjë u reflektua edhe në marrëveshje, por edhe në formën e arritjes së saj.
Grenelli kishte qasje mënjanuese ndaj BE-së dhe prodhoi marrëveshje që çonte te një proces paralel i dialogut, krahas atij zyrtarit.
Me rizgjedhjen e presidentit Trump vihen në pah disa dilema rreth dialogut. Administrata e re e Trumpit mund ta vërë fokusin te Marrëveshja e Uashingtonit, e arritur në vitin 2020, që do të nënkuptonte eskivim të formatit aktual të BE-së.
Shtyrë nga rrethanat e reja gjeopolitike dhe të sigurisë me luftën në Ukrainë, kjo administratë mund të zhvillojë një tjetër dialog paralel, duke mënjanuar BE-në dhe duke shtyrë para zgjidhje të shpejta, që mund të mos jenë në favor të Kosovës, përfshirë skenarin për shkëmbim të territoreve me Serbinë.
Sidoqoftë, këto janë hipoteza të ngritura marrë parasysh përfshirjen e mëhershme të presidentit Trump dhe mantrës së tij në politikën ndërkombëtare, që synon mospërfshirje në konflikte të jashtme.
Por, në të njëjtën kohë, paparashikueshmëria e presidentit Trump mund të sjellë edhe situata ku Kosova mund të injorohet, gjë që çon në hapje të horizonteve të tjera dhe dëme për Kosovën.
Kësisoj, në këtë fazë kur konstituimi i administratës së re Trump do të ndodhë brenda muajve, pritet të shihet nëse përsëri do të ketë të deleguar special presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, sikurse në vitin 2019.
Përderisa në emrat e propozuar për sekretar shteti dhe këshilltar për siguri kombëtare nuk figuroi emri i ish-emisarit Grenell, pritet të shihet nëse i njëjti mund të jetë i angazhuar ekskluzivisht në dialogun Kosovë-Serbi.
Në këtë rast, një angazhim i sërishëm ka rëndësi për shkak të përfshirjes së vazhdueshme të Grenellit në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Dihet fare qartë konfrontimi i Grenellit me Qeverinë Kurti 1, raporte të cilat ndikuan deri diku në rrëzimin e qeverisë.
Gjithashtu, në katër vjetët e fundit, marrëdhëniet Kosovë-SHBA nuk kanë qenë të mira, dhe me ardhjen e administratës Trump dhe emërimit potencial të Richard Grenellit si emisar i posaçëm, nuk ka shpresë për përmirësim. Kryeministri Kurti pati bërë thirrje më herët që të votohej Joe Biden nga mërgata shqiptare në SHBA dhe kjo mund të jetë një pengesë shtesë në këto raporte.
Por, sa janë të përgatitur Qeveria e Kosovës dhe partitë politike të përshtaten më ndryshimet në politikën amerikane?
Nga diskursi publik, duket që nuk kemi politika afatgjata dhe të strukturuara mirë, e që janë të përshtatshme me lëvizjet dinamike ndërkombëtare. Edhe pse kryeministri Kurti me të drejtë nuk u prononcua se kënd e favorizon për president të SHBA-së kësaj radhe dhe vuri theksin te domosdoshmëria e partneritetit të ngushtë me SHBA-në, kjo gjë nuk mjafton, sidomos në kontekstin aktual gjeopolitik.
Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës duhet të shtyjë para, të depërtojë në qarqet vendimmarrëse në Uashington.
Së pari, nevojitet një kthesë në marrëdhëniet me SHBA-në. Kjo mund të bëhet duke lobuar përmes firmave profesionale të lobimit dhe jo siç ka ndodhur rëndom deri më tani, me angazhimin e individëve dhe kompanive të papërvoja në lobim dhe të afërta me pushtetin.
Riangazhimi në lobim është i domosdoshëm, sidomos tani kur Serbia gjithnjë e më shumë ka avancuar me qasje te vendimmarrësit në Uashington.
Së dyti, Kosova duhet ta ndryshojë diskursin karshi SHBA-së dhe të zgjerojë partneritetin, duke e treguar veten si akter të besueshëm. Kjo gjë mund të bëhet nëse përcillet një strategji e mirëfilltë dhe merren seriozisht obligimet ndërkombëtare, siç janë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksi i saj.
Natyrisht se Kosova mundet ta zbatojë marrëveshjen në mënyrë unilaterale. Megjithatë, duke treguar sinjale në këtë drejtim, Kosova mund ta ndryshojë qasjen karshi aleatëve dhe të marrë garanci për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Duke ndryshuar qasjen dhe duke angazhuar kompani serioze lobimi, Kosova do të shmangte skenarë të tjerë që mund të jenë më problematikë për të. Bashkërendimi me SHBA-në në aspekte kyçe për dialogun do ta ndihmonte pozicionin e Kosovës.
Është e domosdoshme për Kosovën që ta rikalibrojë politikën e saj të jashtme në raport me zhvillimet ndërkombëtare dhe veprimet politike duhet të jetë të adaptueshme me rrethanat e reja të krijuara.