Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rreziku i vetëlëndimit nga sfidat e TikTok-ut

Ilustrimi nga Big Eye.

Përfshirja në aktivitete dhe sfida të rrjeteve sociale, të cilat janë aktualisht trende globale, është bërë një aspekt i rëndësishëm dhe sfidues i jetës dhe zhvillimit të adoleshentëve. Në veçanti, TikTok-u u bë shpejt i popullarizuar në mesin e adoleshentëve, duke u fokusuar te videot e shkurtra, të cilat janë shpesh argëtuese.

Sipas një njoftimi zyrtar nga TikTok-u, platforma kishte mbi një miliard përdorues aktivë mujorë deri në shtator të vitit 2021, si në SHBA, ashtu edhe në mbarë botën. Pjesa më e madhe e këtyre përdoruesve janë të rinj, ku 50% e tyre janë të moshës 10-29 vjeç.

Në vitet e fundit, fenomeni i sfidave të rrjeteve sociale ka fituar popullaritet të madh mes adoleshentëve. Sfidat e rrjeteve sociale janë aktivitete në të cilat përdoruesit e internetit imitojnë sjelljet e postuara nga të tjerët në internet, të cilat mund të jenë pjesë e krijimit të identitetit dhe ndërveprimit social për adoleshentët. 

Përdoruesit regjistrojnë veprimet e tyre dhe shpërndajnë përmbajtje në platforma sociale, duke nxitur të tjerët të ndjekin të njëjtin model. Natyra e sfidave varion nga argëtimi i padëmshëm, deri tek aktivitetet që mund të sjellin pasoja të rënda. 

Një sfidë e lehtë dhe prosociale është për shembull “Sfida e kovës së akullit” (Ice Bucket Challenge), e cila përfshinte zbrazjen e një kove me ujë të ftohtë mbi kokën e një personi për të nxitur ndërgjegjësimin dhe për të mbledhur fonde për sklerozën anësore amiotrofike (ALS). 

Në anën tjetër, sfida të dëmshme, si “Sfida e kanellës” (Cinnamon Challenge), ku pjesëmarrësit tentojnë të gëlltisin një lugë plot me kanellë pa e shoqëruar me lëng, mund të rezultojnë në probleme serioze shëndetësore. 

Një rast akoma më ekstrem është “Sfida e balenës blu” (Blue Whale Challenge). Kjo lojë, sipas raportimeve, ka nxitur adoleshentët të angazhohen në sjellje të rrezikshme dhe vetëlënduese. Zakonisht, fëmijët dhe adoleshentët janë shtyrë të luajnë këtë lojë kur kanë qenë duke përjetuar probleme me shëndetin mendor, të tilla si depresioni, ankthi, mungesa e fokusit/interesit dhe vetëvlerësimi i ulët.

Në Kosovë janë raportuar rishtazi disa raste shqetësuese nga shkollat fillore dhe të mesme, ku disa nxënës janë vetëlënduar si pasojë e sfidave në TikTok. Sipas mediave vendore, institucionet shkollore kanë deklaruar se të lënduarit ishin kryesisht nxënës nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. 

Një rast i veçantë u raportua në një shkollë në Istog, ku disa nxënës pësuan lëndime fizike si rezultat i sfidës “Superman” të TikTok-ut, e cila ka shkaktuar, ndër të tjera, edhe fraktura. Kjo sfidë po përhapet me shpejtësi, pasi është raportuar se dhjetëra adoleshentë janë përfshirë në Rumani, Maqedoni të Veriut dhe vende të tjera.

Përhapja e këtij fenomeni në mesin e adoleshentëve mund të ketë pasoja serioze dhe afatgjata në zhvillimin emocional dhe psikologjik të tyre. Adoleshentët shpesh kërkojnë miratim social dhe pjesëmarrja në sfida të tilla mund të sigurojë një ndjenjë përkatësie dhe vërtetimi përmes pëlqimeve dhe komenteve. 

Megjithatë, presioni për t’u përshtatur me tendencat ose për të fituar vëmendje mund të çojë në ankth, vetëbesim të ulët ose ndjenja të pamjaftueshmërisë, sidomos nëse pjesëmarrja e tyre nuk merr përgjigjen e pritur. Po ashtu, disa sfida të TikTok-ut përfshijnë aktivitete të rrezikshme, të cilat adoleshentët mund t’i ndërmarrin për shkak të ndikimit të bashkëmoshatarëve ose dëshirës për të fituar popullaritet. 

Prandaj, duke marrë për bazë këto sfida serioze, shoqëria dhe institucionet përkatëse duhet ta prioritizojnë edukimin për përdorimin e rrjeteve sociale në vend. Institucionet duhet të zhvillojnë programe për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasojat e sfidave të rrezikshme dhe të krijojnë një mjedis më të sigurt për fëmijët. 

Për më tepër, është e rëndësishme që të merren për bazë politika të mira nga vendet e ndryshme të botës sa i përket mbajtjes dhe përdorimit të telefonave në shkolla. Telefonat janë aktualisht të ndaluar në të gjitha shkollat ​​shtetërore australiane. Ky vendim, ndër të tjera, është pjesë e një tendence globale për të kufizuar përdorimin e telefonit në shkolla.

E një rëndësie të veçantë është edhe vendosja e shërbimeve psikologjike në çdo shkollë. Ky është një hap i domosdoshëm për të ndihmuar fëmijët që janë përfshirë në këto sfida, duke i mbështetur në rikuperimin e tyre emocional dhe duke kontribuar në sigurinë e tyre.

Po ashtu, prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve si t’i përdorin rrjetet sociale me përgjegjësi dhe të kuptojnë më mirë rreziqet që lidhen me sfidat online, veçanërisht ato në TikTok. 

Rastet shqetësuese të lëndimit të nxënësve si pasojë e sfidave në TikTok theksojnë urgjencën e një reagimi të koordinuar dhe të përgjegjshëm. Bashkëpunimi midis shkollave, prindërve dhe institucioneve mbetet i domosdoshëm për të ndërtuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës, duke garantuar mirëqenien fizike dhe emocionale të nxënësve.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.