Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rri n’shpi, por mos hesht

Rri n’shpi, por mos hesht

Përçarjet politike në Kosovë nuk mund të shpjegohen duke u nisur nga konteksti aktual politik, sepse konkluzionet pastaj do të jenë të mangëta dhe mund të na fusin në lajthitje. Prandaj, për t’i dhënë një zbërthim sa më të saktë kësaj përçarjeje të klasës politike kosovare, duhet që paraprakisht ta bëjmë një rikthim në kohë, sepse atje janë mbjellë filizat e hasmërive politike, e që sot vetëm sa janë thelluar edhe më. Pothuajse, të gjithë akterët politikë në Kosovë që ka kohë që e kanë futur vendin në krizë, madje edhe sot kur jemi duke u përballur me virusin COVID-19, janë pjesë e skenës politike mbi 20 vjet. Madje disa janë edhe shumë më shumë se kaq. Dhe si rrjedhim të gjithë këta politikanë janë pjesë dhe njëkohësisht përgjegjës të kësaj përçarjeje. Për ta qartësuar, politikani më i ri në moshë që udhëheq qeverinë e vendit, është pjesë aktive e skenës politike kosovare për afro 25 vite, kurse më i vjetri në politikë, e që është partner në qeverisje me të parinë, është për afro 50 vite.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se e gjithë kjo klasë politike ishte e përçarë në momentet më të vështira për popullin e Kosovës, mospajtime që nuk kishin të bënin me atë se a duhet të çlirohet vendi apo të mbetet në okupim, por se kush duhet të udhëheqë, kush duhet t’i menaxhonte paratë që mblidheshin për luftën, pra, kush do ta ketë pushtetin; se nuk duhet nënshkruar Marëveshja e Rambujesë, e cila garantonte ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, e deri te mospajtimet me Pakon e Ahtisarit, përmes së cilës edhe do të shpallet pavarësia e Kosovës. Krejt këto mospajtime me bazë populiste, argumentet i shtronin bardhë e zi, pra: a je pro, a kundër, a je me popullin, a kundër popullit, a ke qenë në luftë, a ke ikur? Kështu që, nëse ke qenë në anën e kundërt, nuk je në anën e të vërtetës, sepse e vërteta jo vetëm që është një dhe e vetme, por edhe i përket vetëm njërës palë. Mirëpo, të gjitha palët të përfshira në këto mosmarrëveshje kishin të drejtë dhe e kishin gabim njëkohësisht. Arsyeja është e qartë, ishte situatë e paqartë dhe ishte e vështirë që ta gjeje rrugën e duhur, kur të gjitha dyert ishin të mbyllura dhe po ashtu, ishte e lehtë në një mjegull të tillë të dilje si shpëtimtar – siç e kemi të njohur tanimë, shpëtimtarët dalin në kohë të errëta (sic). Gjatë këtij rrugëtimi mbi 25 vjeçar përmes militantëve, udhëheqësit politikë kanë polarizuar skajshmërisht skenën publike dhe shoqërore, po ashtu. Secili proces politik me rëndësi i është nënshtruar dhe i nënshtrohet hinkës së legjitimitetit populist. “Këtë nuk e pranon populli!”, “këtë nuk do ta mbështes sovrani!”, e parulla populiste të kësaj natyre i shprehin udhëheqësit politikë, të cilët përfaqësojnë vetëm një përqindje të caktuar të votuesve.

Pra, për shkak të hasmërive personale politike, për shkak të marrjes së pushtetit me çdo kusht asnjëri nga këta politikanë nuk ka zgjedhur mjetet që ta degradojë tjetrin që ka dhënë mendim ndryshe. Turmat që ndjekin liderin janë bërë xhelatët e rrjeteve sociale (thënë të drejtën, këto të ashtuquajtura “rrjete sociale”, më së paku përfaqësojnë këtë socialen), helmuesit e debatit publik, me miratimin e liderëve të tyre, qoftë edhe përmes heshtjes së këtyre të fundit. Asnjë situatë, asnjë problem politik nuk mund të argumentohet racionalisht, sepse emocionet militanteske dominojnë secilën dritare informative. Gjithçka është e thjeshtëzuar deri në banalitet, sikur dikur. Je me ne apo kundër nesh. Nuk je për bashkim me Shqipërinë, atëherë, je me Serbinë. Nëse nuk je për dialog, je antiamerikan. Nëse nuk je me Kurtin, je me Thaçin. Këtë mënyrë të të menduarit e ka krijuar kjo klasë politike, këta politikanë bashkë me ndjekësit e tyre, të cilët, pothuajse të gjithë, janë shndërruar në vrasës potencialë, kurse udhëheqësit politikë të tyre janë shndërruar në vrasës të ëndrrave të kësaj shoqërie. Gjithçka që dikur dukej se do të shkonte mbarë, u përmbys dhe sot secili mendon të ikë nga kjo tokë e shkretë.

Prandaj, nuk qëndron gjykimi se veprimet politike të ditëve të fundit në vend janë papjekuri politike. Jo! Kanë kaluar 20 vite. Kemi zgjedhje dhe hierarki institucionale për një periudhë të mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga shpallja e pavarësisë jemi shtet më të drejta pothuajse të plota kushtetuese dhe ligjore. Nëse konsiderojmë se veprimet e kësaj klase politike (pozitë dhe opozitë) janë papjekuri politike, atëherë kjo i bie se ende kjo shoqëri dhe ky shtet kanë nevojë për protektorat. Gjithashtu, një gjykim i tillë do t’i shfajësonte partitë politike, politikanët e Kosovës nga veprimet e tyre të papërgjegjshme dhe si rrjedhim mbesim në një rreth vicioz kur kemi kërkesa për përgjegjësi. Duhet ta themi qartë, hapur dhe me zë fort të lartë se, që nga paslufta e deri në këto çaste, kemi klasë politike të papërgjegjshme. Jemi peng i këtyre politikanëve populistë, të cilët e kanë më të fuqishme egon sesa ndërgjegjen. Prandaj, mendoj se problem i shoqërisë kosovare nuk është liberalizimi i vizave, por demokratizimi i këtyre partive politike. Pa një demokratizim të tillë, ne do të mbetemi nën orbitën e këtyre politikanëve populistë dhe nën qeverisjen e militantëve partiak. Andaj, në këtë kohë të pandemisë globale, rri n’shpi, por mos hesht ndaj këtyre veprimeve të papërgjegjshme të kësaj klase politike joserioze.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.