Original article.
Më 23 prill, serbët vendës bojkotuan zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës. Si rezultat, katër kryetarë komunash nga partitë shqiptare u zgjodhën me më pak se 4%.
Kryeministri Kurti vendosi të dërgojë njësi speciale policore në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, për të përcjellë dhe mbrojtur kryetarët e porsazgjedhur të komunave derisa po shkonin në vendin e tyre të punës. Ky veprim rriti tensionet dhe rezultoi në një përleshje midis protestuesve dhe Policisë së Kosovës e KFOR-it.
Ky vendim acaroi aleatët dhe mbështetësit e Kosovës, në veçanti Shtetet e Bashkuara. Ambasada amerikane në Kosovë, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe zyrtarë të tjerë amerikanë i bënë thirrje Kosovës që t’i ndalë menjëherë veprimet e saj të njëanshme.
Megjithëkëtë, që atëherë, kryeministri Kurti nuk është zmbrapsur, duke dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në. Kjo mund të bëjë që ShBA-ja t’i kthejë shpinën Prishtinës, gjë që mund të ketë pasoja të rënda për një vend që ende po lufton që ta konsolidojë legjitimitetin e tij ndërkombëtar.
Uashingtoni, siç duket, nuk ka më të njëjtën simpati për Prishtinën. ShBA-ja ka të ngjarë ta dyfishojë presionin e saj për ta krijuar Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe (AKS), si një mënyrë për t’i ulur tensionet në veri.
ShBA-ja i bën thirrje Kosovës që ta themelojë Asociacionin
Në dhjetor të vitit 2022, i Dërguari Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se nëse qeveria aktuale e Kosovës nuk e zbaton AKS-në, atëherë ShBA-ja do ta shqyrtojë bashkëpunimin me “partnerë të tjerë”.
Kjo deklaratë u perceptua gjerësisht si kërcënim i drejtuar ndaj kryeministrit Kurti, i cili s’ka qenë i gatshëm ta themelojë AKS-në.
Por, presioni vazhdoi të rritej. Muajin pasues, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi një deklaratë zyrtare mbi nevojën e krijimit të AKS-së.
Në të njëjtën kohë, ShBA-ja e vlerësoi Serbinë për angazhimin e saj konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Gjithashtu, nënvizoi rëndësinë e avancimit të anëtarësimit të merituar në BE për Ballkanin Perëndimor.
Në shkurt të vitit 2023, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e dytë të Brukselit. Si pjesë e marrëveshjes, Kosova zotohet të vendosë një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.
Megjithëkëtë, kësaj here, Kosova gjendet në presion të madh për ta finalizuar këtë punë. Mungesa e kryetarëve serbë në komunat me shumicë serbe krijon një pengesë në hartimin dhe zbatimin e AKS-së.
ShBA-ja rriti presionin
Në të kaluarën, qeveria e Kosovës i ishte dorëzuar presionit ndërkombëtar për ta krijuar AKS-në, për shkak të frikës se AKS-ja do ta cenonte integritetin e shtetit – që të kujton Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë.
ShBA-ja ka siguruar Kosovën që AKS-ja nuk do të krijojë një mini-shtet brenda Kosovës. ShBA-ja mbështet AKS-në, ndërkohë që kundërshton çdo marrëveshje që do të shkelte Kushtetutën e Kosovës, që do të ishte në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, ose që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin multietnik apo institucionet demokratike të Kosovës.
Uashingtoni mendon që krijimi i AKS-së nuk e cenon aktin më të lartë ligjor të Kosovës dhe nuk i shton shtresë të re pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ të qeverisë së Kosovës.
Megjithatë, a do të reflektohen premtimet e tilla në praktikë? Zor të thuhet diçka për momentin.
Natyrisht, presidenti serb Vuçiq nuk dëshiron ta pranojë një AKS ku serbët janë plotësisht të integruar në strukturat politike dhe ligjore të Kosovës. Ai dëshiron të krijojë më shumë pushtete për serbët vendës, ashtu që të mund ta projektojë fuqinë e tij në Kosovë.
Nëse krijohet AKS-ja, do të shtrohet nevoja për harmonizimin e këtyre dy pikëpamjeve të kundërta midis Kurtit dhe Vuçiqit. E gjitha varet nga drafti që pala kosovare do ta paraqesë para BE-së dhe ShBA-së, dhe nëse Serbia do të pajtohet me të.
Megjithatë, duke pasur parasysh tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës dhe rrëmbimin e fundit të tre oficerëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe, është e qartë se perspektivat për themelimin e AKS-së aktualisht janë goxha të errëta.