Organizatat terroriste kanë audiencën e tyre. Po aq sa kanë mediat, organizatat joqeveritare apo edhe më keq – politikanët, që me apo pa vetëdije sforcojnë të keqen atëherë kur nuk e kuptojnë dhe pa e njohur mirë e gjykojnë.
Nëse lajm, atëherë lajm të keq. Ky është si një rregull i pashkruar në gazetari, i cili megjithatë përcakton atë se çfarë konsiderohet lajm (i botueshëm) e çka jo për mediat. Mediat në Kosovë viteve të fundit në tema të caktuara duket sikur po vallëzojnë me apo pa vetëdije me të keqen, rrjedhimisht duke sforcuar atë. Kjo sidomos kur trajtojnë tema që janë të reja për mediat, po aq sa për vet institucionet e shtetit siç është ekstremizmi i dhunshëm.
Në korrikun e vitit 2015, ta zëmë, u gjendëm në një nga këto situatat e pazakonshme për gazetarinë e Kosovës. Edhe mua si shumë kolegëve të mi gazetarë më rastisi që për herë të parë të raportoj për rrezikun që mendohej se po i kanosej Kosovës prej një grupi të ashtuquajtur “terroristësh”, përkrahës të një organizate radikale si “shteti islamik” i njohur si ISIS. Një grup prej pesë personave që u gjenden afër liqenit të Badovcit në mesnatën e 11 korrikut të vitit 2015, e që tashmë kanë një aktgjykim të shkallës së parë me gjithsej 30 vite burgim, u tha se kërcënoi seriozisht sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Organet e drejtësisë një vit pas arrestimit të tyre, më 18 korrik 2016, konstatuan (të paktën me ato prova që kanë) se grupi prej pesë personave nga vende të ndryshme të Kosovës kishte shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste ISIS. U tha se grupi ka pasur për qëllim që këtë video ta publikojë në internet dhe kësisoji të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit «Shteti Islamik» në Republikën e Kosovës. E me këtë akt (terrorist) të instalojnë frikën si mjet të ideologjisë së tyre, tek qytetarët.
Ndonëse akti terrorist që para supozohej se ishte planifikuar nuk arriti të kryhej, qëllimi u realizua – popullata u frikësua. Jo nga grupi prej pesë personave sa nga ata që transmetuan lajmin se ISIS është i pranishëm përmes vartësve të tij në Kosovë. Mediat, sidomos ato të rejat si portalet dhe rrjetet sociale që në kohën moderne po e bëjnë të lehtë transmetimin e çfarëdo lloj mesazhi, shumë herë pa kontrroll, kishin rënë pre e një propagande, se qëllimi i grupit të “Badovcit”, ishte helmimi i ujit.
Gjithçka kishte nisur me një deklaratë të papërgjegjshme të një avokateje e cila tha se grupit iu gjetur helm në pronësi. Lajmi (asokohe i paverifikuar) dhe përhapur me eufori nga mediat u pasua me reagimin e menjëhershëm të Policisë dhe Ujësjellësit rajonal që kishte ndërmarrë masa për ndërprerjen e ujit. A u desh që ky lajm i pavërtetë të publikohej? Sigurisht se jo. A u desh që ne gazetarët dhe mediat të prisnim versionin zyrtar lidhur me helmin? Sot, mendoj se po. Versioni zyrtar tregoi se te grupi i të dyshuarve nuk ishte gjetur helm. Por ishte gjetur një armë, letra me betimin në gjuhën shqipe ndaj ISIS, flamuri i kësaj organizate, uniforma dhe disa maska.
Fatmirësisht Kosova nuk është përballur me ndonjë sulm terrorist si shumë shtete të botës. Megjithatë globalisht tashmë ka nisur një diskutim i gjerë mbi ndikimin që media ka pasur madje edhe në rritjen e numrit të sulmeve. Në gusht të vitit 2015, Michael Jetter, hulumtues në Institutin për Studime dhe Punë në Bonn të Gjermanisë (IZA) dhe profesor i ekonomisë dhe financave në Universitetin EAFIT në Medellín të Kolumbisë, publikoi një studim mbi rritjen e rasteve të sulmeve terroriste në botë gjatë viteve 1970–2012 duke analizuar mbi 60 mijë sulme. Jetter arriti në përfundimin se edhe vetë raportimi i dhunës mund të shkaktojë sulme të reja. Baza e të dhënave globale mbi terrorizmin, sipas tij, ka listuar 1’395 sulme në vitin 1998, një shifër që është rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga atëherë, duke arritur një rekord prej 8,441 sulmesh në vitin 2012.
Në të njëjtën kohë, Jetter thotë se grupet terroriste çdo herë e më tepër po përdorin median si mjet për të përhapur mesazhet dhe promovuar agjendat. “Organizatat terroriste marrin vëmendjen e gjerë të mediave”, theksoi Jetter për gazetën britanike “The Guardian”. “S’ka rëndësi a janë talibanë, al-Kaida, Boko Haram ose, kohët e fundit, ISIS, terrorizmi është kudo në televizione, gazeta dhe radio”. Sipas Jetter, një artikull i “New York Times” në lidhje me një sulm në një vend të caktuar, mund të rrit numrin e sulmeve pasuese në të njëjtin vend për diku 11 për qind deri 15 për qind. Kjo edhe për shkak të ndikimit që ka ky medium dhe numrin e audiencës. E kur jemi te New York Times, këtij mediumi prestigjioz dhe me aq ndikim në politikën botërore…
Ishte pikërisht një artikull i “New York Times” që në maj të këtij viti e cilësoi Kosovën si tokë pjellore të ISIS. Madje, duke plasuar të dhëna të vjetra mbi numrin e përkrahësve të ISIS nga Kosova dhe duke mos përmendur asnjëherë hapat konkret që Kosova ka ndërmarrë në luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm fetar. Fatkeqësi akoma më e madhe se ky artikull, i cili në një mënyrë etiketoi të gjithë kosovarët si përkrahës të ISIS, ishte përkrahja nga disa media dhe gazetarë në Kosovë që me një qasje krejtësisht paragjykuese ndaj çdo personi që dyshohet se mund të ketë çfarëdo lidhje me ISIS dolën krah këtij reportazhi të “New York Times”.
Pavarësisht faktit se si rrjedhojë e tij, Kosova u desh të paguajë me implikime në çështje të sigurisë nacionale, por edhe më dëmtim tutje të imazhit të saj edhe ashtu të brishtë në arenën ndërkombëtare, kësaj radhe pa arsye e argument të shëndoshë.
Është e vërtetë se ekstremizmi i dhunshëm është shndërruar në një kërcënim shqetësues për sigurinë në mbarë botën perëndimore, e cila ka bashkuar forcat me aleatë për të luftuar formacionet terroriste. Por duhet kujtuar po ashtu se është e vërtetë se këto organizata terroriste, kanë audiencën e tyre. Po aq sa kanë mediat, organizatat jo-qeveritare, apo edhe më keq – politikanët, që me apo pa vetëdije sforcojnë të keqen, atëherë kur nuk e kuptojnë dhe pa e njohur e gjykojnë. E roli i medias në veçanti nuk është të gjykojë, por të raportojë – të vërtetën dhe vetëm aq.
Secili ka të drejtë të ketë mendimin e vet, por askush nuk ka të drejtë të ketë faktet e veta. Sepse faktet janë këtu për të gjithë. Në rastin e Badovcit duket se është fabrikuar “fakti” i pronësisë së helmit nga ana e të dyshuarve për terrorizëm. Lajmi pastaj mori dhënë – madje u botua edhe nga gazetat e mëdha perëndimore. E, kujt i intereson sot përgënjeshtrimi? Apo fakti se një grup u dënua për një akt të pakryer “terrorist”, i cili megjithatë mbetet ndërkohë të shihet nëse më të vërtetë kishte rrezikuar apo jo sigurinë nacionale në vend.