Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Sistemi inovativ kombëtar – mangësitë dhe mundësitë

Ilustrimi nga Big Eye.

Sistemi Inovativ Kombëtar (SIK) është rrjedha e tërësishme e teknologjisë dhe informatave mes njerëzve, ndërmarrjeve dhe institucioneve, dhe është kyç për procesin inovativ në nivel vendi. Me fjalë të tjera, inovacioni dhe zhvillimi i teknologjisë janë rezultat i një grupi kompleks të marrëdhënieve mes aktorëve në këtë sistem të ndërthurur. Që të arrihet forcimi i SIK në një vend, duhet të adaptohen politika të caktuara zhvillimore; të investohet në kapacitete njerëzore dhe hulumtim, si dhe të stimulohet bashkëpunimi në mes të kompanive private, qendrave të hulumtimit dhe institucioneve shtetërore. Ky bashkëpunim në zhargonin shkencor është i njohur edhe si “triple helix”.

Kosova ballafaqohet me sfida të mëdha për të forcuar dhe konsoliduar këtë sistem inovativ, sidomos në sektorin e prodhimit. Në të njëjtën kohë ajo duhet t’i përshtatet rrethanave bashkëkohore ekonomike dhe teknologjike; të integrohet më mirë në ekonominë globale dhe në të njëjtën kohë t’i përmirësojë standardet e jetesës dhe të rrisë punësimin që mbetet barrë kyçe. Disa prej kufizimeve kryesore në kapacitetin inovativ të Kosovës janë:

Kapacitetet njerëzore të pamjaftueshme për transferimin e teknologjisë, hulumtimit dhe inovacionit, siç pasqyrohet në numrin e vogël të të diplomuarve në shkencë dhe teknologji (S&T), dhe shumë pak studiues që punojnë në fusha më prioritet për zhvillimin ekonomik.

Infrastruktura e vjetëruar në shkolla, universitete dhe qendra kërkimore, duke përfshirë infrastrukturën e vjetëruar të rrjetit të energjisë elektrike.

“Brain drain” apo humbja e fuqisë punëtore të kualifikuar në mjedise më të favorshme jashtë vendit.

Dështimi për t’iu përshtatur nevojave të ekonomisë globale dhe një mjedisi ekonomik që ndryshon me shpejtësi.

Integrimi i limituar ekonomik dhe konkurrenca e fortë kur hyhet në tregje të reja.

Tregu i kufizuar vendor për produkte të reja.

Paaftësia e tregut të punës për të absorbuar 30.000 të diplomuar të rinj çdo vit.

Fatëkeqësisht, këto janë vetëm një fraksion i mangësive dhe kjo listë mund të zgjerohet edhe shumë më gjatë. Natyrisht se diferenca e madhe midis eksportit dhe importit është kufizim themelor për rritjen e ekonomisë së Kosovës. Kosova eksporton përafërsisht 10 herë më pak sesa importon. Në tregun rajonal dhe në tregun e Bashkimit Evropian, Kosova konkurron me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës Lindore, të cilat jo vetëm që kanë sektore më të forta eksportuese, por edhe një klimë më të mirë për investime që është një element esencial për tërheqjen e kapitalit të huaj.

Kaq sa i përket dobësive të shumta të SIK të Kosovës. Sigurisht që kritikat janë pa asnjë vlerë, kur ato nuk shoqërohen nga alternativa konkrete. Kështu që le të shohim tani së çfarë ka shkuar mirë dhe të japim disa rekomandime, edhe pse për këto probleme nuk ka një zgjidhje të vetme.

Një gjë dukshëm pozitive ka qenë performanca ekonomike e Kosovës përballë një krize ekonomike globale me pëmasa shkatërruese. Rritja mesatare e GDP-së reale në Kosovë që nga 2006 ka qenë pothuajse gjithmonë mbi 4.5 %, ndërsa gjatë periudhës së njëjtë GDP’ja për kokë banori është rritur për më shumë se 30%. Edhe pse këto shifra mbesin më të ulëtat kur krahasohen me rajonin, në Kosovë ka përmirësim të dukshëm në mjedisin e biznesit. Kjo reflektohet edhe në raportin “Doing Bussiness” të Bankës Botërore. Në këtë raport, Kosova këtë vit radhitet në vendin 81 nga 185 ekonomi gjithsej. Kjo shënon një ngritje për 36 vende, që nga viti 2012.

Si një shembull i veçantë, sektori i teknologjisë së informimit dhe komunikimit (TIK) në Kosovë ka përjetuar një zhvillim të jashtëzakonshëm që nga viti 1999. Nga të qenit pothuajse inekzistente 10 vite më parë, kompanitë kosovare në TIK tani ofrojnë një gamë të gjerë të shërbimeve  për klientët e tyre lokalë, si dhe për shumë kompani të huaja. Në epokën e digjitalizimit, Kosova duhet ta përdorë këtë si një avantazh me potencial të madh.

Rekomandimet për të forcuar sistemin inovativ në Kosovë mund të jenë të shumta, mirëpo unë po i përmendi disa që besoj se janë vendimtare për ngritjen e qëndrushme të ekonomisë së vendit:

1. Zhvillimi njerëzor – njerëzit janë komponenca me e rëndësishme e zhvillimit kombëtar të një vendit. Më popullatën më të re në Evropë, Kosova duhet të fokusohet tek fuqizimi i popullit të saj. Duhet të investohet në zhvillimit e njohurive dhe shkathtësive të të rinjve. Kjo do të çojë në përparim tek të gjithë sektorët. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edukimit të të rinjve në fushat e shkencës dhe teknologjisë.

2. Infrastruktura adekuate – Kosova ka nevojë që të zhvillojë një infrastrukturë të përshtatshme të teknologjisë për të siguruar investime nga jashtë dhe qasje në ekonominë globale. Tani për tani, kompanitë kosovare nuk janë në gjendje që të konkurrojnë me kompanitë e huaja si në tregun e jashtëm ashtu edhe në atë të brendshëm. Sistemi i vjetëruar i energjisë elektrike përmendet gjithmonë si një prej pengesave kryesore për bizneset dhe qytetarët. Me gjithë shqetësimet e ambientalistëve, Kosovës i nevojitet një termocentral i ri elektrik që do të siguronte furnizim të qëndrueshëm. Bile duke qenë më efikas, ky central ka gjasa ta ruajë më shumë ambientin sesa centralët e stërvjetruara që e degradojnë ambientin dhe e humbasin në masë të madhe.

3. Hulumtimi dhe të dhënat – Mungesa e të dhënave bazë që lidhen me inovacionin e kufizojnë analizën dhe hartimin e politikave adekuate zhvillimore. Qeveria dhe kompanitë private duhet të kenë si qëllim të përmirësojë kushtet për hulumtim dhe të vendosin qendra kërkimore të përqendruara në kërkimin dhe zhvillimin e inovacionit dhe të tekonlogjisë. Në të njëjtën kohë komunikimi midis qeverisë, kompanive private dhe instituteve kërkimore lë shumë për të dëshiruar. Në rastin ideal kjo do të bëhej në formë të triple-helix të lartpërmendur, ndërsa bizneset “startup” do të mund të organizoheshin në formë të inkubatorëve.

Për fund, ekonomitë e Hong Kongut, Koresë së Jugut, Singaporit dhe Tajvanit citohen si “mrekulli zhvillimore” për shkak të investimeve të tyre në arsim dhe teknologji. Natyrisht që koha dhe rrethanat kur këto ekonomi janë ngritur dallojnë shumë, mirëpo Kosova mund të përfitojë nga praktikat e mira ekonomike të vendeve të tjera. Është evidente që bota bëhet gjithnjë e më e globalizuar dhe konkurrenca është gjithnjë në rritje. Vendet e vogla si Kosova që nuk kanë dalje në det dhe kanë resurse të kufizuara, me përjashtim të atyre minerale, duhet të jenë të paktën të “zgjuara” që të kenë një avantazh në këtë mjedis.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.