Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

S’o boll veç me kuptu që s’je mirë

S’o boll veç me kuptu që s’je mirë

Kur flasim për zgjidhjen e problemeve, hapi i parë zakonisht është identifikimi (qysh me iu qas problemit pa e dit’ se çka është?). Në shëndet mendor është i njëjti princip, pa e ditë se je keq nuk mundesh m’u bo mirë. Fatkeqësisht, fakt është që ka shumë njerëz sot që i kanë përvetësuar ndjenjat negative në asi niveli që as nuk janë të vetëdijshëm se nuk janë të lumtur – pra, nuk janë në gjendje as ta identifikojnë problemin.

Njëkohësisht gjenden persona që janë në dijeni të plotë të vuajtjes së tyre, por ngecin aty ku janë.

Shkaku i natyrës së shoqërive që i kemi krijuar është e zakonshme që të ketë refuzim të gjendjes aktuale të shëndetit mendor. Çka është më atipike është kuptimi i situatës si problem i cili kalohet, po që njëkohësisht pranohet si gjendje permanente. Del, përkrah diskutime të hapura për shëndet mendor, i rekomandon të tjerëve mjete dhe metoda për të përmirësuar gjendjen e tyre, kthehet në shtëpi dhe shtrihet në vuajtjen personale.

Ndoshta nuk ish dashtë me qenë kaq e çuditshme, të paktën për shoqërinë kosovare. Te na vuajtja dhe letargjia janë tipare të cilat intimisht i njohim. Nuk është rastësi që njëra prej përgjigjeve më të shpeshta që i dëgjoj për pytjen “Qysh je?” është “Gjallë.. gjallë..”. Situata në të cilën gjendemi integrohet në realitetin tonë personal dhe pasivisht pranohet që të jetojmë me pikëllim, pra “keq jom, po s’kom çka boj!”

Gjeneratat e reja kemi më shumë informata mbi gjendjen emocionale të njeriut. Në skenën ndërkombëtare temat për shëndet mendor kurrë nuk kanë qenë më të përhapura, shembulli më i mirë që është iniciativa e Britanisë së Madhe për të pasur diskutime të hapura me sportistë dhe Prince William për shëndet mendor në BBC. Në fund të fundit, gati çdo njeri mund të hyjë online dhe të lexojë për depresionin, ankthin, PTSD(Stresi Post-traumatik), e shumë tema tjera të cilët i prekin. Mendimi i natyrshëm që rrjedhë është që “mantra” e lartpërmendur të refuzohet, pasi që jemi më të pajisur me info. Në realitet, ajo pranohet me një korrigjim: “keq jom, kom çka boj, ama nuk muj.”

Ky paradoks është thelbi për të kuptuar natyrën e sëmundjes mendore – frika joracionale që nëse kërkon ndihmë ose provon metoda për përmirësimin e gjendjes ato do të dështojnë, dhe si pasojë jeta jote ka me përjetu pasoja negative. Identifikimi i problemit bëhet pëlhurë e hollë mbrojtëse e këtyre frikave: “Deri sa e di që jom keq, muj me e menaxhu.”, dhe përfundimisht rezultati pason të jetë i njëjtë. Integrohet vuajtja si gjendje permanente e jetesës edhe pse mundësia për ndryshim është afër.

Njohja e vetëdijshme e problemeve të shëndetit mendor vetëm ka hy në diskursin publik. Disa prej serialeve dhe filmave të cilat ndiqen më së shumti, shpesh e diskutojnë çështjen e veturrejtjes, dhe ngecjen e avancimit të karakterit individual në ballafaqim me depresionin (Rick and Morty, BoJack Horseman, Lucifer, etj). Në rrjete sociale gjendet në formë të foreve dhe “memes”, diçka që në mënyrë implicite e shohim veten në të. Vetë kur i shoh më vjen me qeshë se po bashkëndjejë me atë që e thotë autori. Çka tjetër ka metë me bo përpos me qeshë me këto probleme, e sa mirë që dikush po na afirmon realitetin?

Po problemi nuk largohet. Sado që është i mirë identifikimi i problemit, nëse ai problem pranohet si diçka që nuk kemi fuqi ose dëshirë ta ndërrojmë, shëndeti ynë mendor vetëm do të përkeqësohet. Kuptimi i këtillë është hapi i fundit i rrethit të depresionit, para së të filloj përsëritja. Individi nuk jeton në iluzionin që problemi do të largohet, ose që do të jetë konstant në nivelin që gjendet, në fakt e kupton që një problem i patrajtuar vetëm mund të keqësohet – po kjo aq më tepër e çon në depresion dhe e kthen në mendimin e parë të menaxhimit të situatës.

Nuk ka rrugë tjetër jashtë rrethit përpos me dalë krejt prej saj – jemi mjaft të vetëdijshëm që ta pranojmë si të vërtetë. Çka ka mbetë është me e bo hapin e dytë, kërkimin e ndihmës. Është rrugë e gjatë, e mbushun me frustrime, gërmim të thellë në vetveten dhe frikë se ku ke me dalë, po o’ rrugë që të gjithë e dijmë se duhet me u bo.

—-

Klinika UNI – Qendër për këshillim, testim dhe vlerësim psikologjik

Nuk je vet – Këshillim online për të rinjët

CEL – Këshillime falas për komunitetin LGBT

I fight depression – Informata rreth Depresionit

Qendra Psiko-Sociale per Trauma Terapi, Diakonie Kosova – Shërbime falas për trauma terapi

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.