Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Tensionet në veriun e Kosovës: çfarë fshihet pas ngatërresës Kurti-Vuçiq?

Ilustrimi: Big Eye

Që nga fillimi i pushtimit total të Rusisë në shkurt të vitit 2022, ShBA-ja dhe BE-ja kanë rritur përpjekjet diplomatike në Ballkanin Perëndimor për të adresuar kërcënimet e sigurisë dhe për të parandaluar dhunën. Qëllimi kryesor është normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në gjysmën e dytë të vitit 2022, nisma franko-gjermane shënoi fillimin e një qasjeje diplomatike karshi dialogut Prishtinë-Beograd. Kjo u pasua nga një varg takimesh të nivelit të lartë politik dhe vizita të diplomatëve në Prishtinë e Beograd, konkretisht të të dërguarve specialë Lajçak dhe Escobar.

Përgjatë kësaj periudhe, Vuçiqi pati takime me presidentin francez Macron dhe kancelarin gjerman Scholz, ndërkohë që Kurti mori një letër nga të dy liderët, që i kërkonin të përgatitej për vendime të vështira.

ShBA-ja mbështeti propozimin europian. Sidoqoftë, pavarësisht arritjes së marrëveshjes në shkurt 2023, marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës janë përkeqësuar ndjeshëm. Marrëveshja e arritur në shkurt të vitit 2023 dështoi të marrë parasysh zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Dy muaj më vonë, serbët lokalë bojkotuan zgjedhjet, gjë që u mundësoi partive shqiptare të fitonin zgjedhjet me më pak se 4%. Kur kryetarët e rinj morën detyrën, serbët lokalë protestuan. Prishtina dërgoi njësitë speciale të policisë për t’i shoqëruar kryetarët e komunave, duke shënuar kështu fillimin e një fërkimi të gjatë.

Midis përpjekjeve të intensifikuara diplomatike për një marrëveshje të re, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi se ndërkohë që procesi i normalizimit po nxitohej nga Perëndimi, procesi i shtet-ndërtimit po mbetej i paplotë. Ky mund të jetë një faktor kyç që fshihet pas këmbënguljes së tij për përdorimin e letërnjoftimeve të Kosovës dhe targave të automjeteve në veriun e populluar kryesisht nga serbët. Problematika e letërnjoftimeve dhe targave daton që nga viti 2021, kur Qeveria e Kosovës tentoi për herë të parë t’i zbatoj ato në veri. Përpjekjet e mëvonshme për zbatimin e këtyre masave çuan në tensione të konsiderueshme midis popullatës lokale serbe dhe Policisë së Kosovës.

Ndërkohë që procesi i normalizimit përparon, Kosova ballafaqohet me dy problematika kyçe. E para është integrimi i serbëve në veri, të cilët po refuzojnë të pranojnë letërnjoftimet e targat e Kosovës, duke refuzuar kësisoj autoritetin e pushtetit qendror në Prishtinë. Sfida e dytë është mosnjohja nga Serbia, që e pengon njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe statusin e saj si shtet i pavarur.

Nga ana tjetër, për presidentin serb Aleksandar Vuçiq ekzistojnë dy objektiva kryesorë në dialog. Së pari, ai synon të vazhdojë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa e njohur në mënyrë eksplicite pavarësinë e saj. Dhe, së dyti, ai kërkon të sigurojë autonomi territoriale për serbët në Kosovë, sikundër ishte rënë dakord më 2013.

Këto dy synime po bëhen gjithmonë e më të rëndësishme për Beogradin, pasi tensionet po konsiderohen si përpjekje e Prishtinës për ta minuar krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (AKS) dhe për ta sjellë çështjen e njohjes në plan të parë.

Kjo ka rezultuar në një përplasje midis Kurtit dhe Vuçiqit lidhur me fokusin qendror të dialogut, ka nxitur tensione dhe herë pas here ka sjellë situatën në prag të një përshkallëzimi të madh etnik.

Tensionet intensive etnike ishin evidente në një varg veprimesh të ndërmarra nga të dyja palët. Nga njëra anë, Kosova vendosi njësi të Policisë Speciale në veri dhe zhvilloi një stërvitje ushtarake në Mitrovicën e Jugut.

Nga ana tjetër, Forcat e Armatosura të Serbisë u pozicionuan në gatishmëri të lartë dhe stërvitja e tyre në jug të Serbisë pranë kufirit me Kosovën rriti ankthin e liderëve dhe njerëzve të të dyja vendeve.

Për të rritur tensionin edhe më shumë, arrestimi i tre policëve kufitarë të Kosovës nga xhandarmëria serbe ngriti spekulime nëse forcat speciale serbe shkelën Rezolutën 1244 (1999) të OKB-së dhe hynë në territorin e Kosovës. Ky incident kërkoi përpjekje shtesë diplomatike perëndimore për t’i zbutur tensionet dhe për të siguruar lirimin e policëve kosovarë.

Veç kësaj, disa protestues serbë të Kosovës në komunat veriore e kthyen protestën në dhunë, duke plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it. Përgjatë protestave u tregua edhe pakënaqësi me Listën Serbe (Srpska Lista) – partia më e madhe politike serbe në Kosovë, nën patronazhin e presidentit Vuçiq. Kjo potencialisht mund të nënkuptojë një rënie të mbështetjes për Listën Serbe dhe një dobësim të kontrollit të Vuçiqit mbi veriun e Kosovës.

Protestat e dhunshme rritën shqetësimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me problemin e sundimit të ligjit në veri dhe përforcuan qëndrimin e domosdoshmërisë së pranisë së policisë në atë rajon. Veriu i populluar nga serbët ka një histori të protestave të dhunshme, barrikadave, të shtënave ndaj policisë dhe EULEX-it, si dhe vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Sidoqoftë, përdorimi i tepruar i forcës dhe prania e automjeteve të mëdha të militarizuara, krahas arrestimeve, frikësuan qytetarët në veri. Shembulli i arrestimit të një aktivisti të një OJQ-je serbe ngjalli shqetësime serioze në mesin e komunitetit serb.

Është e qartë se të dyja palët mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta në lidhje me rezultatin e dëshiruar të dialogut. Pyetja më e rëndësishme në këtë mes është: Cila është zgjidhja?

Kjo është një pyetje thelbësore për BE-në, pasi situata aktuale është rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së saj të ambiguitetit konstruktiv. Të dy liderët po përshkallëzojnë tensionet, si mjet për të fituar ndikim në dialog, duke rrezikuar kësisoj të humbasin kontrollin dhe të ndezin konfliktin. Ky është një tregues i qartë se BE-ja duhet seriozisht të shqyrtojë ndryshimin e qasjes.

Ambiguiteti konstruktiv ka shërbyer si një mjet i dobishëm në dekadën e fundit të dialogut, për të arritur progres në negociata. Sidoqoftë, kjo qasje ka arritur në kufijtë e vet dhe është e qartë se nuk mund të prodhojë progres të mëtejshëm në dialog.

Ka ardhur koha që BE-ja më në fund të përcaktojë qartë objektivin përfundimtar të dialogut. A është qëllimi final njohja reciproke, apo normalizimi pa njohje eksplicite?

Për progres të mëtejshëm në dialog, BE-ja duhet të dalë me një deklaratë të qartë, duke u larguar nga ambiguiteti konstruktiv dhe duke identifikuar qëllimin final të negociatave. Kjo do të siguronte qartësi për të dyja palët, duke nënvizuar pritshmëritë dhe përgjegjësitë e tyre. Pa një qartësi të tillë, tensionet, provokimet dhe përshkallëzimi rrezikojnë të kthehen në normë të re, duke penguar çfarëdo progresi të mëtejshëm në dialog.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.