Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Tetëmbëdhjetë pika sa për t’ja filluar: Pushteti dhe kapitali. Punëtorja dhe punëtori. Ndotja e ajrit.

Pikat në vijim nuk janë program dhe as manifest. Janë një numër mendimesh, një listë e mundësive, sigurisht jo-komplete.

1. Ndotja e ajrit duhet të trajtohet brenda kontekstit të luftës klasore dhe ekonomisë politike. Rrjedhimisht, ndotja e ajrit nuk mund të trajohet si fenomen i vetëm në izolim, por ajo duhet të trajtohet brenda triadës: Kapital, Komoditet, figura e Punëtores/it.

2. Ndotja e ajrit nuk duhet të de-politizohet sepse ajo është simptomë e prodhueme, thellësisht, nga konstalacione politiko-ideologjike.

3. Si simptomë politiko-ideologjike, ndotja e ajrit, rrjedhimisht, duhet të shihet, të analizohet, të diskutohet nga prizmi i drejtësisë sociale dhe diskriminimit e racizmit ambiental, si dhe jo-barazisë ekonomike.

4. Ekziston një tendencë brenda hegjemonisë ekzistuese liberale që ndotja e ajrit të paraqitet si fenomen totalizues: të gjithë jemi brenda një singulariteti negativ (ndotjes së ajrit); të gjithë kontribuojmë në këtë singularitet negativ; faji shpërndahet në mënyrë të barabartë për të gjithë; të gjithë fajtorët duhet të vuajnë pasojat në mënyrë të barabratë. Kjo, në plotni, është falsitet.

5. Totaliteti i paraqitur nuk merr parasysh klasat shoqërore. Trendet botërore, të paraqitura përmes hulumtimeve shkencore (si procedurë-e-së-Vërtetës), tregojnë se ata/o që emitojnë më shumë ndotje në ajër i ekspozohen më pak ndotjes së ajrit; ata/o që i ekspozohen më shumë ndotjes së ajrit janë pikërisht ata/o që emitojnë më së paku ndotje të ajrit. Këtu theksi përsëri bie mbi triadën: Kapital, Komidetet, figura e Punëtores/it. Pra, ekonomisë politike të ndotjes së ajrit.

6. Si pasojë, totaliteti i promovuar nga hegjemonia liberale që “të gjithë jemi brenda një singulariteti negativ” duhet të rezistohet përmes maksimës: çka është ndotja e ajrit në krahasim me shfrytëzimin, dhunimin, dhe poshtërimin e Punëtores/it?

7. Shkenca është proces i së Vërtetës, dhe kjo e Vërtetë është gjithmonë në anën e të dobëtit. Që do të thotë: e Vërteta e lejon dhe inkurajon të dobëtin që të flas; si pasojë e Vërteta transformohet në Ide. Të rikujtojmë Alain Badiou, i cili identifikon katër ‘lloje’ subjektive fundamentale: politike, shkencore, artistike, dhe dashurore [amoureux]. Secila nga këto paraqet një të Vërtetë singulare. Çdo kafshë njerëzore, sipas Badiou-s, që merrë pjesë në një të Vërtetë singulare, mishërohet në një nga katër llojet subjektive të sipërpërmendura.

8. Transformimi i së Vërtetës në Ide tmerron imperativin ekzistues liberal “të jetohet pa asnjë Ide”. Hegjemonia liberale për këtë arsye dëshiron që ndotjen e ajrit ta trajtojë në formën e saj të izoluar nga eskpertët teknokratë. Pra, sipas tyre “vetëm eskpertët mund t’i zgjedhin problemet tona”.

9. Në një letër-shkëmbim në mes Slavoj ?i?ek dhe Nadezhda Tolokonnikova (anëtare e punk-bendit rus “Pussy Riots”) e cila gjendej në burg, ?i?ek shkruante: “ndoshta ekzistojnë disa probleme që ata [ekspertët] mund ti zgjidhin, por çka ata nuk mund të bëjnë është që të identifikojnë dhe të formulojnë problemet e vërteta. Ekspertët janë, si përkufizim, shërbyesit e atyre në pushtet: ata nuk mendojnë, por vetëm aplikojnë dijen e tyre në problemet që janë identifikuar nga të fuqishmit e pushtetit.”.

10. Sot kemi nevojë, më shumë se kurrë, që t’i japim hapësirë filozofisë dhe disiplinave tjera  humanistike. (Poezisë, artit në përgjithësi, gjithashtu). Por, le t’i kthehemi filozofisë: është pikërisht filozofia që hap dhe ndërton hapsira të mendimit në të cilat, llojet e ndryshme subjektive, të shprehura përmes të Vërtetave singulare, bashkëjetojnë (Badiou).

11. Përmes hapësirave të reja të mendimit ne mund ta transformojmë të Vërtetën në Ide. Por kjo kërkon prishjen e triadës: Kapital, Komoditet, figura e Punëtores/it. Kërkon prishjen e totalitetit ‘të gjithë jemi brenda një singulariteti negativ’. Kërkon ri-themelimin e figurës së Punëtores/it. Kërkon një ri-organizim kreativ kolektiv në nivel teorik, që është gjithmonë universal, dhe në nivel praktik, që është lokal dhe singular.

12. Dialektika ndërmjet të Vërtetës dhe Idesë, përmes një ri-organizimi kreativ kolektiv, do të prodhonte një ‘intervenim’ që do ti ndryshonte rregullat e situatës, dhe si pasojë do të kishim një Ngjarje (në kuptimin e plotë Badiouan).

13. Ngjarja, si produkt i dialektikës së Vërtetës dhe Idesë, kërkon, megjithatë, dedikim dhe besnikëri të plotë të subjektit ndaj saj. Badiou thotë se “të qenit besnik ndaj Ngjarjes do të thotë të lëvizësh brenda situatës që Ngjarja e ka krijuar, duke e menduar (megjithse të menduarit do të thotë vënien e mendimit në praktikë) situatën ‘sipas’ Ngjarjes.”.

14. Ky dedikim dhe besnikëri e plotë e subjektit ndaj Ngjarjes, jo vetëm se do të zbulonte një mënyrë të re të të qenit dhe të vepruarit, por gjithashtu do të prodhonte një totalitet të ri.

15. Ekziston vetëm një totalitet. Totaliteti i ri do të quhej: shoqëri e barabartë, pa klasa.

16. Vetëm brenda këtij totaliteti ne mund të flasim në mënyrë të sinqertë, pa spektakle, pa interesa, në lidhje me të mirat e përbashkëta: ujin, tokën, ajrin, pyjet, qytetin, e kështu me rradhë.

17. Kështu, singulariteti i ri do të ishte: ne, të gjithë, kolektivisht dhe në mënyrë konsensuale, mirëmbajmë, vetë-menaxhojmë, i mbrojmë, i promovojmë, dhe i shfrytëzojmë të mirat e përbashkëta.

18. Por, në fakt, sot ndotja ekziston si ndotje, ndotja si ndotje është ndotja si e tillë. Dhe ndotja si e tillë është diçka e vështirë, sepse ndotja nuk ka përfaqësim. Sot, ne nuk kemi emra, dhe nuk kemi trupa. Kemi zëvendësim të emrave dhe të trupave. Ne nuk kemi emrin e Kapitalit, Pushtetit, Komoditetit, Punëtores/it, por kemi fotografinë e Korparatës, Qeverisë, Brendit – por pa fotografinë e Punëtores/it. Pushteti dhe Kapitali. Punëtorja dhe Punëtori. Ndotja e ajrit. Dhjetëra, qindra, mijëra trupa me emra dhe me fotografi, të mbuluara me dhe.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.