Dialog me serbët e veriut, të Shtërpcës, të Graçanicës e të Ranillugut. Kjo do të paraqiste iniciativën fillestare për normalizimin e gjendjes. Edhe me kushtin nëse refuzojnë. Shko bashkëbisedo me ta kryeministër. Afirmoji e inkurajoji këta qytetarë përmes bisedimit e dialogimit, në vend të dërgimit të forcave të armatosura.
Për kufijtë janë bërë luftëra, sepse ata kanë ndarë njerëz e kultura të ndryshme. Ana tjetër e kufirit e ka treguar tjetrin – ai që nuk bën pjesë në jetën tonë dhe ai që nuk mund të jetë sikurse unë dhe ne. Por, kufiri, ai me gjemba dikur ose si ky i sotmi “rampë”, nuk shënon tjetrin andej. Ky tjetri është edhe brenda kufirit, brenda territorit tonë me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.
Është zëvendësuar dhe është forcuar më shumë me tjetrin e brendshëm. Ai po na qëndron përbrenda sepse ne nuk po mund ta nxjerrim jashtë, e kjo siç duket po na e vështirëson jetesën në përgjithësi, në veçanti banorëve. Përplasje dhe presion i vazhdueshëm për një jetë më të mirë, përbrenda politikave të mëdha – në dominim elitar duke ardhur nga lart e asnjëherë nga poshtë, nga qytetari i thjeshtë, nga ai që bën tregti dhe marrëveshje për t’i blerë dy ari tokë e për ta ndërtuar një shtëpi, e nga ai për ta blerë një banesë të vogël për ta nisur një familje.
Diskutimi vazhdon të mbetet në terma të trishtimit. Të tërbimit e të mosdurimit ndaj tjetrit. Sepse ai zapton hapësirën që edhe në të shumtën e rasteve nuk është e nevojshme për ta realizuar veten tonë. Ky tjetri është shqiptari për serbin dhe anasjelltas, romi, ashkaliu dhe egjiptasi për shqiptarin. Kushtetuta si akti më i lartë politiko-juridik, sikurse ligjet e aktet e tjera administrative, nuk e kanë (zh)bërë tjetrin, për aq vite sa janë në fuqi. As kuotat për joshumicën – përveçqë nuk e kanë lejuar zvogëlimin e përfaqësimit deri në skaj. Ato më shumë e kanë ruajtur minimumin dhe shumë pak ndikuan në ndërtimin e bashkëjetesës. Më mirë me thënë, detyrimisht e kanë ruajtur minimumin e jetesës për të dy palët. Ato më shumë kanë krijuar parakushte të domosdoshme për pjesëmarrje efektive të komuniteteve joshumicë në përfaqësim formal sesa në jetën ekonomike dhe sociale si dhe në çështjet publike e politike që i prekin komunitetet.
Mendimi për tjetrin vazhdon të jetë në nivel të njëjtë edhe 20 vjet pas qeverisjeve në nivel qendror të partive të dala nga fillimi i viteve ’90 dhe i partive të dala nga lufta e fundit në vitin 1999. Referenca për të nuk ka ndërruar. Për më shumë, është zgjeruar dhe forcuar. Edhe me qeverisjen e re, në krye të së cilës ndodhet kryeministri Albin Kurti me një shumicë të nevojshme e të konsoliduar, qasja ka mbetur e njëjtë. Për gjashtë muaj qeverisje, tjetrit së pari ia dërgojmë imazhet e helmetës, autoblindës dhe automatikut. Përqendrohemi aty për reciprocitet targash e për disa aspekte teknike që së fundi janë të rregulluara edhe me ligj përkatës. Në vend të kësaj, ose edhe bashkë me këtë një plan gjithëpërfshirës me hapa konkretë të cilët patjetër duhet ta kenë komponentin e çështjeve sociale dhe ekonomike.
Dialog me serbët e veriut, të Shtërpcës, të Graçanicës e të Ranillugut. Kjo do të paraqiste iniciativën fillestare për normalizimin e gjendjes. Edhe me kushtin nëse refuzojnë. Shko bashkëbisedo me ta kryeministër. Afirmoji e inkurajoji këta qytetarë përmes bisedimit e dialogimit, në vend të dërgimit të forcave të armatosura. Sepse idealet e qëllimet programore të proklamuara ishin biseda me qytetarët serbë e jo me elitat politike të Serbisë në Bruksel. Edhe pse dialogu i brendshëm nuk e zëvendëson atë me Serbinë.
Përkundrazi, do ta ndihmonte. Dialogu i brendshëm ka tjetër qellim: ta ndërtojmë Kosovën për interesin e përgjithshëm. Edhe kur flasim për shtrirjen e sovranitetit nuk mund ta mendojmë vetëm si sovranitet shtetëror (që vjen nga lart), por si sovranitet popullor (që vjen nga poshtë). Serbët në Kosovë janë pjesë e popullit. Dhe trajtimi i barabartë i tyre sikur pjesë e popullit nënkupton t’i trajtojmë si sovranë. Dhe ta shtrijmë sovranitetin me ta.
Dialogu me serbët lokalë do të mbështetej nga çdokush. Sepse aksionet policore të koordinuara ose të pakoordinuara, nuk ka rëndësi, do të interpretohen dhe do të përdoren qëllimisht dhe strategjikisht nga Qeveria e Serbisë për viktimizim, duke e paraqitur si vërsulje e shqiptarëve shumicë dhe të fortë ndaj serbëve pakicë dhe të dobët. Një propagandë déjà vu nga Beogradi. Një mënyrë e tillë e demonstrimit të vullnetit politik përmes forcës nuk çon në afrim dhe në bashkëpunim ndërmjet qytetarëve.
Për më tepër, dërgimi i më shumë forcave, qoftë për arsye të drejta e të mbështetura me Kushtetutë e me ligj, komplikon dhe ndërlikon më shumë situatën e qytetarëve të rëndomtë sesa të grupeve kriminale e të shtrirjes së sovranitetit të shtetit. Këtë të fundit mund ta bësh kurdoherë.