Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Tkurrja e bankave, shenjë e përkeqësimit ekonomik

Ilustrimi nga Big Eye.

Në vitin 2007, banka më e madhe komerciale në Kosovë, ProCredit, kishte hapur solemnisht degën e saj në Dragash. Asokohe zyrtarët e ProCredit me entuziazëm të madh paralajmeronin hapje të degëve të reja dhe ekspanzion në gjithë Kosovën. Më 1 korrik të këtij viti, ProCredit mbylli përfundimisht degën e saj në Dragash. Të njëjtën e bëri edhe në Suharekë, bashkë edhe me katër pika tjera të shërbimit. Përveç se banorëve të Dragashit dhe Suharekës tani u duhet të udhëtojnë në qytete të tjera që të kryejnë shërbime bankare, kjo bankë gjatë vitit të fundit gjithashtu ka kryer një valë ristrukturimi, duke zvogëluar stafin dhe duke rritur gjithashtu çmimet e shërbimeve, përfshirë edhe minimumin për hapjen e llogarisë.

E gjithë kjo nuk është shenjë për ndonjë përkeqësim në afarizmin e bankave. Vlera e përgjithshme e depozitave gjatë çerekut të parë të vitit 2015 ka arritur në 2,57 miliardë euro, një rritje prej gati 6 për qind nga viti i kaluar. Gjatë vitit 2014, ndërkaq, bankat komerciale kishin realizuar profit rekord prej 60 milionë eurosh, më shumë se dyfishin e profitit që e kishin realizuar në vitin paraprak.

Ndryshimet e politikave bankare janë edhe shenjë e një mjedisi gjithnjë e më të pafavorshëm ekonomik. Gjë që po shihet jo vetëm nga ristrukturimi por edhe nga ndryshimet në strukturën e të ardhurave bankare. Këto ndryshime reflektojnë atë që duket të jetë një ndryshim në modelin e biznesit bankar, i cili të hyrat i mbështet në të ardhurat e realizuara përmes komisioneve e tarifave, se sa në atë që është shtyllë e biznesit bankar – kamatat. Në vitin 2011, të hyrat nga komisionet e tarifat për bankat ishin 18,7 për qind e të hyrave të tyre të përgjithshme. Ndërkaq, në vitin 2014 kjo kishte arritur në 19,6 për qind.

E gjithë kjo reflekton një adaptim ndaj brishtësisë së strukturës ekonomike të Kosovës, ku janë zvogëluar mundësitë për investime, por edhe jostabilitetin makroekonomik që nga viti 2008. Që nga ai vit, vendi ka shkuar nga nivele të larta inflacioni në atë që tani është një periudhë deflacioni. Një pjesë e mirë e këtyre lëvizjeve janë të determinuara nga faktorë globalë, si lëvizjet inflacioniste në Serbi, kriza e euros dhe intervenimet e Bankës Qëndrore Evropiane që prodhojnë efekte indirekte në ekonominë e Kosovës.

Më brengosës është fakti se që nga viti 2012, kreditimi në Kosovë ka marrë një kah konservator. Që nga fundi i këtij viti, ekonomia kosovare ka përjetuar një rritje më të madhe të depozitave se të kredive, ndërsa rënia e raportit midis kreditimit dhe depozitave po arrin në një nivel të para-pavarësisë. Kjo domethënë se bankat gjithnjë e më shumë kanë ngushtuar kredidhënien, përkundër rëniës së normave të interesit.

Kjo rënie e kreditimit po detyron bankat që profabilitetin ta arrijnë përmes burimeve alternative, siç janë shkurtimi i shpenzimeve (përfshirë shkurtimet e vendeve të punës) dhe rritjes së të hyrave të tjera, të realizuara përmes komisioneve e tarifave. Kjo strategji, siç dëshmojnë shifrat e profitabilitetit të vitit 2014, po tregohet e suksesshme për vetë bankat.

Por kjo strategji po çon edhe në zvogëlimin e punësimit në sektorin financiar dhe përkeqësim kushtesh për konsumatorët përmes mbylljes së filialave dhe shtrejtimit të tarifave për shërbimet më bazike.

Përveç kësaj, ngushtimi i kredidhënies tregon edhe për rënie të investimeve, pasi që niveli i investimeve në një ekonomi është i lidhur ngushtë me nivelin e kreditimit.

Kësaj gjendjeje mund t’i ndihmojë projekti për një Fond për Garanci Kreditore, i financuar nga një numër donatorësh të jashtëm. Sipas njoftimeve që janë bërë, ideja e këtij fondi është që të garantojnë 50 për qind të kolateralit, për kreditë që bankat i japin ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ndonëse detajet e këtij projekti nuk janë dhënë, ai mund të jetë një shtytes për nxitjen e kreditimit. Por, drejtuesja e Ministrisë për Tregti dhe Industri, Hikmete Bajrami, tregon për një mosnjohje elementare të funksionimit të bankave kur deklaron, siç bëri gjatë prezantimit të këtij Fondi në muajin qershor, se garantimi i 50 për qind të kolateralit do të çojë në ulje të normave të interesit për po aq, 50 për qind. Kolaterali është vetëm një pjesë e kalkulimit bankar të riskut, ndërsa normat e interesit varet nga një sërë faktorësh, përfshirë mjedisin makroekonomik dhe strategjitë bankare.

Sido që të jetë, tërheqja aktuale e kreditimit të në Kosovë dëshmon se sektorët ekonomikë në Kosovë po vuajnë thellësisht nga investimet. Tkurrja e aktiviteteve bankare është shenjë se kjo gjendje tani po merr përmasa edhe më serioze.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.