Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Trashëgimia e venitur e Manifesta 14 në Prishtinë

Ilustrimi nga Big Eye.

Shumë njerëz në Kosovë e mbajnë mend të shumëpërfolurën Manifesta 14 në Prishtinë, që u organizua në vitin 2022, e cila, me qëllim të hapjes së më shumë hapësirave publike nëpërmjet artit dhe kulturës, e rimodeloi kryeqytetin. Manifesta ishte konceptuar ta frymëzonte transformimin e perceptimit dhe përdorimit të kulturës dhe hapësirës publike.

Manifesta 14 në Prishtinë tërhoqi mbi 800,000 vizitorë në Kosovë. Sipas Manifestës, bienalja gjeneroi mbi 20 milionë euro: përafërsisht 5.4 milionë euro ishin shpenzimet e saj, kurse rreth 14.9 milionë euro ishte konsumi i plotë i vizitorëve. 

Fabrika e Tullave, Hotel Grandi, hapësira e Rilindjes, parku hekurudhor Korridori i Gjelbër dhe Qendra për Praktikë Narrative, ishin disa nga vendet më të popullarizuara të Manifesta 14.

Dy vjet më vonë, sipas kryetarit të Komunës, Fabrika e Tullave është propozuar për t’u rizhvilluar nga një konsorcium amerikan në një kompleks shumëfunksional, 40% e hapësirës së të cilit është e dedikuar për art dhe kulturë, duke ofruar fonde për mbështetjen e nismave kulturore në qytet. Hotel Grandi, falë Qendrës Barabar dhe Fondacionit HAJDE, ka vazhduar të shërbejë si hapësirë për ekspozita dhe qendër kulturore shumetnike. Ndërkaq, hapësira e Rilindjes është në fazat e planifikimit për t’u shndërruar në Muzeun e ri të Artit Modern të Kosovës. 

Megjithëkëtë, ndër hapësirat e papërdorura, parku hekurudhor Korridori i Gjelbër është lënë pas dore dhe kinematë mbesin të mbyllura. Manifesta shprehu zhgënjimin e saj me Komunën e Prishtinës, që nuk i përmbushi zotimet e saj për këto hapësira. 

Zhgënjimi më i madh është mbyllja, për shkak të problemeve me fonde, e Qendrës për Praktikë Narrative, e konceptuar si trashëgimi e Manifestës. Qendra për Praktikë Narrative njoftoi mbylljen e përkohshme nga 1 shkurti 2024, për t’u bërë gati për t’u rihapur në pranverë, si dhe për të eksploruar partneritete të qëndrueshme publike dhe private për mirëmbajtje në të ardhmen. Sidoqoftë, pothuajse një vit më vonë, përkundër investimeve fillestare dhe zotimeve nga autoritetet kosovare, kjo hapësirë mbetet e mbyllur. 

Qendra për Praktikë Narrative: e mbyllur për aktivitete 

Qendra për Praktikë Narrative, e vendosur në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” te Qafa, ishte rinovuar nga Ambasada e Luksemburgut me 400,000 euro, për të shërbyer si qendër kulturore, bibliotekë shumetnike, hapësirë për ekspozita, studio e artistëve dhe hapësirë e përbashkët për punë. Gjatë këtij viti, ajo u mbyll për shkak të mungesës së fondeve për veprimtari. 

Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ishin pajtuar për ta mbajtur Qendrën për Praktikë Narrative, teksa Komuna kishte nënshkruar marrëveshje me Manifestën për menaxhimin e saj deri në vitin 2025. Gjithashtu, Ambasada e Zvicrës kishte kontribuuar me fonde për këtë projekt. 

Për Manifesta 14, qyteti investoi 1.7 milion euro, kurse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ofroi 2 milionë euro, që përbëjnë 5% të buxhetit të saj të atëhershëm. Sipas raportit përfundimtar të Manifestës 14, këto kontribute përbëjnë rreth 69% të buxhetit, kurse 1.6 milion euro apo 31% e buxhetit ka ardhur nga donatorët.

Manifesta 14 nuk ia doli ta sigurojë financimin vjetor prej 100,000 eurosh, të nevojshme për ta mbajtur Qendrën për Praktikë Narrative plotësisht funksionale, përfshirë këtu programin e saj, siç janë: punëtoritë shkollore, kurset pa pagesë për fotografi dhe hapësirat e studiove për artistë. Stafi u lirua për shkak të mungesës së fondeve. Për ta parandaluar mbetjen bosh të ndërtesës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në verën e vitit 2024, e lejoi Departamentin e Kulturës të zhvendoset me zyra në hapësirën e bibliotekës, duke ia atribuuar këtë vendim mungesës së mbështetjes nga qeveria qendrore. 

Fill pas kësaj, shoqëria civile protestoi për përvetësimin e hapësirës nga Komuna, duke këmbëngulur që ajo të rikthehet për përdorim si më përpara. Por, Komuna thotë se nuk ka fonde për ta mbajtur Qendrën për Praktikë Narrative, ashtu siç ishte parashikuar.  

Megjithatë, deri në shtator të vitit 2024, Departamenti i Kulturës u zhvendos nga ndërtesa, pas kërkesës së organizatave të shoqërisë civile, një grupi ad hoc të artistëve dhe punonjësve të kulturës, të mllefosur që Komuna nuk e kishte mbajtur zotimin e saj për qëllimin e Qendrës për Praktikë Narrative. Tani kryetari e ka krijuar një program ku organizatat e shoqërisë civile mund të aplikojnë për ta përdorur hapësirën për aktivitete. Por, kryesisht, ndërtesa mbetet e mbyllur për publikun. 

Në vizitën e fundit në Qendrën për Praktikë Narrative, pashë se aty nuk kishte aktivitete. E kam pyetur Komunën se si ka ecur programi i aplikimit për lejimin e OJQ-ve lokale për ta përdorur hapësirën, por nuk kam pranuar përgjigje. 

Në një deklaratë me shkrim, Manifesta 14 tha: “Bordi i Manifestës 24 (si ai ndërkombëtar, ashtu edhe ai lokal) është akoma duke diskutuar për të ardhmen e Qendrës për Praktikë Narrative dhe se si ajo do të vazhdojë vitin tjetër.”

Mbyllja e Qendrës për Praktikë Narrative nënvizon vështirësinë e qëndrueshmërisë së nismave kulturore në Kosovë. Përkundër potencialit të saj dhe investimeve të rëndësishme, hapësira mbetet e mbyllur, pa të ardhme të qartë. 

*Me transparencë të plotë, OJQ-ja me të cilën punoj, New Perspektiva, provoi ta ndihmonte Manifestën ta krijonte një projekt për ngritjen e fondeve për ta mbajtur Qendrën për Praktikë Narrative të hapur gjatë janarit dhe shkurtit. Përkundër dorëzimit të propozimeve dhe kontaktimit të partnerëve të tjerë të mundshëm, fondet nuk u siguruan. 

*Kërkesat për koment nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sikur edhe nga Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada e Luksemburgut, nuk morën përgjigje.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.