Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

“Trepça”, mes krizës së pagave dhe nevojës për reformë

Më 29 gusht, Ndërmarrja Publike “Trepça” shpalli gjendje të jashtëzakonshme. Kjo masë erdhi si pasojë e krizës financiare nëpër të cilën po kalon “Trepça” dhe si rrjedhojë e grevës së punëtorëve, që nga korriku e deri më 14 gusht, për shkak të mosekzekutimit të pagave.

Gjendja e jashtëzakonshme nënkupton gjithashtu pezullimin e pushimeve vjetore për punëtorët për tre muajt e ardhshëm, si masë ndëshkuese për të kompensuar mospunën si rezultat i grevës.

Pakkush do ta ketë parashikuar që 35 vjet pas grevës historike të minatorëve, që u bë simbol i rezistencës politike të shqiptarëve ndaj represionit jugosllav, si dhe 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, minatorët e “Trepçës” do të lihen pa paga për gati tre muaj, duke shkaktuar një krizë humanitare për ta dhe familjet e tyre.

“Gjendja është jashtëzakonisht e rënduar për shkak të mungesës së pagave”, përshkruante situatën Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës. Gjendja është aq e rëndë, saqë një minator e krahasoi grevën e këtij viti me atë të vitit 1989, ndonëse këtë radhë ata nuk kërkojnë kushte më të mira pune, por vetëm e vetëm pagat që u takojnë.

Shteti mban përgjegjësinë kryesore për “Trepçën”, ngase, sipas profilit të saj, 80 për qind e aksioneve të kësaj korporate janë pronë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe 20 për qind e punëtorëve.

Në plan të parë: në fushatë punëtori, në pushtet xehja!

Gjatë fushatës zgjedhore të fundit, kryeministri Albin Kurti, si një politikan me pretendime të majta, kishte premtuar aleancë me sindikatat për të drejtat e punëtorëve.

Më 14 gusht, ekzekutivi ndau 4 milionë euro për “Trepçën”, që të tejkalohet kriza e fundit. Megjithëkëtë, Kurti, në njëfarë mënyre, e kushtëzoi këtë politikë me rendimentin e punëtorëve, duke thënë se minatorët duhet të nxjerrin më shumë minerale.

Kryeministri Kurti ka thënë se kjo asistencë i jepet “Trepcës”, “në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur që të sigurojë pagat nga xehja e nxjerrë. Duket se ka shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, ka thënë Kurti, duke folur kështu me një retorikë që i ngjan më shumë një politikani neoliberal, sesa një vizionari me drejtim të supozuar socialdemokrat.

Për më tepër, Qeveria e Kosovës i ka kërkuar menaxhmentit të “Trepçës” që t’i ulë shpenzimet dhe ta rrisë prodhimtarinë. Sado që kërkesa është logjike, historiku i menaxhimit të kësaj ndërmarrjeje nuk ofron shumë optimizëm.

Sipas Raportit të Auditimit, “Trepça” në vitin 2021 doli në humbje rreth 700 mijë euro.

Në vitin 2023, humbjet arritën rreth 5.4 milionë euro. Prema “CorrWatch”, një nismë e shoqërisë civile për mbikëqyrjen e institucioneve publike, “Trepça” ka operuar me humbje edhe pse është subvencionuar me 8.4 milionë euro nga Qeveria po atë vit.

Probleme operative e financiare në “Trepçë” ka pasur edhe gjatë qeverisjeve të kaluara, para se Lëvizja Vetëvendosje ta merrte pushtetin, por ky subjekt politik, sa ishte në opozitë, plasonte kritikë politike, duke shpërfillur të dhënat dhe pa objektivitet shkencor. Kështu, në janar 2021, Kurti deklaronte se “Trepça” është “lënë pas dore”, madje duke e cilësuar krim mosinvestimin në të. Gjithashtu, shtonte se kushtet e punëtorëve aty janë “mesjetare”.

“Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës, sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq, por edhe kur s’bën diçka mirë dhe e ke përgjegjësinë për diçka të tillë”, deklaronte Kurti.

Një muaj më pas, ai mori timonin e Qeverisë dhe, përkundër premtimeve, “Trepça” vazhdon të operojë me humbje, kurse ankesat legjitime të punëtorëve sa shkojnë e rriten. Për më tepër, duke qenë se nuk kanë pranuar paga për tre muaj, gjendja ekonomike e minatorëve është mesjetare, mu ashtu siç e kishte kritikuar Kurti – që tash është kryeministër – sa ishte në opozitë.

Qeveria e Kosovës është pyetur nga Sbunkeri për politikat e saj të subvencionimit të “Trepçës”, por deri më sot nuk ka pranuar përgjigje.

Subvencionimet milionëshe të Qeverisë duket se nuk mjaftojnë dhe se kërkohet një politikë ndryshe.

Çfarë ndryshe?

Meqë “Trepça” nuk po gjeneron fitim dhe është bërë barrë financiare e shtetit, një argument jopopullor është që ajo të mbyllet. Prema gazetarit Fehmi Ferati, “Trepça” ka prodhuar vetëm humbje, duke krijuar në publik iluzionin e një “gjigandi ekonomik”.

Opsionin e mbylljes së “Trepçës” e ka cilësuar si të papranueshëm Ferat Shala, ish-drejtor i “Trepçës”, tash deputet i Parlamentit të Kosovës. Në një përgjigje për Sbunkerin, ai ka thënë se edhe mbyllja e përkohshme e minierës do t’i shkaktonte shtetit më shumë shpenzime sesa mbajtja e saj aktive kështu siç funksionon tani, pra kryesisht përmes subvencioneve të shtetit.

“Minierat nëntokësore kanë kosto shumë më të lartë të mbyllen, sesa të mbahen aktive, kështu si tani. Në kuptimin shkencor dhe profesional, për mua është e papranueshme që të mbyllet ‘Trepça’ tërësisht apo përkohësisht”, ka thënë Shala, duke aluduar se mbyllja shkakton kosto shtesë, rrezik për fatkeqësi, si dhe shkaktim të ndotjes së ambientit, si shkak i materialeve që përmban miniera.

Gjithashtu, Shala është i shqetësuar me problemet aktuale të “Trepçës” dhe ka bërë thirrje për urgjencën e një plani afatshkurtër dhe afatgjatë për Trepçën, për të cilët do të duhej të bashkoheshin Qeveria, menaxhmenti i “Trepçës”, Sindikata dhe ekspertët e pavarur jashtë korporatës.

“Plani afatshkurtër do të përfshinte shfrytëzimin racional të resurseve në minierë, shfrytëzimin maksimal të pajisjeve dhe teknologjinë ekzistuese, rritjen e prodhimit brenda kushteve e rrethanave aktuale”, ka deklaruar Shala.

Ndërkaq, plani afatgjatë do të duhej të parashihte ndryshime thelbësore në të gjithë komponentët në korporatë, si juridikisht, ekonomikisht, teknologjikisht – që nënkupton reformim në aspektin hulumtues të gjendjes së brendshme, investimeve të mëdha kapitale në teknologji, qasje ndryshe ndaj tregut lokal dhe atij ndërkombëtar, e kështu me radhë.

Ndryshimi në “Trepçë” është domosdoshmëri

Pamjet e fundit të krizës humanitare të minatorëve të “Trepçës” pikë së pari lidhen me shkeljen e të drejtave të njeriut, gjë që është në kundërshtim me praktikat e një shteti demokratik dhe paraqet shkelje të të drejtave të mbrojtura me Kushtetutën e Kosovës. Humbjet financiare që i kushtojnë buxhetit të Kosovës janë dytësore.

Dy argumente të bollshme që tregojnë domosdoshmërinë e reformimit të “Trepçës”:

Që të realizohet kjo, së pari Qeveria duhet ta krijojë një grup punues profesionist e të pavarur, që të analizojë në detaje gjendjen e brendshme të “Trepçës”, menaxhmentin, të hyrat, shpenzimet dhe specifikat në tregjet e brendshme e të jashtme.

Prokuroria Speciale do të duhej të ishte më aktive për të parë nëse ka shkelje ligjore brenda ndërmarrjes – një pastrim i brendshëm para se të niste investimi i jashtëm nga shteti. Por, ky hetim nuk do të duhej t’i përfshinte minatorët që kryejnë punën pa pasur qasje në kapitalin e ndërmarrjes. Në një video të publikuar në TikTok, ministri i Punëve të Brendshme, në përballje me grevistë, dëgjohet se si u kërkon llogari minatorëve për korrupsionin në korporatë. Së pari, prania e ministrit të Punëve të Brendshme aty është krejtësisht e pavend dhe mund të shpjegohet vetëm si përpjekje për intimidimin e grevistëve. Së dyti, t’u kërkohet llogari punëtorëve fizikë për çështje financash e menaxhimi është absurde dhe e pandjeshme.

Qeveria nuk duhet t’i nënshtrohet narrativës popullore që për “Trepçën” aludon në një “superfuqi ekonomike”, siç ka vepruar njëjtë Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë.

Konform raportit të nxjerrë nga grupi punues, në bashkëpunim me menaxhmentin duhet të fillojë reformimi që do të mund të përfshinte në rast nevoje operative edhe uljen e numrit të punëtorëve, në kuadër të uljes së shpenzimeve.

Më pas, investimi në teknologji të reja do të ishte jetik, jo vetëm për prodhimtarinë, por edhe për ruajtjen e mjedisit në kuadër të standardeve europiane.

Për “Trepçën” kërkohet edhe një marketing më i efektshëm, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, drejt shtyrjes së gjetjes së tregjeve të reja, si pjesë e planit për rritjen e të hyrave të saj.

Politikat bazuar në shkencë rreth “Trepçës”, përpara atyre populiste, janë kusht i kësaj fillese reformatore për “Trepçën”.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.