Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Tri keqkuptime për liberalizimin e vizave

Qytetarët e Kosovës, më në fund, mund të lëvizin lirshëm brenda zonës Schengen për vizita turistike. Megjithatë, në opinionin publik, vazhdojnë të qarkullojnë keqkuptime të ndryshme rreth liberalizimit të vizave, mes të cilave tri janë të nevojshme të dekonstruktohen:

Keqkuptimi 1: Qeveria Kurti përmbushi liberalizimin e vizave

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave në vitin 2018, ndërkaq në vitin 2016 pati marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave nga Komisioni Europian, kur i pati përmbushur 93 nga 95 kritere.

Dy tema kishin marrë vëmendje të opozitës asokohe, Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Gazi lotsjellës i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend kishte pamundësuar ratifikimin e demarkacionit dhe ishte bërë shkak edhe për humbjen e momentumit për të hyrë në pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, e për të filluar lëvizjen pa viza qysh atëherë.

Që nga ajo kohë e deri më sot, qytetarët e Kosovës padrejtësisht kanë ngelur peng i burokracisë europiane në njërën anë, dhe mungesës së vizionit të lidershipit politik të Kosovës për t’i shfrytëzuar momentumet në anën tjetër.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë asnjëherë në pushtet para vitit 2019 dhe, rrjedhimisht, edhe nuk ka plotësuar asnjë kriter për liberalizimin e vizave.

Natyrisht, diskriminimi i qytetarëve të Kosovës nga BE-ja është evident që nga viti 2016, mirëpo liberalizimi i vizave ka ardhur si rrjedhojë e ndryshimit të rrethanave gjeopolitike në Europë dhe jo nga puna e Qeverisë Kurti.

Përkundrazi, Qeveria Kurti është e vetmja qeveri e cila është dënuar dhe sanksionuar nga aleatët kryesorë të vendit: Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Keqkuptimi 2: Liberalizimi i vizave mundëson punësim në BE

Ajo që bie në sy në retorikën publike është se pas 1 janarit 2024, shumë qytetarë do të tentojnë ta lënë vendin për të gjetur mundësi më të mira punësimi në BE. E këtu fillon edhe keqkuptimi, e madje edhe rreziku.

Liberalizimi i vizave për Kosovën, si dhe për të gjitha vendet e tjera të cilat nuk janë anëtare të BE-së dhe Zonës Ekonomike Europiane, nënkupton vetëm liri të lëvizjes për qëllime turizmi, por assesi liri të lëvizjes për qëllime punësimi.

Për t’u punësuar në mënyrë legale në ndonjë vend të BE-së, qytetarët kosovarë përsëri do të duhet të aplikojnë për vizë të punës – ngjashëm me si është vepruar deri më tani.

Udhëtimi me qëllim të abuzimit të liberalizimit të vizave, duke pasur qëllim jetesën brenda BE-së, mund të bëhet vetëm në mënyrë ilegale dhe kjo gjë sjell pasoja jo vetëm për individët që e bëjnë këtë shkelje, të cilët, përpos gjobitjes, mund të vendosen në listë të zezë duke ua pamundësuar udhëtimin në zonën Schengen për pesë vjet, por pasoja mund të ketë edhe për të gjithë qytetarët e tjerë në rast se numri i shkeljeve të afateve nga ana e nënshtetasve të Kosovës është i lartë, e që mund të shpjerë deri te rivendosja e regjimit të vizave.

Keqkuptimi 3: Shkeljet nuk kanë pasoja

Në rast të shkeljeve të shumta, BE-ja rezervon të drejtën që nëpërmjet Mekanizmit të Suspendimit të Vizave ta rikthejë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e që në këtë rast Kosova do të bëhej vendi i parë në rajon të cilit do t’i riktheheshin vizat.

Ky mekanizëm është në fuqi që nga viti 2018 dhe është krijuar me qëllim të mbrojtjes së BE-së nga rritja e numrit të hyrjeve të parregullta, apo shtimit të kërkesave për azil, nga vendet me të cilat gëzojnë liri të lëvizjes me BE-në – e që në total janë 62 vende.

Shtetet anëtare të BE-së, në koordinimin me Komisionin Europian, mund ta përdorin mekanizmin për të bërë suspendimin e lëvizjes pa viza për një periudhë 9-mujore, gjatë së cilës pritet që vendi të cilit i suspendohen vizat të ndërmarrë masa për t’i parandaluar shkeljet e rregullave të lirisë së lëvizjes.

Prandaj, është e rëndësishme të kuptohet qartë nga të gjithë se me fillimin e 2024-tës, i vetmi ndryshim për kosovarët është se ata tani munden lirisht të shkojnë t’i vizitojnë vendet e BE-së e t’i vizitojnë familjarët e tyre, por pa nevojën për t’u pajisur me viza paraprakisht.

Afati maksimal i qëndrimit në zonën Schengen për nënshtetasit e Kosovës është 90 ditë brenda 180 ditësh. Secila ditë shtesë përtej këtij afati përbën shkelje, për të cilën shkelësit do të bartin pasoja.

Muajt e parë të 2024-tës sigurisht do të jenë të vështirë, pasi një pjesë do të abuzojnë me vizat. Ndërkaq, ekonomia e vendit do t’i vuajë pasojat derisa të arrihet një stabilitet nga fluksi i madh i atyre që pritet t’ia mësyjnë BE-së.

Por, është e rëndësishme që të kuptohet qartë që, përpos përgjegjësisë individuale që bartim secili, kemi edhe përgjegjësi kolektive për rrezikun që i sjellim vendit dhe të gjithë bashkëqytetarëve tanë në rast se BE-ja aktivizon Mekanizmin për Suspendimin e Vizave kundër Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.