Sbunker domethënë edhe ikje, ecje përtej, nga metafora e shqiptarit me bisht.
Referimi “fqinjtë me bisht” në librin Arnautët dhe Fuqitë e Mëdha të Vladan Gjorgjeviqit – politikanit, gazetarit e kirurgut serb, botim që ka më shumë se një shekull moshë, ka qenë më tepër metaforë.
Por, vetë reagimi i shqiptarëve, pra prekja prej kësaj sintagme, sikur e ka konfirmuar atë.
Nuk mund të fshihet qëllimi strategjik i librit të 1913-ës derisa po vendoseshin kufijtë e Ballkanit. Nuk ka as dyshim që togfjalëshi ka mundur t’i hyjë në përdorim qëllimeve të politikës serbe dhe një mendësie fashiste për pastrim etnik të Kosovës në dekadat vijuese. Por, është një anë e librit, që është shkruar nga këndvështrimi i civilizimit perëndimor, me të cilën duhet të merremi vetë ne, sidomos tani që projekti i pastrimit ka dështuar, pa pasur nevojën e një ombrelle mbrojtëse që e ngrehim gati instinktivisht, kur kritika na vjen nga jashtë e që na duket dashakeqe.
Kam shkruar deri më tash përjetimet e mia për shqiptarët që mërgojnë e integrohen në vendet pritëse ndërsa një pjesë e madhe e tyre dinë pak për historinë dhe gjuhën e vet, për pikëpamjet e shumë shqiptarëve për politikën në vendet e veta, për identitetin shpesh të brishtë individual, për seksin. Të gjitha këto janë pjesë të rëndësishme të civilizimit. Sikur që është edhe e folura, që është tema e kësaj pjese. Duhet nënvizuar që në fillim se kjo është thjesht çështje interpretimi e dëshire për të diskutuar, më shumë se ambicje a pretendimi për t’ia vënë pikën një teme.
Si shqiptarë, flasim pak. Po përsëris diçka të njohur e të përmendur shpesh (të më falet klisheja!), por edhe tradicionalisht është çmuar urtësia që, mua më është dukur, është çmuar si fjalëpak e jo domosdoshmërisht si mençuri. Më e rëndësishmja, megjithatë, është e folura e pamjaftueshme publike. Fundja, romani i parë shqip në Kosovë është botuar më 1957 dhe ai ka ardhur nga një prej njerëzve të fuqishëm të sistemit.
Po flas për të folurën si shpërfaqje e zërit të brendshëm në hapësirën publike. Për ndjenjat tona, opinionin tonë, kërkesat tona, jetën tonë. Në civilizimin e sotëm perëndimor, demokracia dhe e folura janë të ndërlidhura ngushtë, të varura nga njëra-tjetra. Është me rëndësi, prandaj, edhe të përmendet se Gjorgjeviqi jetonte në Vjenë në kohën e shkollës së saj analitike, thelbi i së cilës ishte pikërisht e folura. Kështu që, ai ishte i informuar kur kritikonte nga këndvështrimi i civilizimit.
Dikush mund të thotë sa të civilizuar kanë dalë këta serbët e Gjorgjeviqit dhe vetë austriakët e shkollës analitike të përfshirë në krime të jashtëzakonshme kundër njerëzimit në dekadat e mëvonshme!
Dikush tjetër mund të numërojë autorë, këngë për mikrofonin, numra gazetash shqiptare.
Të tjerë mund të argumentojnë se njeriu nuk flet vetëm në një formë, se e folura e tij mund të lexohet edhe nga gjestet, tradita, veprimet.
Unë besoj që ne duhet të flasim sikur që flasin të gjithë popujt modernë për të mbijetuar në këtë civilizim. Që ajo që kemi nga e folura nuk na mjafton. Madje, gjatë njërit prej udhëtimeve të mia, pata lexuar se si edhe një numër deputetësh në Kosovë s’ishin dëgjuar kurrë duke folur edhe pse paguheshin për atë punë. Që referimi te shembujt e huaj amnistues vetëm për ta ruajtur shtëpinë tonë të qelqtë, edhe pse ia dimë asaj të këqijat, është symbyllje e ulët, e papërgjegjshme.
Na duhet arsimim për të folur. Për shembull, për të folur për islamin tonë pa mostolerancën që vjen shpesh si pasojë e traditës autoritare (që vërehet sidomos në Shqipëri), pa komplekse. Për të folur se si ta përdorim shtetin për të krijuar identitet kolektiv, jetë të jetueshme. Por, mbi të gjitha na duhet pranueshmëri. Më ka ndodhur të flas me njerëz që më kanë konsultuar në qytete shqiptare dhe këtu në Michigan e që kanë hequr shumë derisa janë çelur. E atëherë asgjë e tyre s’më është dukur jonjerëzore, e padëgjuar. Në fakt, jonjerëzor është më shumë ky ngurrimi për të folur.
Ky m’u duk edhe interesimi i disa botimeve të reja këto ditë në Prishtinë.
E ashtu m’u kujtua sërish anketa me gazetarë për median online, e lansimit, e redaktorit të këtij uebsajti. Përkundër të gjitha dilemave profesionale dhe të tjera që i kam dëgjuar, shqiptarët asnjëherë s’kanë folur më shumë se me mediat online dhe ato sociale. E folur që duhet të mbështetet, shtrihet dhe forcohet.
Kjo e folur është dalje prej bunkerit. Pra, sbunker domethënë edhe ikje, ecje përtej, nga metafora e shqiptarit me bisht.