Judith Butler në përpjekjen e saj për të rishqyrtuar strukturën ontologjike të identitetit gjinor konkludon se supozimi mbi predispozitat paradiskurisive mbi seksin dhe gjininë ka sjell keqkuptime në trajtimin e femërores. Kësisoj ka bërë që subjekti femëror të mbetet parodi e patejkalueshme e konstruktit social dhe kulturor. Duke u mbështetur në teorinë e Michel Foucault, ajo ka vënë në pah se shoqëria fillimisht ndërton subjektin e pastaj i shndërron në individë, të cilët dalin në sipërfaqe për t`i përfaqësuar ata. Mirëpo, pikërisht femërorja duke mbetur peng i konceptimit të gabuar dhe i ndarjes strikte në mes seksit dhe gjinisë, nuk arriti të bëhet individ por vetëm subjekt dhe identitet gjinor.
Mbi këtë premisë është ndërtuar edhe subjekti i presidentes (femërores), e cila është ende në fazën e konsolidimit pavarësisht fundit të mandatit të saj. Shpërfaqja e së vërtetës në ndërtimin e relacionit në mes presidentes e shoqërisë nuk vjen nga ana e saj, por anasjelltas, nga relacioni që krijon shoqëria me të, gjë e cila manifestohet nëpërmjet gjuhës.
Në kontekstin e funksionimit të normave rregullative që kanë krijuar marrëdhënie statitke të përfaqësimit të sferës publike vetëm nga një gjini, nuk mund ta modifikoj dhe pranoj një subjekt tjetër, i cili nuk ka ardhur si rezultat i një akti apo vendimi gjithëpërfshirës shoqëror.
Përpjekja e parë për transformimin e subjektit në individ është gjuha. Rrjedhimisht, në rastin e presidentes, problemi nuk qëndron në paraqitjen e saj në një program televiziv, por gjuha e përdorur karshi saj në atakimin e subjektit që nuk lejon konsolidimin e individit.
Teoria e performacës, e cila për Butler është përsëritje e rregullave të miratuara nga po këto norma të njëjta bënë që personi që mbijeton si subjekt, t`i përmbahet këtyre normave, të cilat ndahen në kategori të veçanta, ndaj mbështesin standardin. Ky subjekt i identifikuar me standardin e një kulture falocentrike nuk arrin asnjëherë të dalë jashtë këtyre kategorizimeve të parapërcaktuara si gra dhe burra. Me shumë vështirësi e tërë ajo prapavijë kulture e veçanërisht gjuhësore e ndërtuar për të përcaktuar gratë dhe burrat, bën që ta thelloj hendekun në mes burrave dhe grave. Pikërisht në këtë kontekst është e pamundur të mendohet për individin e konsoliduar qartë përtej metafizikës gjuhësore, sepse gjuha duke qenë kulturore përmban në vete qenien e shoqërisë dhe parapërcakton se në cilin stad mëton ta shpijë individin.
Apologjia për presidenten nuk është përpjekja për të përdor seksin e saj, porse tentim që nëpërmjet pozitës ajo t`i kapërcejë kufijtë e perceptimit vetëm si imazh. Kjo mund të arrihet vetëm atëherë kur përkatësia gjinore e saj të mos shihet si problem ontologjik, por aspekt kulturor e shoqëror. Pra, njëlloj refuzimi konstant që ajo të kundrohet nëpërmjet atributeve seksiste dhe stereotipeve, duke afishuar gjatë gjithë kohës qëndrimin që ka shoqëria karshi gruas në sferën publike. Prandaj, për Butler gjinia nuk është vetëm raport i dominimit të burrave mbi gratë, por rend normativ që sjell prodhimin e një kufiri midis dy kategorive të seksit femëror e mashkullor dhe i cili në vetvete është shtypës.
Çanta nuk ishte në dorën e duhur, fijet e flokut nuk ishin në linjën protokollare, veshja e saj nuk ishte konform pozitës, zarfi ishte fati i saj e mbi këto si një kualifikim suprem, imazh i mirë i Kosovës, veç për faktin që është grua. Janë këto disa nga përkufizimet triviale, të cilat gradualisht formësuan portretin e kryetares Jahjaga dhe për të cilën një grup njerëzish beson fuqishëm se ajo mbrohet nga gratë veç pse është e të njëjtës përkatësi. Kjo qasje, i jep identitet të ri situatës, në të cilën si asnjëherë më parë ravijëzohet qartë linja ndarëse gjinore. Pra, jemi NE dhe ATA. E, ata konsiderojnë se t`i vihesh në mbrojtje një gruaja, je feministe. Edhe po që se do të ekzistonte një lëvizje e tillë, ajo nuk do të duhej të vështrohej si dogmatike. Thjesht për faktin se gruaja shkon përtej identitetit gjinor e imazhi përtej vizuales. Ai është përmbajtje e kuptim dhe që tejkalon kufijtë e aparencës në relacion me subjektin grua në politikë.
Ajo është më shumë se imazh, është esencë, ngase përfaqësohet numerikisht dhe cilësisht, duke lënë në hije odat e burrave. Edhe pse ka qëndrime kundërthënëse, Kosova ka arritur ta shpëtoj veten nga legjitimimi i patriarkaliteti falë kuotës gjinore dhe presidentes.
Por, kjo nuk do të thotë se është shndërruar në një kulturë politike. Pra, kuota nga aspekti ligjor duhet të zhvendoset në kulturën politike të shoqërisë kosovare, e cila e bën gruan pjesë të padiskutueshme të të gjitha zhvillimeve. Por, kjo natyrisht se aktualisht nuk po ndodhë. Rast tipik është përbërja aktuale e qeverisë, në të cilën ka një predominim të theksuar të burrave. Po të kishte të tillë, siç do të përkufizohej funksionimi i shoqërisë kosovare pa mekanizmat afirmativ, do të kishte një hise më të madhe për gratë. Në këtë sens është gati absurde që një grua në këso rrethana të vjen në krye të shtetit. Njësoj ndodhi edhe me presidenten Jahjaga, e cila erdhi ku është në një kompromis meskin burrash, pikërisht për ta fashitur një krizë politike. Muaj më pas e deri tash, ky hidhërim ende po zgjatë, ndaj secila paraqitje e saj shihet me llupë me një përpjekje sizifi për të gjetur ndonjë gafë si pretekst për ta rikthyer sërish punën të zarfi.
Si kuota gjinore ashtu edhe rasti i presidentes janë parakushte elementare për ta shkëputur gruan nga norma patriarkale në mënyrë që të ndërtoj një sistem të ri gjuhe në raport me pozitën që ajo ka. Presidentja po stigmatizohet, pikërisht për shkak se një pjesë e opinionit publik s`po mund te adoptohet me prezencën e grave në sferën publike dhe si rezultat nëpërmjet gjuhës po mbështetet standardi tradicional në të cilin funksionojmë si shoqëri.
Presidentja është grua. Vetëm atëherë kur do të ndryshoj gjuha në vlerësimin e saj, jo si identitet gjinor, por individ, mund të supozohet të jetë krijuar një rend i ri shoqëror!