Universiteti i Prishtinës vazhdon të shkelë statutin e tij. Aty shumë qartë theksohet se gjatë një viti akademik ka tre afate të provimeve: në janar, qershor dhe shtator. Por ja që nuk ndodhë kështu, sepse studentët i nënshtrohen edhe dy afateve të tjera të parregullta, në prill dhe tetor, me nga dy provime secili.
Shumë herë është përfolur se afatet e parregullta do të largohen. Sa herë që kjo çështje vihej në diskutim, disa studentë ngriteshin në protestë. Madje, në rastin e fundit, kur ish-rektori Ramadan Zejnullahu propozoi të largohen afatet e paligjshme, disa student edhe kanë fjetur në objektet e fakulteteve ku ndjekin studimet, në shenjë kundërshtimi ndaj largimit të këtyre afateve. Kompromisi rezultoi që ish-rektori të vendosë që studentët në këto dy afate t’i nënshtrohen vetëm nga një provimi.
Këta studentë protestues, përveç prillit dhe tetorit, kërkuan edhe që të ketë afat çdo muaj për absolventë. Pastaj, pasi u mjaftuan me afate, patën edhe kërkesa të tjera, që nuk kishin të bënin, për shembull, me reforma të reja të ligjërimit. Nuk kërkuan hapësira më të gjera për studim. Nuk kërkuan të kenë mundësi praktike. Nuk kërkuan më tepër bursa për studime jashtë Kosovës e literaturë të mjaftueshme për studim. Nuk kërkuan që vlerësimi i tyre të bëhet kohë pas kohe gjatë gjithë semestrit, pra me anë testeve, detyrave, vijueshmërisë në ligjërata etj., gjë që gjithashtu përcaktohet me statut të Universitetit.
Ata kërkuan shkelje të ligjit. Dhe edhe kësaj radhe ia arritën qëllimit.
Gjatë këtyre afateve të paligjshme, u vendos që të ketë një javë pushim, në mënyrë që të mos pengohet procesi i studimeve. Por, edhe pse ka pushim njëjavor, prapë se prapë procesi mësimor pengohet, ngase studentët fillojnë më herët të përgatiten për provime. Kështu ata nuk i ndjekin ligjëratat, ose nuk përqendrohen mjaftueshëm në ligjëratat dhe detyrat që kanë. Gjithashtu, shumica e provimeve janë mbajtur në fillim të javës së pushimit, duke pamundësuar kështu shfrytëzimin e asaj jave për studim.
Tani, pas dorëheqjes së rektorit Zejnullahu, senati vendosi që dy afatet të bëhen sërish me nga dy provime. Pasoja e këtij vendimi është që shumë studentë, kur e dinë se kanë aq shumë afate, nuk përgatiten mjaftueshëm në afatin e parë, sepse e dinë që i kanë edhe katër mundësi të tjera. Madje, ata kanë një shprehje: “Kur s’ke fat, ke afat!” Aq ka afate provimesh, sa që në njërin prej tyre patjetër do t’ua dojë fati.
E në vendimin e senatit që prilli dhe tetori të jenë me dy provime, në një fjali të këtij vendimi shkruan se këto dy afate u bënë me dy provime “me qëllim të ruajtjes dhe avancimit të cilësisë që është në interesin e të gjithë studentëve”. Në realitet, këto afate kanë ndikim të kundërt me atë që pretendohet në këtë vendim. Afatet e tepërta në UP, bëjnë që të bie cilësia e arsimit në Universitet. Ky është njëri ndër indikatorët pse diplomat e UP-së nuk pranohen nga shumë shtete.
Nëse studentët e UP-së do të kishin literaturë të mjaftueshme, mundësi praktike dhe të vlerësoheshin periodikisht gjatë tërë semestrit, nuk do të kishte nevojë për kaq shumë afate. Ata do t’i kalonin provimet me anë të tre afateve të ligjshme. Pra, me anë të pikëve që do të akumulonin vazhdimisht. S’do të kishin nevojë t’i nënshtrohen një provimi më shumë se tre herë. S’do të kishin nevojë për afate shtesë. Ata çdo ditë nga pak do t’i kalonin provimet.
Mirëpo, për shkak të mosrespektimit të statutit të Universitetit, dhe mosangazhim të llojit të duhur nga studentët, Universiteti i Prishtinës tani është shndërruar në Universitet të Provimeve.